Trump kërkon më shumë para nga vendet e NATO-s
(last modified Thu, 25 May 2017 18:00:03 GMT )
May 25, 2017 20:00 Europe/Tirane
  • Trump kërkon më shumë para nga vendet e NATO-s

Udhëheqësit e NATO-s janë mbledhur për takimin e parë në selinë e re të aleancës në Bruksel, e të parin ku merr pjesë presidenti amerikan, Donald Trump.

Në hapje të samitit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se aleanca përballet me shumë sfida, mes të cilave më të rëndësishmet janë terrorizmi, agresioni rus dhe vendet që duan të zhvillojnë armët bërthamore. NATO do t’i bashkohet koalicionit ndërkombëtar kundër grupit terrorist ISIS, njoftoi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ky vendim, është kërkuar për një kohë të gjatë nga SHBA-ja. “Por, kjo nuk nënkupton se NATO do të angazhohet në operacionet luftarake”, nënvizoi Stoltenberg në Bruksel. Përveç axhendës publike të samitit, nuk ka dyshim se rëndësi kryesore do të jetë qëndrimi i Shteteve të Bashkuara dhe Trump ndaj aleancës. Presidenti amerikan u përpoq të bindë anëtarët e NATO-s të paguajnë detyrimet financiare, një çështje e cila ka hapur debat, pasi pjesa me e madhe e vendeve nuk paguajnë shpenzimet ushtarake. Shumë analistë mendojnë se, për një pjesë të krerëve europianë, testimi i Trump do të jetë po aq i rëndësishëm, sa gjetja e terrenit të përbashkët me të. Në këtë kuadër, para samitit, Trump dërgoi sinjale të qarta kritike për NATO-n, sidomos për ata anëtarë që sipas tij nuk po ndajnë barrën financiare sipas rregullave. Këto komente, Trump i bëri pasi zbuloi Memorialin e sulmeve të 11 shtatorit 2001, që qëndron pranë një segmenti të Murit të Berlinit. “Anëtarët e aleancës duhet të kontribuojnë me aq sa u takon dhe të përmbushin detyrimet e tyre financiare. 23 nga 28 vendet anëtare vazhdojnë të mos paguajnë atë që duhet të paguajnë dhe atë që supozohet se duhet të paguajnë për mbrojtjen e tyre. Kjo nuk është e drejtë për njerëzit dhe taksapaguesit në Shtetet e Bashkuara”, tha Trump. Ai madje tha se niveli 2 për qind i GDP-së, që është detyrimi i çdo vendi anëtar ndaj aleancës, është një shumë minimale përballë situatës globale. Për presidentin amerikan, ky është gjithashtu një shans për t’u takuar për herë të parë me disa liderë të Bashkimit Europianë, përfshi këtu edhe presidentin e ri francez, Emmanuel Macron. Atmosfera mes tyre dukej e tensionuar kur dy krerët e shteteve u takuan në ambasadën amerikane. Pas takimit të tij me Trump, presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, tha se ata arritën akordin në shumë çështje, por jo sa i përket Rusisë. Presidenti amerikan është kritikuar për admirimin e tij për homologun rus Vladimir Putin dhe administrata e tij është përfshirë në pretendime për lidhje të afërta me interesat ruse. Tusk theksoi vlerat themelore perëndimore si liria, të drejtat e njeriut dhe respekti për dinjitetin njerëzor, si pjesa qendrore e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Trump, që ka shprehur rezerva ndaj vlerave të bllokut gjatë fushatës dhe pati përshëndetur me të madhe “Brexit”-in, është përballuar me thirrjet e udhëheqësve europianë që ta vazhdojë mbështetjen amerikane ndaj integrimit të kontinentit të vjetër.

 

Tags