Në një klimë mosmarrëveshjesh përfundoi samiti i liderëve të NATO-s
Aleanca perëndimore e mbrojtjes, NATO duhet të shpenzojë më shumë për mbrojtjen, kërkoi presidenti amerikan Donald Trump.
Në samitin e NATO-s, presidenti amerikan, Donald Trump u paraqit si i pakultivuar. Ai shtyu mënjanë kreun e shtetit të Malit të Zi për të dalë në radhë të parë. Fjalimin e tij të shkurtër ceremonial, ai e përdori për sulme disaminutëshe ndaj aleatëve. Në fjalimin ceremonial, Trump nuk hezitoi të kritikojë aleatët. "Ka ardhur koha, që anëtarët e NATO-s të paguajnë kontributin që duhet", tha ai. "Kjo është e padrejtë kundrejt popullit amerikan." Kancelarja Merkel shikoi në këtë moment të fjalimit në drejtimin e kundërt. Trump kërkoi para imagjinare nga shtetet e NATO-s, para që nuk i takojnë. Ai provokoi, vulgarizoi. Mjaft nga krerët e shteteve dhe qeverive u shokuan. Madje as delegacioni amerikan i NATO-s nuk e kishte pritur që Trump do ta ndiqte sërish kursin kokë më vete të tipit Trump - "Amerika first! Trump first! Trump, si të gjithë paraardhësit e tij, hoqi dorë nga shprehja e qartë e solidaritetit dhe mbështetja në rast nevoje për mbrojtje. E quan Trump vërtet NATO-n të tejkaluar? Dyshimet për këtë mbeten. A mund të mbështeten aleatët lindorë tek SHBA, në rast të një sulmi rus? Dyshimet për seriozitetin e SHBA e trondisin me themel strukturën e sigurisë të të gjithë aleancës perëndimore. Udhëheqja ruse nën Vladimir Putinin do të gëzohej për këtë. Në fund të fundit, Trump me qëndrimet e tij kontribuon në këtë drejtim. Edhe qëndrimi i tij ndaj Rusisë në takimin e NATOs mbeti i paqartë. Sipas analistëve perëndimorë, një president amerikan mund të përpiqet të dirigjojë aleancën në drejtimin e dëshiruar. Por kjo bëhet vetëm me propozime të arsyeshme dhe me argumente. Aleanca e NATO-s nuk është një shou personal e këtë nuk e kupton dot një njeri me karakterin e Donald Trumpit. Reagimet e NATO-s dhe të kancelares gjermane të provokuar prej tij ishin shumë të përmbajtura. Merkel i mbetet besnike vendimeve të NATO-s për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, por publikisht ajo heshti për akuzat e presidentit amerikan. Pas këtij samiti me Trump shtrohet edhe më shumë pyetja se si duhet vepruar me populistin në Shtëpinë e Bardhë? Në nivel profesional NATO e ka gjetur një zgjidhje: thjesht injoroje. Ndërsa në praktikë, NATO vazhdon t'i bëjë realitet vendimet e saj, madje me ndihmën e funksionarëve dhe diplomatëve amerikanë në vend. Presidenti i çuditshëm i Amerikës, me qëndrimet skiç jeton mesa duket në botën e vet, por realiteti ka pamje tjetër. Sidoqoftë, vendet e NATO-s do t'i përgjigjen Trumpit në kërkesën e tij për të shtuar shpenzimet për mbrojtjen. Ato kanë premtuar se do të paraqesin për vit raportin se si do ta përmbushin objektivin për rritjen e buxhetit të mbrojtjes, që parashikon shpenzimet 2% të prodhimit të brendshëm bruto deri në 2025. Në axhendën e krerëve të shteteve dhe qeverive të aleancës në samitin e Brukselit, ishte edhe Rusia. Stoltenberg u shpreh, se Rusia është gjithmonë në axhendën e NATO-s. "Një nga arsyet, se pse ne investojmë më shumë në mbrojtjen e përbashkët, se pse e rrisim prezencën e aleancës në Lindje, është përgjigjja ndaj sjelljes agresive të Rusisë, siç e kemi parë në Ukrainë" deklaroi Stoltenberg.