Trump tërhiqet nga marrëveshja e Parisit
Presidenti amerikan, Donald Trump ka vendosur të tërhiqet nga marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike.
Lajmi njoftohet raporti i faqes informative të lajmeve “Axios”. Trump refuzoi të miratonte akordin historik mbi ndryshimet klimatike gjatë punimeve të samitit të G7-s ditën e shtunë, duke thënë se i duhej më shumë kohë për të vendosur. Më pas, ai shkroi në “Twitter” se vendimin e tij do ta njoftonte gjatë kësaj jave. Sipas faqes “Axios”, dy burime pranë administratës së presidentit Trump kanë thënë se kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka nisur tashmë konsultat mbi procesin e tërheqjes me zyrtarët më të lartë. Lëvizja e presidentit amerikan pritet të jetë një goditje e rëndë e trashëgimisë së paraardhësit të tij, Barack Obama, i cili e konsideronte trajtimin e ndryshimeve klimatike si një prioritet kyç dhe e konsideronte marrëveshjen e Parisit si një nga arritjet e tij më të mëdha. Vendimi gjithashtu rrezikon të minojë ambiciet e marrëveshjes, që u nënshkrua nga 195 shtete të tjera. Sipas “Axios”, një rol kryesor në vendimin e Trump ka luajtur një letër e firmosur nga 22 senatorë republikanë, që e nxisnin atë të tërhiqej nga pakti.