Përplasje politike në Amerikë për shkak të dosjes Trump-Rusi
Me deklarimin e vendimit të drejtorit të shkarkuar të FBI për të dhënë dëshminë e tij në Senatin amerikan, dosja e shumëpërfolur Trump-Rusi, është futur në një fazë të re. Kreu i shkarkuar i FBI-së i cili u detyrua të largohet nga puna me urdhër të presidentit Donald Trump, ka deklaruar se javën e ardhshme do të japë dëshminë e tij në komitetin informativ të Senatit amerikan.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se nuk do t’i përgjigjet më pyetjeve për hetimin në zhvillim mbi lidhjet e pretenduara të Donald Trump me Rusinë. Duket se ky hap merret në kuadër të dëshmisë së ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, para një komiteti të Kongresit që do të bëhet javën e ardhshme. I pyetur për provat e Comey dhe nëse presidenti është angazhuar në pengimin e drejtësisë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha se ata janë të përqendruar tek axhenda e presidentit dhe të gjitha pyetjet e tjera për këto çështje do t’i drejtohen avokatit Marc Kasowitz. Ky i fundit është avokati i Trump dhe e ka përfaqësuar presidentin në të shkuarën në shumë çështje ligjore. Qëndrimi i ri i Shtëpisë së Bardhë për pyetjet mbi Rusinë u bë disa orë para se Senati të nxirrte urdhra ligjore paraqitjeje para Komitetit të Inteligjencës për Michael Flynn dhe avokatin tjetër të Trump, Michael Cohen. Shumë prej konferencave për shtyp të Sean Spicer dominoheshin nga saga e Rusisë, diçka që zëdhënësi i Trump nuk e pëlqente fare. Analistët thonë se, tani që po zhvillohet një hetim penal, duket se askush nga Shtëpia e Bardhë nuk dëshiron të komentojë pa këshilla ligjore. CNN raporton se ish-drejtori i FBI-së, Comey pritet të konfirmojë para Senatit se Trump i bëri presion që të hiqte dorë nga hetimi i ish-këshilltarit të Sigurisë, Michael Flynn, diçka që do të rëndojë tej mase pozicionin e presidentit. Mësohet se Comey ka diskutuar parametrat e dëshmisë së tij me prokurorin special, Robert Mueller, që tashmë drejton hetimin penal. Pak ditë më parë për shkak të polemikave të gjera rreth dosjes Trump-Rusi, edhe drejtori i komunikimit i Shtëpisë së Bardhë, Mike Dubke, deklaroi se do të largohet nga posti, pas vetëm tre muajve në detyrë. Dorëheqja mund të jetë e para në një sërë ndryshimesh në stafin e afërt të Presidentit Donald Trump, ndërkohë që ai përpiqet të formulojë një përgjigje ndaj hetimeve rreth lidhjeve të ndihmësve të tij me Rusinë. Zoti Dubke e dha dorëheqjen dy javë më parë, por Presidenti Trump e pranoi ofertën e tij për të qëndruar në detyrë gjatë kohës që do të ishte në Lindjen e Mesme dhe në Evropë për turneun prej nëntë ditësh. Trump dhe ndihmësit e tij përballen me mundësinë e hetimeve të gjata rreth lidhjeve të tyre me Moskën. Një prokuror i posaçëm po heton për të sqaruar nëse pjesëtarë të ekipit të tij të fushatës kanë bashkëpunuar në mënyrë të paligjshme me zyrtarët rusë për ta ndihmuar atë të fitonte në zgjedhje. Ndërkohë, disa komisione të Kongresit po mbledhin fakte rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhje. Donald Trump i ka hedhur poshtë pretendimet se rusët e ndihmuan për të fituar zgjedhjet. Në një koment në Twitter, ai e quajti këtë një “justifikim të çalë” të demokratëve për humbjen e Shtëpisë së Bardhë.