Trump pëson tjetër disfatë
Një gjykatë e apelit në Shtetet e Bashkuara mbajti në fuqi vendimin e një gjykate më të ulët, i cili bllokon urdhrin ekzekutiv të presidentit Donald Trump për udhëtimin.
Ky urdhër u ndalon përkohësisht hyrjen në SHBA shtetasve nga gjashtë vende me shumicë myslimane. Tre gjykatës të Gjykatës së Apelit të Qarkut 9 thanë se nuk do të shfuqizojnë vendimin që ka lëshuar një gjykatë në Havaje, në muajin mars, për pezullimin e urdhrit të presidentit. Gjykatësit thanë se urdhri i presidentit është motivuar nga “një paragjykim anti-mysliman”. Administrata Trump thotë se ndalimi i përkohshëm i udhëtimit, që prek shtetasit e Iranit, Sirisë, Sudanit, Libisë, Somalisë dhe Jemenit, ka të bëjë me shqetësimet për sigurinë kombëtare. “Konstatojmë se presidenti, me lëshimin e urdhrit ekzekutiv, ka tejkaluar autoritetin që i është dhënë nga Kongresi”, thanë gjyqtarë në vendimin e shkruar. Urdhri i pezulluar, i nënshkruar më 6 mars, ka qenë rishikim i urdhrit fillestar të Trumpit, të nënshkruar më 27 janar, i cili u ka ndaluar hyrjen në SHBA shtetasve të shtatë vendeve me shumicë myslimane, përfshirë Irakun. Ndërkaq, Dy prokurorë të Përgjithshëm, ai i Marylandit dhe Distriktit të Kolumbias, planifikojnë të hedhin në gjyq presidentin Donald Trump për faktin se ka pranuar, sipas tyre, miliona dollarë nga qeveri të huaja për sipërmarrjet e veta, duke shkelur një klauzolë kushtetutese kundër korrupsionit. “Ëashington Post” shkruan se shefi i Shtëpisë së Bardhë ia ka transferuar kontrollin e bizneseve të tij dy djemve, Donald Junior dhe Eric, pikërisht për të shmangur konflikte të mundshme interesi gjatë mandatit presidencial. Por dy prokurorët demokratë, Karl A. Racine dhe Brian Frosh pretendojnë se kreu i administratës ka anashkaluar shumë nga premtimet për t’i mbajtur të ndara detyrimet publike nga interesat private, mes të cilëve edhe zotimin që të informohet rregullisht mbi shëndetin financiar të shoqërisë. Nëse një gjykatës federal do t’i japë “dritën jeshile” procedurave, një ndër hapat e para mund të jetë kërkesa e një kopjeje të deklaratës së të ardhurave, që Trump deri tani ka refuzuar ta bëjë publike. Ajo mund t’i ndihmojë hetuesit të shohin në ç’pikë është situata e tij e biznesit jashtë kufijve. Ankesa bazohet në “klauzolën mbi shpërblimet”, një dispozitë e Kushtetutës amerikane që i ndalon çdo personi me post publik të pranojë dhurata, shpërblime, poste apo tituj të çdo lloji, nga një mbret, një princ apo një shtet i huaj, pa miratimin e Kongresit. Një padi të ngjashme pati depozituar në janar OJQ-ja antikorrupsion “Citizens for Responsibility and Ethics in Washington”, por ankesa e re është e para e paraqitur nga subjektet qeveritare.