Reagimi i Putinit ndaj sanksioneve të reja të SHBA-ve
Presidenti rus, Vladimir Putin tha se qeveria e tij nuk do të linte pa përgjigje sanksionet e reja të vendosura nga Uashingtoni për atë që e konsideron ndërhyrje të Moskës në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Putin serish ka hedhur poshtë mundësinë e përfshirjes së palës ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane, duke theksuar se vendi i tij nuk ka marrë pjesë në kurrfarë aktivitetesh të fshehura. Ai deklaroi se sanksionet e SHBA dhe të Perëndimit nuk mund të dëmtojnë më ekonominë ruse. “Recesioni i Rusisë është tashmë histori”, tha presidenti Putin ndërsa i përgjigjej pyetjeve të publikut. “Recesioni është tejkaluar”, tha Putini duke i dhënë një vlerësim pozitiv ekonomisë ruse. Rusia ka vuajtur një recesion ekonomik gjatë viteve të fundit, që çoi në çmime relativisht të ulëta të naftës dhe sanksione të ashpra nga fuqitë perëndimore që lidhen me konfliktin e Ukrainës. Megjithatë, presidenti rus Vladimir Putin shfaqi shpresën se marrëdhëniet e Rusisë dhe SHBA-ve do të normalizohen, duke thënë se këto dy shtete mund të bashkëpunojnë në shumë fusha Presidenti rus, Vladimir Putin tha se Rusia nuk e konsideronte SHBA-në si armike. “Ne nuk e konsiderojmë Amerikën si armiken tonë”, tha Putini gjatë një konference shtypi televizive, në përgjigje të një shikuesi amerikan, i cili përmes videolinkut pyeste se si ta zgjidhte problemin me rusofobinë mes bashkatdhetarëve të tij. Presidenti hodhi poshtë problemet e fundit midis vendeve si rezultat i mosmarrëveshjeve në lidershipin amerikan. “Ne kemi shumë miq në Amerikë”, tha Putini. Presidenti rus tha se Moska dhe Uashingtoni mund të bashkëpunojnë në shkatërrimin e armëve masive, përfshirë edhe programin nuklear dhe raketor të Koresë Veriore. Putin tha se Rusia dhe SHBA po ashtu mund të bashkëpunojnë në luftën kundër varfërisë dhe parandalimin e ndryshimeve klimatike, ndërsa shfaqi shpresën se SHBA mund të kenë rol konstruktiv në zgjidhjen e krizës ukrainase. ”Më shumë se një milion pyetje u dërguan për kreun e shtetit”, njoftoi televizioni shtetëror rus. Emisioni, i quajtur “Linja e drejtpërdrejtë me Vladimir Putinin”, u transmetua për here të parë në vitin 2001. Kreu i shtetit u përgjigjet në mënyrë të detajuar pyetjeve të drejtuara nga audienca, telefonuesit si dhe mesazhet elektronike. “Sipas traditës, edhe këtë vit presidenti Putin iu përgjigj pyetjeve të rusëve në lidhje me çështjet publike dhe politike dhe jetën socio-ekonomike të kombit si dhe çështjet ndërkombëtare”, tha Kremlini në një deklaratë.