Vazhdojnë deklaratat kontradiktore të Donald Trump
Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se nuk e ka regjistruar asnjëherë ish-shefin e FBI-së, James Comey, pavarësisht se më herët kishte lënë të nënkuptohet se kishte bërë të kundërtën.
Përmes një reagimi në “Twitter”, ai ka njoftuar se “nuk ka bërë dhe nuk ka asnjë regjistrim të tillë”, referuar këtu bisedave me ish-kreun e Byrosë Federale të Hetimit. Vetëm pak ditë pasi e kishte shkarkuar Comeyn në maj, presidenti shkroi në rrjetin e preferuar social, duke thënë se “Comey duhet të shpresojë që të mos ketë regjistrime të bisedimeve tona”. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka qenë nën presion të shtuar për të deklaruar këto regjistrime, nëse kishte të tilla, në hetimet që po kryhen mbi ndërhyrjen e pretenduar ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane. Komiteti i Inteligjencës i Dhomës së Përfaqësuesve i kishte kërkuar në fillim të muajit Shtëpisë së Bardhë të dorëzonte materiale të tilla, nëse i zotëron. James Comey kryesonte hetimin e FBI-së mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit të kaluar, por edhe për dyshimet se zyrtarë të ekipit të fushatës së Trumpit kanë pasur lidhje me Moskën, përpara se ai të shkarkohej më 9 maj.