Austria i ndalon hyrjen ministrit turk për miting
Austria i ka ndaluar hyrjen në vend ministrit turk të Ekonomisë, Nihat Zeybekci, i cili kërkonte të merrte pjesë në tubimin e organizuar në Vjenë me rastin e përvjetorit të parë të puçit të dështuar ushtarak në Turqi.
Për autoritetet austriake, prania e ministrit Zeybekci përbën rrezik për sigurinë dhe rendin publik. Ankaraja nuk ka reaguar ende mbi këtë vendim, por marrëdhëniet mes dy vendeve janë të tensionuara prej kohësh, e Vjena e ka kritikuar hapur Turqinë për reagimin e ashpër pas tentativës për grusht shteti. Përpos kësaj, Austria nuk ka ngurruar të dalë hapur në mbështetje të ngrirjes së negociatave të saj të anëtarësimit. Në muajin mars, Austria ia ndaloi presidentit Recep Tayyip Erdogan të bërit fushatë në territorin e saj, për referendumin që do të zgjeronte pushtetin e presidentit. Javën që shkoi, për arsye të ngjashme me ato të cituara në rastin e Zeybekci, Holanda doli me deklaratën se zëvendëskryeministri turk, Tugrul Turkes, nuk është mirëpritur në atë vend. Erdogan, nga ana tjetër është ankuar se nuk e lejuan të flase publikisht në Gjermani, kur ndodhej tani për samitin e G20-s. Austria dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian kanë kritikuar fuqishëm Turqinë për veprimet e saj pas përpjekjes për grusht shteti, më 15 korrik të vitit të kaluar. Plot 50 mijë vetë kanë përfunduar prapa hekurave dhe mbi 100 mijë të tjerë janë pushuar nga puna, nën akuzat se kanë lidhje me klerikun, Fethullah Gulen, të cilin e akuzon për orkestrimin e grushtit të shtetit. Edhe Gjermania para disa ditësh tha se do të jetë e papërshtatshme, që presidenti turk Recep Tayyip Erdogan t’u adresohet turqve në Gjermani gjatë samitit të G20- që u mbajt të premten dhe të shutnën. Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel tha se Turqia e ka bërë zyrtarisht këtë kërkesë, por kjo nuk është një ide e mirë. “Kjo nuk është një ide e mirë dhe ne kemi justifikim kushtetues për ta refuzuar atë. Në kuadër të G20-s, ne nuk kemi forca të mjaftueshme policie për të garantuar sigurinë, në rast të një fjalimi të Erdoganit para turqve. Vendi ynë është një vend i hapur, por nuk kemi ndërmend të sjellim konfliktet e brendshme politike të vendeve të tjera, brenda nesh”, tha Gabriel. Turqia ishte zemëruar nga refuzimet e Gjermanisë për të lejuar politikanët pro Erdoganit, që të merrnin pjesë në tubime në Gjermani gjatë fushatës elektorale në mars. Erdogani madje përdori tone të ashpra ndaj Gjermanisë, duke e akuzuar qeverinë për sjellje të tipit nazist. Ministrat turq donin të bindnin diasporën turke të votonte pro në referendumin kushtetues të prillit, në të cilin Erdogan mori fuqi shtesë. Marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të tensionuara. Të dyja ato janë partnere në NATO, por Gjermania ka vendosur të tërheqë avionët e saj nga baza ajrore turke e Inçirlikut. Gjermania po ashtu ka paralajmëruar Turqinë se, agjentët turq të sigurisë që u akuzuan për dhunë në Uashington muajin e kaluar, të mos shoqërojnë presidentin Erdogan në Hamburg.