Trump kërkon rishikimin e sistemit Obamacare
https://parstoday.ir/sq/news/world-i56036-trump_kërkon_rishikimin_e_sistemit_obamacare
Senati i kontrolluar nga republikanët do të bëjë një tjetër përpjekje për të shfuqizuar ligjin për kujdesin shëndetësor të administratës së ish-presidentit Obama, në përpjekje për të realizuar një nga premtimet kryesore të Presidentit Trump, gjatë fushatës.
(last modified 2026-06-18T18:22:28+00:00 )
Korrik 25, 2017 03:06 Europe/Tirane
  • Trump kërkon rishikimin e sistemit Obamacare

Senati i kontrolluar nga republikanët do të bëjë një tjetër përpjekje për të shfuqizuar ligjin për kujdesin shëndetësor të administratës së ish-presidentit Obama, në përpjekje për të realizuar një nga premtimet kryesore të Presidentit Trump, gjatë fushatës.

Ndërkohë që fati i reformës shëndetësore është i pasigurt, përkrahësit e zotit Trump, kundërshtarët dhe analistët po përpiqen të parashikojnë se çfarë do të ndodhë me programin e tij ambicioz të politikave të brendshme. Protestat kundër planit republikan për kujdes shëndetësor vazhduan, ndërsa senatorët republikanë shkuan në Shtëpinë e Bardhë, ku Presidenti Trump bëri një apel të ri: “Për shtatë vjet i premtuat popullit amerikan se do ta shfuqizonit Obamacare. Njerëzit po vuajnë. Mosveprimi nuk është alternativë.” Në një moment, zoti Trump la të kuptohej se mund të ketë ardhur koha që Obamacare thjesht të lejohet të dështojë. Përpjekja e ardhshme republikane ka si synim vetëm shfuqizimin e ligjit, diçka që demokratët si senatori Chuck Schumer e kundërshtojnë. Zhgënjimi me kujdesin shëndetësor është një dështim politik për presidentin, thotë Molly Reynolds. “Veçanërisht për një president që e përqendroi një pjesë të konsiderueshme të fushatës tek fitorja, kjo është një humbje e thellë për të”. Republikanët mbeten të ndarë për mënyrën e zëvendësimit të Obamacare. Disa konservatorë thonë se plani nuk e ndryshon sa duhet ligjin Obamacare, ndërsa disa republikanë të moderuar janë të shqetësuar se mbi 20 milionë amerikanë mund të humbin kujdesin shëndetësor.