Erdogan akuza për spiunazh qeverisë gjermane
Turqia i përmbahet kursit të saj të ashpër ndaj Berlinit. Gati tri javë pas arrestimit të aktivistit gjerman të të drejtave të njeriut Steudtner, kreu i shtetit Erdogan ngre tani akuza për spiunazh ndaj qeverisë gjermane.
Rexhep Tajip Erdogan u prononcua në grupin parlamentar të partisë së tij AKP në Ankara. Në fjalën e tij presidenti turk pretendoi, ndër të tjera, se aktivisti gjerman i të drejtave të njeriut Peter Steudtner ka planifikuar një kryengritje në Turqi dhe se ndodhet me të drejtë në arrest hetimor. Ai kritikoi, që po shkaktohet një krizë diplomatike, kur në Turqi arrestohen njerëz për aktiviteti spiunazhi, të cilët kanë pasur synim të krijojnë kaos shoqëror. Qeveria gjermane ia ka refuzuar Erdoganit dhe ministrave të tij daljet publike në Gjermani, por “agjentët e saj vijnë në Gjermani mblidhen nëpër hotele dhe përçajnë vendin tim.” Turqia e akuzon Gjermaninë, se mbron militantët kurdë dhe të majtët si dhe personat, që kanë qenë të involvuar në puçin e dështuar. Ndaj deklarimit të qeverisë gjermane, se për shkak të arrestimit të Steudtner-it do të shqyrtojë mundësinë e sanksioneve ndaj Turqisë, Erdogan u kundërpërgjigj, se Turqia nuk lejon të frikësohet përmes bllokadave tregtare. Gjermania duhet të marrë parasysh, se “do t’i duhet vet të paguajë një çmim të lartë”. Deri tani Ministria e Jashtme gjermane i ka ashpërsuar paralajmërimet ndaj shtetasve gjermane për udhëtimet në Turqi për shkak të gjendjes së sigurisë. Erdogan bëri gjithashtu të ditur, se “ata, që në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore kanë kryer masakrat më të përgjakshme dhe më djallëzore, nuk duhet të na japin ne leksione për humanizmin.”