Dështimi i Trump në çështjen e sistemit shëndetësor Obamacare
Presidenti Donald Trump duket se është i vendosur për të shfuqizuar planin “Obamacare” për Shëndetësinë, ndërsa i ka bërë thirrje republikanëve të senatit që të mbështesin një mocion që edhe pse nuk u miratua rihapi edhe njëherë debatet mbi këtë çështje.
Ndërsa e quajti planin e paraardhësit të tij një makth për vendin, Trump kërkoi votën e anëtarëve të partisë së tij, duke u shprehur se administrata ka ndërmend që t’a mbajë premtimin më madhor që i bërë qytetarëve gjatë fushatës elektorale. Pavarësisht se në plan të parë republikanët duket se nuk i kanë shifrat e nevojshme për të zhbërë planin për kujdesin shëndetësor ‘Obamacare’, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërkuar unitet në radhët e tyre me qëllim që të miratohet paketa e tij zëvendësuese. Thirrja e liderit të Uashingtonit erdhi pak orë përpara se Senati të zhvillojë një tjetër votim, ku anëtarët e dhomës së lartë të Kongresit amerikan do të përcaktojnë nëse do të rihapet ose jo debati mbi këtë çështje. Në fjalën e tij, u shpreh se plani i Obamës për shëndetësinë është një makth i vërtetë dhe se ka nevojë të ndryshohet për të mirën e vendit. Senati amerikan ka votuar për të nisur debatin për një ligj të ri republikan për kujdesin shëndetësor, një hap i rëndësishëm ky për përpjekjet e presidentit Donald Trump për të rrëzuar ligjin e nënshkruar nga paraardhësi i tij, që njihet si “Obamacare”. Në një votim me rezultat të ngushtë, disa republikanë që më herët kishin kundërshtuar disa aspekte të planit, ndryshuan mendje në minutë të fundit. Përpjekjet e mëparshme për të rrëzuar “Obamacare” u duk sikur dështuan javët e fundit për shkak të ndasive brenda vetë partisë republikane. Presidenti Trump, e kishte rrëzimin dhe zëvendësimin e “Obamacare”, një prej premtimeve kyçe të fushatës. Para votimit, ai kishte paralajmëruar senatorët e partisë së tij për pasoja nëse nuk do ti miratonin masat. Partia republikane, që kishte nevojë për shumicën në mënyrë që mocioni të kalonte, siguroi 51 vota, kjo edhe pasi zëvendëspresidenti Mike Pence bëri një përpjekje të fundit për të kaluar legjislacionin. Senatori John McCain, që është diagnostikuar së fundmi me një tumor agresiv në tru, u kthye po ashtu në kongres për të dhënë votën e tij pro, i pritur atje me ovacione. Sidoqoftë Senati amerikan votoi kundër projektligjit të prezantuar nga republikanët, për shfuqizimin e pjesës më të madhe të asaj që njihet si 'Obamacare', pa garantuar zëvendësimin e saj me një tjetër. 45 senatorë ishin pro, ndërsa 55 votuan kundër propozimit, mes të cilëve, edhe 7 republikanë. Gjithnjë e më shumë republikanët janë të shqetësuar se shfuqizimi i ligjit të deritanishëm, pa e zëvendësuar atë, do të bënte që shumë amerikanë të humbisnin sigurimet shëndetësore, prandaj kjo qasje duket se nuk ka mbështetje të mjaftueshme në Senat. Të martën, ligjvënësit hodhën poshtë një variant të hartuar nga udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell. Varianti në fjalë parashikonte dhënien fund të masave për zgjerimin e programit Medicaid, që garanton sigurimin shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulta.