Përshkallëzohen kërcënimet verbale të Trump kundër Koresë së Veriut
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar menjëherë pas raportit të publikuar nga “Washington Post”, duke kërcënuar se Koreja e Veriut “do të përballet me zjarr dhe tërbim” nëse guxon të kërcënojë Shtetet e Bashkuara.
Raporti i “Washington Post”, duke cituar zyrtarë amerikanë të inteligjencës, njoftonte se Peniani ka prodhuar tashmë një kokë të vogël bërthamore, mjaftueshëm sa për t’u futur në raketat balistike ndërkontinentale që zotëron vendi i izoluar komunist. Kjo do të thotë se Koreja e Veriut po zhvillon armë bërthamore të afta për të goditur Shtetet e Bashkuara, shumë më shpejt nga sa pritej. Kombet e Bashkuara miratuan së fundi sanksione më të ashpra ekonomike kundër vendit në fjalë. Këshilli i Sigurimit ra dakord me vota unanime të ndalonte eksportet koreano-veriore dhe të kufizonte investimet, duke shkaktuar irritim nga Koreja e Veriut si dhe një angazhim se “do ta bëjë Amerikën të paguajë çmimin”. Retorika e ashpër mes dy udhëheqësve u intensifikua pasi Peniani testoi dy raketa balistike ndërkontinentale në korrik, duke pretenduar se tashmë i zotëron kapacitetet dhe aftësitë për të goditur Amerikën. Trump u tha reporterëve këtë të martë se “Koreja e Veriut më mirë të mos vazhdojë më me kërcënimet ndaj SHBA-ve. Ajo do të përballet me zjarr dhe tërbim, sikurse bota nuk e ka parë kurrë më parë”. Media shtetërore e Penianit, KCNA citoi të mërkurën Gjeneralin Kim Rak Gyom, sipas të cilit, Peniani është “gati të ndërmarrë" një veprim ushtarak që ka në shënjestër territorin amerikan në Paqësorin Perëndimor, ku janë stacionuar një sasi e konsiderueshme forcash ajrore dhe detare të SHBA-së. Kim, i cili komandon Forcën Strategjike të Ushtrisë Popullore të Koresë, tha se Veriu do të finalizojë një plan nga mesi i gushtit për të hedhur katër raketa me rreze të mesme, të njohura si Hëasong-12 në drejtim të ishullit. Sipas tij, pas kalimit mbi Japoni, raketat do të binin në ne det rreth 30 km larg Guamit, nëse plani do të aprovohet nga Kim Jong Un. Regjimi komunist denoncoi paralajmërimin e Presidentit Donald Trump se do të reagonte me zjarr e furi dhe tha se lideri amerikan po vepronte në mënyrë të paarsyeshme. Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, James Mattis i bëri një kërcënimin të ashpër Koresë së Veriut, duke thënë se regjimi duhet të heqë dorë nga çdo akt që do të "çonte në fundin e regjimit dhe shkatërrimin e popullit”. Mattis tha se pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së për një zgjidhje diplomatike, fuqia e kombinuar ushtarake e Amerikës dhe e aleatëve të saj është më e madhja në botë. Të mërkurën, Presidenti Donald Trump deklaroi se arsenali bërthamor i SHBA-së “është shumë më i fortë dhe më i fuqishëm se kurrë më parë''. Ai i bëri komentet ndërkohë që Sekretari i tij i Shtetit, Rex Tillerson u përpoq të zbuste krizën rreth Koresë së Veriut. Rreziku i një konflikti ushtarak mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Veriut po bëhet gjithnjë e më konkret. Analistë mendojnë se qoftë edhe një goditje e kufizuar amerikane kundër Penianit do të provokonte sulme vdekjeprurëse, që do të mund të përshkallëzoheshin shpejt në një luftë të gjerë bërthamore. E para që do të goditej nga një sulm me artileri e ndoshta edhe armë kimike, sipas tyre, do të ishte Koreja e Jugut. Më pas, konlikti do të përshkallëzohej duke tërhequr në luftime mbi 28 mijë trupat amerikane të stacionuara në jug. Në skenarin më të mirë, një goditje e kufizuar e Shteteve të Bashkuara ndaj një baze raketash ose ndaj një objekti bërthamor nuk do të dëmtonte seriozisht aftësitë e Koresë së Veriut, por mund të bindte udhëheqësin e vendit, Kim Jong Un, të kërkojë dialog në vend që të rrezikojë hyrjen në një luftë që ai nuk do të mund ta fitonte. "Nëse ruan durimin dhe përpiqet të dalë nga kjo situatë përmes bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, duke përdorur Kinën dhe Rusinë, ai do të mund të mbijetonte", thotë analisti koreanojugor Shin In-Kyun.