Trump kërcënon me grisjen e marrëveshjes tregtare NEFTA
Presidenti amerikan Donald Trump, ka kërcënuar me grisjen e marrëveshjes tregtare NEFTA.
Në një mesazh të tij në Twitter, presidenti amerikan ka thënë se procesi i bisedimeve me Meksikën dhe Kanadanë është tepër i vështirë. Presidenti amerikan, Donald Trump, u është drejtuar homologëve të tij meksikan dhe kanadez duke thënë se do të tërheq njëanshëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja e përbashkët tregtare, pasi negociatat për Marrëveshjen e Amerikës Veriore për Tregti të Lirë (NEFTA) janë tepër të vështira. Trump thirri presidentin meksikan Enrique Penu Nieta dhe kryeministrin kanadez Justin Trudeau dhe në bisedimet të cilat Shtëpia e Bardhë i përshkroi si “të vështira dhe produktive”, liderët u pajtuan që sa më parë të vazhdojnë negociatat në pajtim me kërkesat e brendshme nacionale. Është privilegj të sjellim NEFTA-n deri në fazën në të cilën do ta përmirësojmë përmes negociatave. Është nder që u dakordova me presidentin Nieto dhe kryeministrin Trudeau dhe besoj se rezultati përfundimtar do të bëjë të tre vendet më të fuqishme dhe më të mira”, ka thënë më herët Trump, i cili tashmë në Twitter ka shprehur opinion tjetër. Presidenti Donald Trump e ka quajtur Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NEFTA), “marrëveshjen më të keqe të arritur ndonjëherë” dhe ka premtuar rinegocimin ose anulimin e saj. Mbështetësit e marrëveshjes NEFTA thonë se ajo trefishoi volumin e tregtisë së Shteteve të Bashkuara me Kanadanë dhe Meksikën. Kanadaja dhe Meksika janë dy partnerë kryesorë tregtare të Amerikës, Kanadaja, që renditet e para dhe Meksika e treta. Kundërshtarët e saj thonë se marrëveshja largoi një valë vendesh pune nga SHBA-ja drejt Meksikës, ku kompanitë përfituan nga niveli më i ulët i pagave. Ekonomistët thonë se NEFTA pati më pak ndikim se sa premtuan mbështetësit apo se sa iu frikësuan kundërshtarët, pasi tregtia në Amerikën e Veriut është vetëm një pjesë e vogël e ekonomisë së Shteteve të Bashkuara. Marrëveshja hyri në fuqi në vitin 1994 dhe uli tarifat për shumicën e mallrave të tregtuara ndërmjet të tre vendeve, si dhe krijoi mekanizmin për të eliminuar pengesat rregullatore ndaj tregtisë. Marrëveshja u përqendrua tek bujqësia, tekstilet dhe prodhimi i automobilëve, si dhe u përpoq të mbronte pronësinë intelektuale dhe të krijonte mundësitë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Marrëveshje të tjera dytësore do të zbatonin parametra mbrojtëse për sektorin e punës dhe mbrojtjen e mjedisit. Ekonomistët thonë se marrëveshjet tregtare shpesh janë jopopullore politikisht, pasi humbjet e vendeve të punës përqendrohen në zonat dhe qytetet industriale, ku të prekurit flasin haptazi kundër saj. Përfitimi nga këto marrëveshje mund të jetë në tërësi më i madh se sa humbjet, por përfitimet shpërndahen më gjerë në ekonomi, duke qenë më të vështira për t’u pikasur dhe më pak të përdorshme në argumentet politike. Ndërsa Uashingtoni mund të njoftojë tërheqjen nga marrëveshja, por ka gjasa që administrata Trump të kërkojë vendosje rregulloresh ku do të parashikohet që më shumë pjesë këmbimi të prodhohen në vendet anëtare. Një tjetër mundësi do të ishte lejimi i më shumë mallrave nga SHBA-ja drejt Kanadasë dhe Meksikës, pa taksa dhe dokumentacion shoqërues. Një përqasje e tillë e debatueshme do të ndryshonte mënyrën se si mblidhen taksat e vlerës së shtuar nga eksportet amerikane.