Trump: Të gjitha opsionet mbi tryezë
Donald Trump reagoi pas lëshimit të raketës koreano-veriore mbi Japoni, që bëri të bien sërish kambanat e luftës.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk e përjashtoi mundësinë e një veprimi ushtarak. “Bota e dëgjoi fort dhe qartë mesazhin e fundit të Koresë së Veriut. Ky regjim e ka sinjalizuar tashmë përbuzjen për fqinjët e tij, për të gjithë pjesëtarët e Kombeve të Bashkuara dhe për standardet minimale të një sjelljeje ndërkombëtare të pranueshme. Veprimet kërcënuese dhe destabilizuese vetëm sa e rrisin izolimin e këtij vendi, në rajon dhe në botë. Të gjitha opsionet janë në tryezë”, tha Trump. Lëshimi u konsiderua nga kryeministri japonez, Shinzo Abe, si kërcënim i paprecedentë ndaj vendit të tij. Raketa e hedhur orët e para të mëngjesit fluturoi mbi ishullin e Hokkaidos, përpara se të binte në det. Besohet se është fjala për një raketë mjaftueshëm të fuqishme sa për të bartur një kokë me mbushje bërthamore. Verifikimet fillestare tregojnë se ajo ka fluturuar për më shumë se 2.700 km, e ka mbërritur lartësinë 550 km, kjo më e ulët se në testet e mëparshme, për të rënë më pas në veri të Paqësorit, ku është thyer në 3 pjesë. Autoritetet japoneze nuk bënë asnjë përpjekje për ta rrëzuar, por banorët e Hokkaidos u këshilluan të strehoheshin në ndërtesa sa më të qëndrueshme, apo bodrume.