Protesta kundër politikave të Trump mbi emigracionin
Kundërshtarë të politikave emigruese të presidentit amerikan Donald Trump, janë mbledhur në Nju Jork për të protestuar kundër tij.
Protesta ka ardhur pasi Donald Trump me vendimet e tij ka zgjeruar armatimin për forcat e rendit dhe të policisë që siç e quajti janë të nevojshme për parandalimin e krimit dhe emigracionit të jashtëligjshëm. Presidenti Donald Trump ka rikthyer skemën për armatimin e policisë amerikane, duke përmbysur sërish një politikë të administratës Obama. Me urdhrin e ri ekzekutiv, Trump lejon armatimin ushtarak të policisë, me qëllim rritjen e sigurisë publike. Por vendimi i ri i presidentit është pritur me kritika nga vetë republikanët dhe grupet e të drejtave. Presidenti amerikan Donald Trump ka hequr kufizimet e vendosura nga paraardhësi i tij Barack Obama për transferimin e pajisjeve ushtarake shtesë tek policia. Një urdhër ekzekutiv i presidentit i siguron tashmë policisë mjete si helmetat anti-plumb dhe automjetet e blinduara. Sipas Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions, qëllimi i këtij urdhri është rritja e sigurisë publike. Pas trazirave në Ferguson, Mizuri, në gusht të vitit 2014, Obama ndaloi ushtrinë që t’i dorëzonte policisë disa lloje të pajisjeve ushtarake. Ndalimi i tij vinte pas kritikave se policia ishte tepër e armatosur gjatë momentit kur u përball me protestuesit në Ferguson, ku një adoleshent afro-amerikan i paarmatosur u vra nga një oficer policie. Ish-presidenti shprehu shqetësim për reagimin e publikut ndaj imazheve të policisë së armatosur në rrugë. Ai argumentonte se policia duhej të perceptohej si një pjesë e komunitetit dhe jo si forcë pushtuese.