Muri i Donald Trump do të testohet
Katër kompani janë përzgjedhur për ndërtimin e katër prototipëve të murit polemizues të Donald Trump në kufirin me Meksikën.Këto prototipe do të jenë prej betoni, 9 metra të gjata e po kaq të larta dhe do të ndërtohen gjatë muajve në vijim.
Zyrtarët kompetentë do të shpenzojnë pas kësaj deri në 2 muaj kohë për të testuar fortësinë e mureve dhe rezistencën e tyre ndaj goditjeve me mjete të lehta. Kontratat e firmosura vlejnë deri në 500,000 dollarë secila. Ngritja e një muri që të zgjatet në të gjithë kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara ishte njëri prej zotimeve më të rëndësishme të miliarderit njujorkez gjatë fushatës presidenciale të 2016-s.Prototipet, sipas zv.shefit të Mbrojtjes Kufitare dhe Doganore në SHBA, Ronald Vitiello do të ndihmojnë në përmirësimin e standardeve të strukturës aktuale ekzistuese. “Testimi do të marrë në shqyrtim elemente si përshkueshmëria e murit, rezistenca ndaj goditjeve dhe mundësia e kapërcimit. Nuk do të bëhen prova balistike, të jemi të qartë. Thjesht do të tentohet çarja e tij me mjete dore për të parë sesa i qëndrueshëm është”, tha Vitiello.