Putin kërkon zgjidhje politike të krizës me Korenë e Veriut
Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë thirrje për angazhim me Korenë e Veriut, duke përsëritur se sanksionet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kundër Penianit nuk do të zgjidhin tensionet e intensifikuara me vendin komunist.
"Pa mjete politike dhe diplomatike, është e pamundur të përparosh në situatën aktuale, për të qenë më të saktë, është fare e pamundur ", tha Putin të mërkurën në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij koreano-jugor, Moon Jae-in, në Rusi. "Sot, si kurrë më parë, të gjithë duhet të tregojnë qetësi dhe të shmangin hapat që çojnë në një përshkallëzim të tensioneve", tha presidenti rus. "Nuk ia vlen të nxitësh tensione dhe të shtysh Korenë e Veriut në një qoshe". Duke folur në Kinë të martën, Putin kishte kritikuar testin e fundit bërthamor të Penianit si një veprim provokativ, ndërsa paralajmëroi për një katastrofë globale nëse nuk arrihet një zgjidhje diplomatike lidhur me çështjen. Ai gjithashtu theksoi se Moska i konsideronte si "të padobishme dhe joefektive" sanksionet e reja ndaj Koresë së Veriut. Presidenti i Koresë së Jugut gjithashtu tha të mërkurën se ai dhe Putin mendonin se zgjidhja e çështjes së Koresë së Veriut ishte një përparësi kryesore për zhvillimin në Azinë Lindore. "Është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër zgjidhja e çështjes së aktiviteteve bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut, të cilat janë sfidat më urgjente dhe më të rënda me të cilat përballet ky rajon" tha Moon. Koreja e Veriut ka zgjeruar programet e saj raketore dhe bërthamore, duke përhapur zemërim dhe shqetësim në mbarë botën. Gjithashtu, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka porositur sot kryeministrin e Japonisë Shinzo Abe, se zgjidhja e çështjes së Koresë Veriore duhet të bëhet përmes rrugës diplomatike dhe politike. “Duke folur me kryeministrin japonez, konfirmova qëndrimin tonë dhe thashë se situata në Gadishullin Korean, sidomos kur bëhet fjalë për çështjen nukleare, mund të zgjidhet përmes mjeteve politike dhe diplomatike”, ka thënë Putin pas përfundimit të forumit EEF në Vladivostok të Rusisë. Japonia dhe Koreja e Jugut po përpiqen të përfshijnë Kinën e Rusinë në rezolutën e sanksioneve të ashpra. Koreja e Jugut dhe Japonia kanë bërë të ditur se angazhohen për ashpërsimin e sanksioneve kundër vendit Penianit, si edhe përfshirjen e Kinës dhe Rusisë në një embargo të naftës kundër këtij vendi. Kryeministri japonez, Shinzo Abe është shprehur se ka rënë dakord me presidentin koreanojugor, Moon Jae In, se nuk është momenti për dialog me Korenë e Veriut. "Ne duhet të rrisim presionin dhe të shtojmë sanksionet", tha Moon pas bisedimeve me Abe. Synimi i palës japoneze dhe koreanojugore është bindja e Kinës dhe Rusisë të jenë pjesë e një rezolute më të ashpër në Këshillin e Sigurimit. Pas testit të fundit atomik të Koresë së Veriut, edhe Bashkimi Europian ka deklaruar se do të ashpërsojë sanksionet kundër këtij vendi. Sipas të dhënave të diplomatëve, sanksionet e fundit synojnë vështirësimin e devizave të mëtejshme për Korenë e Veriut. Ato mund të prekin punëtorët koreanveriorë jashtë dhe pronarët e anijeve. Po ashtu po mendohet të vendosen në listën e personave që nuk lejohen të hyjnë në BE, anëtarë të tjerë të lartë të nomenklaturës komuniste, por Kim Jon Un nuk ndodhet në këtë listë.