Erdogan: “Gjykatat amerikane kurrë nuk mund t’a gjykojnë vendin tim”
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka hedhur poshtë gjyqin e planifikuar nga një gjykatë amerikane ndaj një ekzekutivi të bankës turke, i cili është akuzuar për shmangien e sanksioneve të Uashingtonit kundër Iranit, duke thënë se gjykatat në Shtetet e Bashkuara nuk mund ta nxjerrin Turqinë në gjyq.
Gjykatat e SHBA "kurrë nuk mund t’a gjykojnë vendin tim", tha Erdogan të shtunën në një miting me anëtar të Partisë së tij “Drejtësi dhe Zhvillim” (AKP) në provincën verilindore Kars. Tashmë marrëdhëniet e tensionuara midis Ankarasë dhe Uashingtonit janë përkeqësuar javët e fundit pasi biznesmeni turk Reza Zarrab dha një dëshmi në një gjykatë të SHBA të mërkurën, duke implikuar Erdoganin në një skemë të pretenduar për të anashkaluar sanksionet kundër Iranit. Zarrab, një qytetar turk me prejardhje iraniane, tha në një gjykatë në Nju Jork të mërkurën se ai në vitin 2012 ka dëgjuar nga ministri i atëhershëm i ekonomisë i Turqisë, Zafer Caglayan, se Erdogan, i cili ishte kryeministër në atë kohë, kishte udhëzuar personalisht Ziraat Bank dhe VakifBank për të marrë pjesë në skemën e dyshuar se i ndihmon Iranit të shmangë sanksionet e Shteteve të Bashkuara. Biznesmeni gjithashtu vuri në dukje se ai kishte korruptuar Caglayan dhe ish-administratorin e përgjithshëm të Halkbank, Suleyman Aslan, për të lehtësuar marrëveshjet tregtare dhe financiare me Republikën Islamike. Prokurorët e SHBA kanë akuzuar gjithsej nëntë persona se kanë komplotuar për të ndihmuar Iranin t'i shmanget sanksioneve, por vetëm Zarrab dhe Mehmet Hakan Atilla, një ish-zëvendësshef i Halkbank, janë arrestuar. Erdogan, i cili e ka hedhur poshtë çështjen si një përpjekje të motivuar politikisht për të rrëzuar qeverinë turke, tha se Turqia nuk kishte shkelur sanksionet e SHBA kundër Iranit dhe "se ka bërë gjënë e duhur". Vakifbank gjithashtu tha se ajo kurrë nuk kishte pasur ndonjë interes apo përfshirje në asnjë nga proceset e përmendura në gjyqin e Zarrab. Turqia e ka hedhur poshtë këtë dosje si një përpjekje për të minuar Turqinë dhe ekonominë e saj dhe ka thënë më parë se kjo çështje ishte një "komplot i qartë" nga rrjeti amerikan i klerikut opozitar, Fethullah Gulen, të cilin qeveria e Ankarasë e akuzon për organizimin grusht shtetit të dështuar të korrikut 2016. Agjencia e lajmeve Anadolu citoi Ministrin e Jashtëm Mevlut Çavushoglu të thoshte të shtunën se pasuesit e Gulenit kishin infiltruar në gjyqësinë e SHBA, në Kongres dhe në institucionet e tjera shtetërore. Turqia është e zemëruar nga refuzimi i Shteteve të Bashkuara për të ekstraduar Gulenin. Uashingtoni thotë se duhet të ketë dëshmi të mjaftueshme që mbështesin pohimin se kleriku ishte i përfshirë në grushtin ushtarak në Turqi. Gjithashtu, në një goditje të mëtejshme ndaj lidhjeve të Ankarasë dhe Uashingtonit, kryeprokurori i Turqisë lëshoi të premten një urdhër arresti për ish oficerin e CIA-s, Graham Fuller, lidhur me akuzat se ai ishte përfshirë në përpjekjen e grushtit të shtetit. Prokurori akuzoi Fuller, ish zëvendës-kryetar i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës të SHBA, për "përpjekje për të përmbysur" qeverinë e Turqisë dhe për "marrjen e informacionit sekret të shtetit".