Rusia fuqizon praninë ushtarake në Siri
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, deklaroi se Rusia ka filluar të krijojë një prani të përhershme në dy bazat e saj ushtarake në Siri.
Shoigu tha të martën se punët tashmë kishin filluar për zgjerimin e pranisë ushtarake të Rusisë në Tartus të Sirisë, një bazë detare dhe Hmeimim, një bazë ajrore. "Javën e kaluar Kryekomandanti (Presidenti Vladimir Putin) miratoi strukturën dhe bazat në Tartus dhe në Hmeimim. Ne kemi filluar të formojmë një prani të përhershme atje ", tha Shoigu. Sipas agjencisë së lajmeve ISNA, njoftimi erdhi pasi parlamenti rus po diskuton një marrëveshje me Damaskun për të rritur përfshirjen ushtarake të Rusisë në Siri. Sipas marrëveshjes së nënshkruar më 18 janar, Siria ka rënë dakord të lejojë hyrjen e anijeve luftarake ruse në ujërat dhe portet siriane. Viktor Bondarev, kreu i komitetit të lartë të sigurisë dhe mbrojtjes, tha të martën se Moska do të lejohet gjithashtu të zgjerojë Tartusin, një strukturë të vogël detare në Mesdhe, e cila është përdorur nga rusët që nga koha e Bashkimit Sovjetik. Si pjesë e marrëveshjes, e cila do të zgjasë 49 vjet dhe mund të zgjatet më tej, Rusia do të lejohet të mbajë 11 anije luftarake në Tartus, duke përfshirë edhe anijet bërthamore. Gjithashtu Forca ajrore e Rusisë mund të përdorë edhe bazën ajrore Hmeimim për një kohë të pacaktuar.