Shqiptaro-amerikani komandant i ISIS-it
“The Atlantic” ka botuar një speciale të gjatë për djalin e pronarit shqiptar të një picerie në New Jersey që është vënë në krye të ISIS në Siri dhe Irak.
Ka pasur edhe raste të mëparshme shqiptarësh të përfshirë në akte terroriste dhe në radhët e ISIS, po asnjë nuk ka arritur në nivelin e Zulfi Hoxhës. Hoxha njihet tani si një nga komandantët kryesorë të ISIS dhe një nga fytyrat e përpjekjeve të grupit për rekrutim. Sipas të dhënave federale, ai u largua nga SHBA në 6 prill 2015 dhe katër ditë më vonë ndodhej në një kamp stërvitor të ISIS. Për gjashtë muaj sipas disa zyrtarëve të rendit dhe sigurisë, ai ishte personazh në një video të tmerrshme. Këto rrjete janë të rëndësishme për rekrutimin e të rinjve për t’u dërguar në Irak e Siri. Disa prej tyre, si Zulfiu janë lidhur nëpërmjet internetit dhe pastaj, me anë të kontakteve të reja, lidhen me ndihmës të ISIS që i sigurojnë udhëtimin drejt Sirisë. Sot, ISIS është duke humbur gjithnjë e më shumë terren dhe pyetja që vijon është ku do të shkojnë këta njerëz që po humbin luftën? Në maj 2017, zyra e medias e ISIS-it në provincën Ninva në Irak lëshoi një video 45-minutëshe me titullin “Ne do t’i kthejmë me siguri në rrugët tona”. Ashtu si shumë video nga ISIS, edhe në këtë shfaqen disa luftëtarë vullnetarë nga vende të ndryshme. Një nga njerëzit e maskuar është një amerikan që e quan veten “Abu Hamza al-Amriki”. Duke folur me theks amerikan, ai kritikon Amerikën dhe u bën thirrje besimtarëve myslimanë në SHBA që të bëjnë sulme brenda vendit: “A nuk jeni në gjendje që t’ia ngulni thikën një kafiri? Ta hidhni poshtë nga një ndërtesë? Ta shtypni me makinë? Çlirojeni veten nga zjarri i ferrit duke vrarë një kafir”. Pas një hetimi dyvjeçar të kuadrove amerikanë që kanë udhëtuar për në Siri dhe Irak, agjentët federalë më në fund kanë zbuluar se Abu Hamza al-Amriki i videos është Zulfi Hoxha. Në kohën e regjistrimit të videos Hoxha ishte rreth 25-vjeç. Duke qenë se ka shkuar në Siri më pak se tre vjet më parë, ngjitja e tij në krye të ISIS ka qenë shumë e shpejtë. Nuk dihet se ku ndodhet ai sot, por, nisur nga videoja e majit 2017, duhet të ketë qenë në atë kohë në Irakun veriperëndimor. Kjo është hera e parë që agjencitë amerikane të zbulimit arrijnë të gjejnë identitetin e një prej amerikanëve që janë shfaqur në videoklipet e propagandës së ISIS-it. Edhe kur zbulohen emra nuk është politikë e qeverisë amerikane që të bëjë publike emrat e luftëtarëve nga SHBA. Por, Zulfi Hoxha është rast më ndryshe për shkak të statusit të lartë që ka si komandant në ISIS.