Rusia e shqetësuar për operacionin ushtarak të Turqisë në Siri
Rusia ka shprehur shqetësim në lidhje me një operacion ushtarak turk në rajonin Afrin të kontrolluar nga kurdët në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë, duke u bërë thirrje palëve të ushtrojnë përmbajtje.
"Moska është e shqetësuar për këtë zhvillim. Ne u bëjmë thirrje palëve që të tregojnë përmbajtje", thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse të publikuar të shtunën. Deklarata erdhi pak pasi Ankaraja nisi një operacion të ri ajror dhe tokësor rreth zonës Afrin në Sirisë veriore për të goditur njësitë mbrojtëse të popullit kurd (YPG), të cilën Ankara e sheh si një organizatë terroriste dhe degën siriane të Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve Kurdë (PKK). Ministria gjithashtu tha se trupat ruse u tërhoqën nga rajoni Afrin "për të parandaluar provokimin potencial dhe për të evituar kërcënimin për jetën dhe mirëqenien e ushtarëve rusë". Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse thuhet se Moska vazhdon të theksojë në qëndrimin e saj për zgjidhjen e krizës siriane bazuar në ruajtjen e integritetit territorial të Sirisë dhe duke respektuar sovranitetin e saj. Ndërkohë, një anëtar i dhomës së sipërme të komitetit të sigurisë të Dumës ruse tha të shtunën se Moska do të mbështeste Sirinë në mënyrë diplomatike dhe do të kërkonte në Kombet e Bashkuara që Turqia të ndalonte operacionin ushtarak në Afrin. "Nuk është vetëm Siria që do të kërkojë që ky operacion të ndalet. Rusia do ta mbështesë këtë kërkesë dhe do t'i japë Sirisë ndihmë diplomatike", citoi agjensia e lajmeve e Rusisë RIA Novosti, deputetin rus Franz Klintsevich.