Vizita e Erdogan në Itali përballet me protesta
Komuniteti kurd ka manifestuar sot në Romë kundër vizitës zyrtare të Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në Itali.
Protesta e tyre është zhvilluar në kështjellën San Angelo jashtë zonës së blinduar nën masa mjaft të larta nën kontrollin e Policisë Italiane për të garantuar sigurinë e vizitës së Presidentit turk. Nën thirrjet "Erdogan Vrasës", "Larg duart nga Kurdistani", "Turqi =Erdogan = autostradë për terroristët", mjaft aktivistë të organizatave joqeveritare italiane në mbrojtje të lirive e të drejtave njerëzorei janë bashkuar kësaj proteste. Një prej manifestuesve ka propozuar duke marrë me vete turmën për të vazhduar protestën në Vatikan, ku po zhvillohej dhe takimi i Erdogan me Papa Françeskun. Ky fakt ka shënuar ndërhyrjen e forcave të rendit që ka pasuar me përleshje trup më trup mes manifestuesve dhe policisë italiane, ku një prej manifestuesve është plagosur lehtë dhe disa janë arrestuar. Nga ana tjetër, në qendër të takimit mes Erdoganit dhe Papa Françeskut kanë qenë situata në Lindjen e Mesme, çështja e Palestinës, e Jeruzalemit, gjendja në Siri, Liban Irak si dhe problematikat e lidhura me krizën e emigracionit dhe ndihmat humanitare. Pas takimit në Vatikan Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan është takuar në selinë e Presidencës Italiane me Presidentin e Republikës, Sergio Mattarella. Në takim mori pjesë dhe ministri i Jashtëm italian Angelino Alfano. "Italia është një partner strategjik i Turqisë, Italia është partneri i tretë ekonomik i Turqisë" ka deklaruar Presidenti turk. Në qendër të takimit dypalësh marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe tema të rëndësishme të politikës ndërkombëtare.