Putin urdhëron ndërprerjen e pjesshme të operacioneve luftarake në Siri
Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar një ndërprerje ditore për qëllime humanitare të luftimeve në enklavën siriane të Ghoutës Lindore.
Urdhri do të nisë të zbatohet të martën dhe përfshin edhe krijimin e një korridori humanitar për të lejuar evakuimin e civilëve. Zona e kontrolluar prej terroristëve është vënë nën bombardimet intensive të qeverisë siriane, me mbështetjen ajrore të Rusisë, për më shumë se një javë. Ishte ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ai që shpalli njoftimin, duke thënë se armëpushimi do të hyjë në fuqi nga ora 9 deri në 14 me atë lokale, çdo ditë. Ai shtoi se detaje të mëtejshme për “korridorin humanitar” do të publikohen së shpejti. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara votoi unanimisht për një armëpushim 30-ditor ditën e shtunë. Rezoluta kërkonte që “të gjitha palët të lënë mënjanë armiqësitë pa vonesa”, në mënyrë që të lejonin dërgimin e ndihmave dhe evakuimet me qëllime shëndetësore.