Lavrov: Amerika po trajnon ushtritë evropiane për sulme atomike kundër Rusisë
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për pengimin e përpjekjeve ndërkombëtare të çarmatimit bërthamor duke trajnuar ushtritë evropiane për të përdorur armë bërthamore taktike kundër Rusisë.
Duke folur të mërkurën në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Çarmatimin, Lavrov tha se ushtria amerikane kishte vendosur armë strategjike dhe jo strategjike në të gjithë Evropën dhe po i përdorte ato në ushtrime të përbashkëta ushtarake me vendet e tjera evropiane, përfshirë anëtarët jo-bërthamorë të aleancës ushtarake të NATO-s. "Duhet të jetë e qartë për të gjithë se ushtria amerikane po përgatit vendet evropiane për përdorimin e armëve taktike bërthamore kundër Rusisë," shtoi Lavrov. Ai tha se arsenali bërthamor i SHBA në vendet evropiane ishte "jo vetëm një mbeturinë e Luftës së Ftohtë, por një qëndrim tepër agresiv ndaj Rusisë". Duke rikujtuar se Amerika është vendi i vetëm që ka përdorur armë bërthamore, Lavrov u bëri thirrje popujve evropianë që të kundërshtojnë dislokimin e armëve bërthamore amerikane në Evropë. "Unë shpresoj se qytetarët evropianë do të arrijnë të thonë një " jo" të fortë ndaj vendosjes në territorin e tyre të armëve të shkatërrimit në masë që i përkasin një vendi që i ka përdorur ato dikur kundër popullsisë së Hiroshimas dhe Nagasakit", tha ministri i Jashtëm rus.