Gjermanishtja, kushti i Austrisë për përfitimet e emigrantëve
https://parstoday.ir/sq/news/world-i76680-gjermanishtja_kushti_i_austrisë_për_përfitimet_e_emigrantëve
Koalicioni qeveritar në Austri ka zbuluar planet për shkurtimin e pagesave që përfitojnë emigrantët, përfshi edhe refugjatët, në një lëvizje që synon të frenojë flukse të reja të ardhurish.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
May 29, 2018 06:42 Europe/Tirane
  • Gjermanishtja, kushti i Austrisë për përfitimet e emigrantëve

Koalicioni qeveritar në Austri ka zbuluar planet për shkurtimin e pagesave që përfitojnë emigrantët, përfshi edhe refugjatët, në një lëvizje që synon të frenojë flukse të reja të ardhurish.

Pagesa kryesore e përfitimeve do të jetë jo më e lartë se 563 euro në muaj, por do të rritet deri në barazimin e shumës që përfitojnë austriakët (863 euro) vetëm nëse ata kalojnë testin e gjuhës gjermane. Emigrantëve do t’iu ndalohet gjithashtu të përfitojnë nga një ndihmë e tillë sociale për 5 vitet e para. Kancelari konservator, Sebastian Kurz, i cili bashkëqeveris me ekstremin e djathtë, është zotuar të ndjekë një linjë të ashpër ndaj emigrantëve . "Rregulli fondamental që ne do të prezantojmë është se, gjermanishtja do të jetë elementi kyç që do të zhbllokojë qasjen në përfitimin e plotë minimal”, tha Kurz gjatë një konference për shtyp këtë të hënë. Sipas tij, kjo nënkupton se, ata që tregojnë aftësi të pamjaftueshme mbi gjuhën, nuk do të mund të marrin minimumin e plotë të përfitimit. Ky njoftim e vendos Austrinë në konflikt të hapur me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian, pasi rregullat e BE-së për lirinë e vendosjes kërkojnë që qytetarët e të gjitha vendeve të trajtohen në mënyrë të barabartë.