Trump kërcënon aleatët e NATO-s
(last modified Tue, 03 Jul 2018 17:53:03 GMT )
Korrik 03, 2018 19:53 Europe/Tirane
  • Trump kërcënon aleatët e NATO-s

Presidenti amerikan, Donald Trump u ka dërguar letra liderëve të vendeve aleate të NATO-s, mes të cilëve Gjermanisë, Belgjikës, Norvegjisë dhe Kanadasë, duke kërkuar rritjen e shpenzimeve të tyre për mbrojtjen dhe duke kërcënuar se do të rishikojë praninë ushtarake globale të SHBA nëse ata nuk e bëjnë këtë, thuhet në një raport të “The New York Times”.

Sipas gazetës, letrat janë dërguar muajin e kaluar dhe janë në kohë për samitin e NATO-s që do të mbahet në Belgjikë, javën e ardhshme. Një burim nga Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar ekzistencën e këtyre letrave për CNN, ndërkohë që është shprehur se gjuha e përdorur në to, është shumë e ashpër. Sipas tij, në letra kërkohej rritja e shpenzimeve për mbrojtjen dhe paralajmërohej se SHBA po humbte durimin. Sipas “New York Times”, pjesa më e madhe e letrave drejtuar liderëve të ndryshëm, kishte gjuhë të ngjashme, por ajo drejtuar kancelares gjermane, Angela Merkel, ishte veçanërisht kritike. “Siç e diskutuam gjatë vizitës suaj në prill, ka një frustrim në rritje në SHBA se disa aleatë nuk kanë përmbushur premtimet e tyre”, thuhej në letrën drejtuar Merkel. Mungesa e vazhdueshme e shpenzimeve në mbrojtje, nga ana e Gjermanisë, cenon sigurinë e aleancës dhe përbën precedent për aleatët e tjerë që po ashtu nuk plotësojnë angazhimet e tyre për shpenzime ushtarake, pasi ata ju shohin ju si një model”, shkruan Trump. Më tej, ai lë të kuptohet se SHBA do të rishikojë praninë e saj ushtarake në shkallë globale nëse aleatët e NATO-s nuk rrisin shpenzimet. Trump vazhdimisht i ka kritikuar anëtarët e NATO-s që shpenzojnë më pak se 2% të bruto prodhimit të tyre të brendshëm në mbrojtje. Tensionet midis SHBA-së dhe disa aleatëve të NATO-s janë rritur në prag të samitit të NATO-s që do të mbahet më 11 dhe 12 korrik në Bruksel. Ky samit do të pasohet me një takim midis Trumpit dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në Helsinki, më 16 korrik. Eksperti politik gjerman Christian Viperford thotë se Uashingtoni do të veprojë më vete në të ardhmen, prandaj pritet që rëndësia e aleancës ushtarake të NATO-s, do të reduktohet, kështu që është e nevojshme për Gjermaninë dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian të veprojnë me më shumë fuqi të vetëm dhe të pavarur.

 

Tags