Evropa vazhdon të përballet me problemin e emigracionit
https://parstoday.ir/sq/news/world-i79116-evropa_vazhdon_të_përballet_me_problemin_e_emigracionit
Gjermania, Austria dhe Italia thanë të enjten se do të zhvillojnë bisedime javën e ardhshme për të diskutuar se si ta mbyllin rrugën e Mesdheut që ndjekin dhjetëra mijëra emigrantë nga Afrika për në Evropë.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Korrik 06, 2018 04:36 Europe/Tirane
  • Evropa vazhdon të përballet me problemin e emigracionit

Gjermania, Austria dhe Italia thanë të enjten se do të zhvillojnë bisedime javën e ardhshme për të diskutuar se si ta mbyllin rrugën e Mesdheut që ndjekin dhjetëra mijëra emigrantë nga Afrika për në Evropë.

Italia e quajti situatën urgjente dhe të rrezikshme. Nisma erdhi pasi kancelarja gjermane Angela Merkel ra dakord për ngritjen e qendrave të transitit për emigrantët përgjatë kufirit të Gjermanisë. Përmes këtyre qendrave, emigrantët të cilëve u refuzohet azili mund të kthehen mbrapsht. Vendimi i Kancelares uli tensionet që kërcënonin rënien e koalicionit të saj qeverisës. Por qendrat, të destinuara për të frenuar dhe rregulluar emigracionin nga Afrika dhe Lindja e Mesme, do të varen nga bashkëpunimi i vendeve të tjera të Bashkimit Europian, të cilat nuk duan që emigrantët të grumbullohen në territorin e tyre. Kriza e emigracionit arriti kulmin me një fluks prej më shumë se një milion njerëz në vitin 2015 dhe, ndërsa shifrat vjetore që prej asaj kohe kanë rënë, anëtarët e BE-së nuk janë marrë dot vesh se si ta ndajnë barrën ndërkohë që mbështetja për partitë euroskeptike dhe anti-emigrantëve është rritur. Sipas planit të Gjermanisë për qendrat e migrantëve përgjatë kufirit të saj me Austrinë, emigrantët që kërkojnë hyrjen në Gjermani, por që janë të regjistruar në vende të tjera të BE-së, do të kthehen mbrapsht në atë vend. Kjo i ka bërë austriakët të shqetësohen se forcimi i kontrolleve nga Gjermania do të sjellë rritjen e numrit të emigrantëve në territorin e tyre – një anatemë për koalicionin qeverisës të konservatorëve të së djathtës ekstreme dhe anti-imigrantëve të udhëhequr nga Kancelari Sebastian Kurz. Duke komentuar pas bisedimeve me zotin Kurz të enjten në Vjenë, Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer tha se plani i Berlinit nuk do ta rëndonte Austrinë me njerëz të regjistruar diku tjetër.