Miratohet ekstradimi i Puigdemontit në Spanjë
Gjykata rajonale në Schleswig-Holstein të Gjermanisë, sot ka miratuar ekstradimin në Spanjë të ish-udhëheqësit të Katalonjës, Carles Puigdemont.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës, theksohet se është miratuar ekstradimi i Puigdemontit në bazë të akuzës për shpërdorim të fondeve publike, por kjo përjashton ekstradimin në bazë të akuzës për rebelim, pasi kjo nuk është në përputhje me ligjin gjerman. Ai u arrestua më 25 mars në Gjermaninë veriore, pasi autoritetet spanjolle lëshuan edhe një urdhër evropian për arrestimin e tij lidhur me nxitjen e trazirave, kryengritje dhe shpërdorim të fondeve publike. Puigdemont vitin e kaluar udhëhoqi seancën e Parlamentit të Katalonjës ku deputetët votuan për shpalljen e pavarësisë nga Spanja.