Faza finale e zgjedhjeve europiane 2019, votojnë 21 shtete
https://parstoday.ir/sq/news/world-i88270-faza_finale_e_zgjedhjeve_europiane_2019_votojnë_21_shtete
Zgjedhjet evropiane pritet të kulmojnë në orët në vijim në 21 shtetet e mbetura anëtare.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 26, 2019 12:56 Europe/Tirane
  • Faza finale e zgjedhjeve europiane 2019, votojnë 21 shtete

Zgjedhjet evropiane pritet të kulmojnë në orët në vijim në 21 shtetet e mbetura anëtare.

Pas procesit paraprak në disa vende të BE-së, sondazhet tregojnë se shumë qytetarë i kanë rezistuar tundimit të partive euroskeptike, duke mbështetur grupimet tradicionale përballë atyre populiste.

Beteja me ekstremistët e djathtë do të zhvillohet tanimë edhe më ashpër në ekonomitë më të mëdha të Evropës.

Liderët populistë si italiani Mateo Salvini, francezja Marin Lë Pen apo hungarezi Viktor Orban, apo të ngjashmit e tyre në Gjermani, Austri dhe Poloni shpresojnë të fitojnë sa më shumë poste që të mund të forcojnë zërin rreth çështjeve si emigracioni, nacionalizmi apo burokracia në Bruksel.

Përballë tyre ndodhen socialdemokratët gjermanë të Angela Merkel apo europianisti francez Emanuel Makron, të cilët bëjnë thirrje për unitet.

Në Greqi konservatorët e Kirjakos Micotakis po i shohin zgjedhjet europarlamentare si referendum kundër kryeministrit Aleksis Cipras, dhe nëse mbështetja për opozitën është aq e lartë sa raportohet në medie do të luftohet për të mbajtur zgjedhje të parakohshme.

Rezultatet e zgjedhjeve do të publikohen duke nisur nga orët e mbrëmjes ose të hënën.

Partitë e qendrës së djathtë apo të majtë parashikohet të kontrollojnë sërish Parlamentin Evropian edhe pse me më pak mandate, ndërsa grupimi ultradjathtist mund të rritet më shumë.

Mandati i ligjvënësve aktualë të Parlamentit Evropian skadon në datën 1 korrik, ndërsa 751 pasardhësit e tyre do të ngarkohen në detyrë në Strasburg një ditë më pas.

Në shumë vende të Bashkimit Evropian është tejkaluar përqindja e pjesëmarrjes në votimet e para pesë vitesh. Në Francë sipas vlerësimeve të para, deri në mesditë kanë votuar 19,26 % e zgjedhësve, kumtoi Ministria e Brenshme në Paris. Në vitin 2014 përqindja e votimit deri në mesditë ishte vetëm 15,70%, ndërsa me 2009 rreth 14,8 %.

 

Në Hungari dhe në Sllovaki kanë votuar deri në mesditë madje më shumë votues se në zgjedhjet nacionale. Në Hungari kanë votuar deri në ora 11:00, rreth 17,2 %. Para pesë vitesh në të njëjtën kohë kishin votuar 11,5 %. Ekspertët thonë se në këtë vend janë mobilizuar më së shumti zgjedhësit në zonat rurale.

Në Sllovaki kanë votuar, sipas prognozave të deritasnishme rreth 20%. Kjo është përqindja më e lartë deri tani, krahasuar me të gjitha vendet tjera të BE.

Edh në Rumani është tejkaluar dukshëm niveli i numrit të zgjedhësve që kanë votuar para pesë vitesh. Deri në mesditë kanë votuar atje 19,75% e rumunëve, ndërsa me 2014 ishin në të njëjtën periudhë kohore vetëm 12,4% e zgjedhësve që kishin shfrytëzuar këtë të drejtë. Përqindje më e madhe në votime është shënuar edhe në Letoni, Maltë dhe shumë vende të tjera

Prognozat e para për pjesëmarrje në votimet në Gjermani do të publikohen në 15:30, por sipas sondazheve të deritanishme, edhe në këtë vend janë tejkaluar shifrat e zgjedhjeve të kaluara. Prognozat e para për rezultatet në Gjermani do të publikohen në ora 18, ndërsa në ora 23.00 priten prognozat e para për të gjitha vendet e BE.