Kompromisi Rusi-SHBA për largimin e Iranit nga Siria, qesharak
Rusia i ka hedhur poshtë si qesharake thashethemet për një kompromis me SHBA-në lidhur me tërheqjen e Iranit nga Siria.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse tha se Irani dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë për ndërmjetës për t'u angazhuar në dialog. "Thashethemet se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kishin rënë dakord me Rusinë për tërheqjen e Iranit nga Siria janë qesharake," tha Maria Zakharova. "Sipas këtyre thashethemeve qesharake dhe të pakuptimta, Uashingtoni dhe Tel Avivi i kanë propozuar Rusisë të njohin qeverinë siriane, të kryesuar nga Bashar Asad, në këmbim të tërheqjes së Iranit nga Siria", i tha kanalit tv al-Jazeera zëdhënësja e diplomacisë ruse. "Një dialog midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara kërkon vullnet politik nga ana e tyre. Të dy vendet janë në gjendje të angazhohen në dialog pa asnjë ndërmjetës, "tha ajo.