Vetëm 5% e amerikanëve duan luftë me Iranin
Një sondazh i ri publik ka zbuluar se vetëm pesë për qind e amerikanëve duan që SHBA të shpallë luftë ndaj Iranit, pas tensioneve në rritje midis Teheranit dhe Uashingtonit.
Anketa e kryer nga instituti Hill-HarrisX, e publikuar të martën, tregoi se vetëm pesë për qind e votuesve donin që administrata amerikane të deklaronte luftë të plotë ndaj Republikës Islamike, ndërsa 19 për qind favorizuan një "sulm të kufizuar ushtarak" mbi Iranin. Shumica e votuesve, 58 për qind, thanë se preferonin një reagim jo-ushtarak ndaj rrëzimit të një droni spiun amerikan nga Irani javën e kaluar. 49 për qind e votuesve thanë gjithashtu se donin që Shtetet e Bashkuara të "kërkonin një zgjidhje të negociuar" për armiqësitë e fundit, ndërsa nëntë për qind thanë se Uashingtoni nuk duhet të ndërmarrë asnjë veprim. Anketa e Hill-HarrisX u zhvillua ndërmjet 22 dhe 23 qershorit midis një paneli përfaqësues statistikor prej 1,001 votuesve të regjistruar.