Protesta në Evropë
Mijëra demonstrues marshuan të shtunën anembanë Evropës dhe para Shtëpisë së Bardhë për të kundërshtuar ofensivën e Turqisë ndaj kurdëve në Siri.
Me flamurin kurd në duar, protestuesit dolën me parulla kundër presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump. Disa pankarta e portretizonin presidentin Erdogan me liderin famëkeq të nazistëve dhe të Shtetit Islamik, ndërsa Trumpin, si vrasës serial. "Misioni ynë është t'i japim një mesazh Donald Trump-it për vendimin për t'i dhënë dritën jeshile Turqisë që të vrasë njerëz të pafajshëm. Ne e dimë që ushtria turke po masakron burra, gra dhe fëmijë vetëm për shkak të etnisë dhe identitetit, po kryen një masakër dhe pastrim të vërtetë etnik," deklaroi një ligjvënës i shtetit të Virxhinias para ndërtesës presidenciale në Uashington. Protesta të ngjashme u mbajtën edhe në Paris, Berlin, Strasburg, Budapest, Qipro, Hagë, Bruksel dhe Athinë. Sipas Kombeve të Bashkuara, në më pak se një javë luftime, mbi 100 mijë persona kanë braktisur shtëpitë në zonat siriane të kontrolluara nga kurdët. Nga civilët janë raportuar 50 të vdekur, ndërsa mes luftëtarëve kurdë numri e kalon 80-ën. Presidenti amerikan Trump të shtunën u sugjeroi forcave kurde të heqin dorë nga përballja me turqit pasi nuk kanë as kapacitetet ajrore, as tokësore për t'u kundërpërgjigjur. Raportohet se presidenca amerikane por edhe Bashkimi Europian po planifikojnë sanksione kundër Turqisë, ndërkohë që nga Ankaraja, presidenti Erdogan këmbëngul se operacioni "Burimi i Paqes" ndaj rebelëve kurdë nuk do ndalet pavarësisht presioneve.