Trump kërcënon protestuesit në Minneapolis
Pas protestave masive kundër dhunës së policisë, presidenti Donald Trump ka kërcënuar të marrë kontrollin e Minneapolis, duke paralajmëruar ata që i quante “rrugaçë” se forcat do të qëllojnë ndaj grabitësve, pasi demonstruesit dogjën një rajon policie dhe protestat kundër dhunës policore kanë shpërthyer në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Trump ndërhyri me një koment në Twitter pas ditës së tretë të protestave kundër vrasjes së George Floyd në duart e policisë. Komenti i ashpër i presidentit më pas u fshi nga rrjeti Twitter me justifikimin se nxiste dhunë. Twitter e fshehu postimin në profilin e presidentit të SHBA-së Donald Trump sepse ai shkel rregullin që ndalon “glorifikimin e dhunës”. Trump ka bërë një shkrim në Twitter në lidhje me situatën në qytetin e Minneapolis, ku protestat kanë vazhduar për disa net për vrasjen e një personi me ngjyrë. Presidenti shkroi se do të “dërgonte Gardën Kombëtare” dhe paralajmëroi se “kur të fillojë grabitja, të shtënat do të fillojnë”.