Rreth 20 milionë amerikanë mund të jenë infektuar me koronavirus
Në SHBA numri i vërtetë i rasteve me koronavirus vlerësohet të jetë 20 milionë apo dhjetë herë më e lartë sesa shifra e raportuar. Deri tani mbi 124 mijë amerikanë kanë humbur jetën.
E gjithë popullata raportohet se nuk do të lejohet të udhëtojë këtë verë drejt Bashkimit Evropian. Ekspertët besojnë se 20 milionë amerikanë mund të jenë bartës të infeksionit të kovidit të ri, shifër kjo 10-fish më e lartë sesa bilanci aktual. Teksa numri i të infektuarve po rritet dita-ditës në shumicën e shteteve amerikane, me gati 40 mijë raste të reja vetëm ditën e enjte, testet serologjike dhe të antitrupave tregojnë se çdo person i diagnostikuar me koronavirus ka mundësinë të infektojë të paktën 10 persona të tjerë. Sipas agjencisë federale për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, shumica e njerëzve nuk i shfaqin simptomat e sëmundjes. Aktualisht në SHBA rreth 2 milionë e gjysmë amerikanë janë konfirmuar si bartës të virusit, ndërsa mbi 124 mijë ka shkuar numri i viktimave. Sipas guvernatorit të shtetit të Floridës në juglindje, shqetësim mbetet rritja e shkallës së infektimit mes grupmoshave 18 dhe 34 vjeç. "Personat që janë në grupet e rrezikuara duhet të bëjnë pjesën e tyre, ndërsa ata më pak të rrezikuarit, sërish duhet të kujdesen që të mos infektojnë të tjerët," - u shpreh guvernatori Ron Desantis. Numri i rasteve në SHBA është rritur mesatarisht me gati 25 për qind nga java e kaluar dhe deri 50 për qind në shtetet me popullsi të lartë si Teksasi, Arizona apo Kalifornia.Të enjten, presidenti republikan, Donald Trump, akuzoi sërish mediet vendëse se ato nuk po i njohin atij meritat për shmangien e miliona viktimave prej kovidit!