Ejani me ne në Iran
https://parstoday.ir/sq/radio/iran-i17872-ejani_me_ne_në_iran
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran". Në vazhdim të prezantimit të qytetit të bukur dhe historik të Esfahanit, në edicionin e sotëm do të flasim rreth urave historike të këtij qyteti. Ju lutemi na ndiqni në vazhdim.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 15, 2016 05:16 Europe/Tirane
  • Esfahan
    Esfahan

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran". Në vazhdim të prezantimit të qytetit të bukur dhe historik të Esfahanit, në edicionin e sotëm do të flasim rreth urave historike të këtij qyteti. Ju lutemi na ndiqni në vazhdim.

Në mesin e veprave dhe monumenteve historike të Esfahanit, urat historike të këtij qyteti të cilat janë ndërtuar mbi lumin Zajanderud, përbëjnë një koleksion interesant nga aspekti i stilit të arkitekturës dhe planeve novatore. Emri i lumit Zajanderud është i lidhur ngushtë me emrin e qytetit Esfahan. Për mijëra vjet uji i këtij lumi i cili buron nga lartësitë e verdha të bjeshkës Bakhtjari, në mënyrë natyrore dhe nëpërmjet rrëpirave përshkon njëra pas tjetrës sikur një gjarpër luginat malore të Zagrosit dhe pas kalimit nëpër qytetin Esfahan, derdhet në lagunën Gavkhuni në juglindje të Esfahanit. Lumi Zajanderud duke kaluar qytetin e Esfahanit, e ndan këtë qytet në dy pjesë: pjesën veriore dhe jugore. Lumi Zajanderud gjithmonë ka qenë një prej lumenjve me sasi më të madhe të ujit në zonën qendrore të Iranit. Në rrafshnaltën e gjerë të Iranit, ekzistenca e lumit Zajanderud sidomos në qendër të kësaj rrafshnalte, konsiderohet një begati e madhe dhe për këtë arsye emri Zajanderud është përmendur shumë në historinë e letërsisë së Iranit dhe poetë të ndryshëm kanë krijuar poezi me emrin e këtij lumi. Që nga kohërat e lashta e deri më tani, lumi Zajanderud është quajtur me emra të ndryshëm që më të rëndësishmet prej tyre janë: Zendek Rud, Zend Rud, Zarin Rud, Zende Rud, Zajande Rud dhe Rudkhaneje Esfahan. Thuhet se duke marrë parasysh tokën e vështirë ose të egër që ndodhet në shtratin dhe rreth shtratit të lumit që përbëhet nga lloji i gurit rreshpe, sasia e ujit që përdoret për ujitjet e fushave dhe kopshteve, pas depërtimit nën dhe të tokave përsëri pak a shumë kthehet në lum. Pikërisht për këtë arsye ky lum ka marrë emrin Zajanderud. Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij lumi, në shumë libra dhe burime të vjetra historike është folur rreth këtij lumi. Në këtë drejtim mund të përmenden këto vepra: "Suretul-Ard" i autorit Ibën Hukal, "Ahsenul-tekasim fi marifetil-Akalim" i autorit Mokadesi dhe "Al-Mesalikul-Memalik" i autorit Ibën Khardabe. Mbi këtë lum janë ndërtuar disa ura historike që nga periudha e dinastisë Safavite, por edhe më edhe më herët të cilat i kanë mbijetuar kohës deri më tani. Disa prej këtyre urave ndodhen në provincën Çahar Mahal Bakhtjari për të cilat nuk do të flasim në këtë edicion. Mirëpo urat më të njohura që janë ndërtuar mbi lumin Zajanderud dhe që ndodhen në provincën e Esfahanit, janë si në vijim: ura "Si o Se Pol" ose "Ura Allah Vardikhan", "Ura Khaxhu" dhe "Ura Shehristan". Secila prej këtyre urave kanë një atraksion të veçantë turistik që në vazhdim të këtij edicioni do të flasim më gjerësisht rreth tyre.

Ura Allah Vardikhan ose Si o Se Pol e cila është quajtur edhe me emra të tjerë si Ura Xholfa dhe Pole Çahar Bagh, ka filluar të ndërtohet në vitin 1008 hixhri kameri, njëkohësisht me ndërtimin e rrugës Çahar Bagh dhe ka përfunduar në vitin 1011 hixhri kameri. Kjo urë në llojin e saj konsiderohet një prej kryeveprave të periudhës së mbretit Abasi i Parë i dinastisë Safavite dhe përmban shumë argumente që tregojnë zhvillimin e arkitekturës dhe artit zbukurues iranian në vitet e 1950-ta. Ura Si o Se Pol u ndërtua me shpenzimet dhe me mbikëqyrjen e gjeneralit të njohur të periudhës Safavite "Allah Vardikhan" dhe për këtë arsye është quajtur "Ura e Allah Vardikhan". Kjo urë është ndërtuar në gjatësi rreth 300 metra dhe në një gjerësi rreth 14 metra, prandaj konsiderohet ura më e gjatë mbi lumin Zajanderud. Kjo urë është ndërtuar për të lidhur dy pjesët veriore dhe jugore të qytetit Esfahan. Struktura e Urës Allah Vardikhan tërësisht është prej guri, tullave dhe llaçit (një lloj i veçantë i gëlqeres). Kjo urë është ndërtuar në tre kate dhe ka disa linja të kalimit për këmbësor dhe kalorës dhe qëndron mbi 40 gryka nga të cilat hyjnë dhe del uji i lumit. Mbi këtë urë është ndërtuar një linjë me gjerësi 11 metra e veçantë për kalimin e mjeteve transportuese ndërsa në dy skajet e saj janë ndërtuar dy korridore me gjerësi 2.5 m. Mbi këto korridore janë ndërtuar disa dhoma të vogla me tavan në formë harku dhe me themele të larta 8 m. Korridoret në të dy anët ishin vendkalim për këmbësor si dhe përdoreshin si shëtitore për njerëz. Nën harqet e urës në mes vendkalimeve të ujit gjithashtu ekzistojnë hapësira që janë shtruar me gurë dhe në kohën kur niveli i ujit është i ulët, shfrytëzohen si pushimore dhe shëtitore për njerëzit. Në përgjithësi ura Si o Se Pol ka një arkitekturë shumë të bukur dhe të harmonizuar. Gjatësia e sistemuar e grykave të urës i ka dhënë një madhështi dhe bukuri të madhe kësaj ure dhe me guxim ky monument mund të konsiderohet rezultat i kombinimit të teknikave të inxhinierisë me artin e arkitekturës. Gjatë viteve të fundit me qëllim të ruajtjes së këtij monumenti të trashëgimisë së çmuar historike, është ndaluar qarkullimi i automjeteve mbi këtë urë dhe vetëm këmbësorët mund të kalojnë mbi këtë urë dhe të kënaqen me pamjet e bukura dhe mahnitëse të lumit Zajanderud dhe me arkitekturën magjepse të këtij monumenti. Ndriçimi i bukur i kësaj ure edhe gjatë mbrëmjes i jep një atraksion të veçantë kësaj ure duke lënë mbresa shumë të veçante për çdo vizitorë që viziton qytetin e bukur të Esfahanit.

Në vazhdim të këtij edicioni po e prezantojmë një monument tjetër që ndodhet gjithashtu mbi lumin Zajanderud në lindje të urës Si o Se Pol. Ky monument është ura tjetër e bukur dhe historike me emrin Ura Khaxhu. Kjo urë njihet me emrin Khaxhu për shkak se ndodhet në afërsi të lagjes Khaxhu që është një prej lagjeve të mëdha dhe të bukura të qytetit Esfahan. Në vazhdim po prezantojmë urën e bukur Khaxhu mbi lumin Zajanderud të Esfahanit. Ura Khaxhu që konsiderohet një prej monumenteve të bukura të arkitekturës në Iran, u ndërtua në vitin 1060 hixhri kameri që përkon më vitin 1650 të erës së re. Kjo urë është e gjatë 133 metra dhe e gjerë 12 metra. Ura Khaxhu është ndërtuar në tre kate. Kjo urë në nivelin përdhes ka 21 gryka të njëjta nga të cilat kalon uji i lumit Zajanderud. Kati i parë i kësaj ure është ndërtuar në formën e një korridori të gjatë në gjerësinë e shtratit të lumit dhe në këtë korridor janë ndërtuar disa vende që shërbejnë për të pushuar njerëzit dhe për të shëtitur. Nga ky kat nëpërmjet dy palë shkallëve mund të kalohet në katin e sipër i cili përbëhet nga dhoma të mëdha dhe të vogla të zbukuruara me piktura të bukura të artit të periudhës Safavite. Këto dhoma në të kaluarën shfrytëzoheshin me rastin e ceremonive të ndryshme festive. Në qendër të dy anëve të kësaj urës, gjithashtu është ndërtuar një ndërtesë shumë e bukur nga e cila mund të shikohen pamje shumë të bukura dhe magjepse të kopshteve që ndodhen skaj lumit Zajanderud. Vlen të theksohet se me mbylljen e grykave hyrëse të ujitë të Urës Khaxhu me kapakë prej druri dhe metali, mund të krijohet një liqen në pjesën perëndimore të urës. Në shumicën e udhëpërshkrimeve është përshkruar bukuria e këtij liqeni. Në përgjithësi mund të thuhet se Ura Khaxhu është një vepër e inxhinierisë dhe arkitekturës shumë të bukur dhe nga aspekti artistik dhe teknik ka vlera të mëdha. Kjo urë është vendosur mbi lum në atë mënyrë që në shikim të parë, madhështia, bukuria dhe harmonia e pjesëve të saj me ambientin për rreth, tërheqin vëmendjen e të gjithë vizitorëve dhe i detyrojnë ata që ta lavdërojnë aftësinë dhe përvojën e paraardhësve të këtij qyteti. Arkitektët e kësaj ure me mjete të kufizuar që kishin në dispozicion dhe me punën e palodhshme të tyre, kanë ndërtuar një monument i cili për shekuj me radhë pavarësisht të gjitha fenomeneve natyre, ka arritur të mbijetojë në nivelin më të mirë deri më tani dhe kjo tregon aftësitë dhe eksperiencën shkencore të ndërtuesve të kësaj ure. Me qëllim të ruajtjes së këtij monumenti historik është ndaluar qarkullimi i automjeteve mbi urë. Nën këtë urë ndodhet një çajhane shumë e bukur tradicionale e cila mirëpret turistët iranianë dhe të huaj.

Miq të dashur, këtu përfundoi koha e këtij edicioni dhe prezantimin e Esfahanit do ta vazhdojmë në edicionet e ardhshme.