Hashemi Rafsanxhani, politikan i pashoq
https://parstoday.ir/sq/radio/iran-i42898-hashemi_rafsanxhani_politikan_i_pashoq
Në këtë emision do të njihemi me rolin e Ajetollah Hashemi Rafsanxhani në administrimin e krizave gjatë dekadës së parë të fitores së revolucionit islamik.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Janar 21, 2017 05:26 Europe/Tirane

Në këtë emision do të njihemi me rolin e Ajetollah Hashemi Rafsanxhani në administrimin e krizave gjatë dekadës së parë të fitores së revolucionit islamik.

Hashemi Rafsanxhani

Populli iranian dhe dashamirësit e revolucionit islamik kanë humbur një prej personaliteteve me ndikim në rrjedhën e revolucionit islamik dhe në stabilizimin e Republikës Islamike të Iranit. Vdekja e Ajetollah Hashemi Rafsanxhanit krijoi një valë të madhe hidhërimi dhe zie. Hashemi Rafsanxhani ashtu siç ishte një prej personaliteteve të afërt me imam Khomeinin (ra) themeluesin e revolucionit islamik, edhe pas fitores së revolucionit ishte një prej njerëzve më të afërt të liderit të madh të revolucionit deri në fund të jetës së imam Khomeinit (ra). Ai që përpara fitores së revolucionit, ishte i njohur për guximin, zgjuarsinë dhe largpamësinë e vet. Janë pikërisht këto karakteristika që e kanë bërë Rafsanxhanin një personalitet dhe politikan të pashoq. Ajetollah Khamenei lideri suprem i revolucionit islamik në mesazhin e tij me rastin e vdekjes së Ajetollah Hashemi Rafsanxhanit ka thënë: “ Zgjuarsia, mprehtësia dhe sinqeriteti i tij i pashoq në ato vite ishin një mbështetje e sigurt për të gjitha ata që kanë punuar me të, e veçanërisht për mua. Mendimet dhe idetë e ndryshme që kanë ekzistuar gjatë gjithë kësaj periudhe të lidhjes tonë miqësore që kishte filluar që në Qerbela, si dhe përpjekjet e qarqeve oportuniste gjatë viteve të fundit për të përfituar nga këto pikëpamje të ndryshme, nuk mundën të dëmtonin dashurinë e tij të thellë për personin tim”. Hashemi Rafsanxhani në kulmin e lëvizjes dhe kryengritjes kundër mbretit Shah, është marrë me programimin dhe formimin e organeve të nevojshme për ditët pas fitores së revolucionit islamik. Formacioni zyrtar “ Shoqëria e klerikëve kryengritës”, formacioni i këshillit revolucionar, zyra e grevave dhe e protestave dhe e zgjidhjes së problemit të karburantit për delegacionet e imamit në zonat e naftës, formacioni i shtabit të pavarësisë dhe garantimit të sigurisë së imamit (ra) pas kthimit në athe, ishin disa nga masat e marra nga Hashemi Rafsanxhani dhe disa bashkëpunëtorë të tjerë dhe miq të afërt të imam Khomeinit (ra). Një prej iniciativave të Hashemi Rafsanxhanit pas fitores së revolucionit islamik të Iranit, ishte krijimi i subjektit Partia Islamike, e cila u krijua me lejen e imam Khomeinit (ra). Kjo parti u formua së bashku me disa revolucionarë si dr. Beheshti që ishte kreu i parë i sistemit juridik të Iranit pas fitores së revolucionit islamik dhe me Ajetollah Khamenei. Revolucioni islamik i Iranit ishte i bazuar në programin për ringjalljen e vlerave njerëzore dhe fetare me në krye një lider fetar. Për këtë arsye që në vigjilje, ky revolucion është kundërshtuar nga dy superfuqitë perëndimore dhe lindorë dhe elementët e varur prej tyre brenda në Iran. Ata për të dështuar revolucionin islamik të Iranit, nisën vrasjen e liderëve të revolucionit. Objektivi i parë i tyre ishte profesor Murteza Motahari i cili ishte një prej teoricienëve të revolucionit islamik dhe një prej nxënësve të imam Khomeinit (ra). profesor Murteza Motahari, dy muaj e gjysmë pas fitores së revolucionit islamik, u vra nga elementë të grupit kundërshtar të revolucionit i quajtur grupi Furkan. Objektivi i dytë i këtij grupi anti-revolucionar ishte Ajetollah Hashemi Rafsanxhani.

Ajetollah Hashemi Rafsanxhani, Ajetollah Khamenei dhe i ndjeri Sejed Ahmed Khomeini

Nuk kishin kaluar 4 muaj nga fitorja e revolucionit islamik dhe ndaj Ajetollah Hashemi Rafsanxhanit u krye një atentat. Gjatë këtij atentati, Hashemi Rafsanxhani u plagos. Shkak për mosrealizimin e këtij atentati u bë ndërhyrja e saktë e Efat Mareshi bashkëshortja e Ajetollah Hashemi Rafsanxhanit. Pas kësaj imam Khomeini (ra) me anë të një mesazhi historik uroi shëndet të plotë për Hashemi Rafsanxhanin dhe kjo tregoi lidhjen e thellë të imamit me Hashemi Rafsanxhanin. Lideri i madh i revolucionit islamik në mesazhin e tij ka thënë: “ i Dashur Hoxhatul’Eslam besnik Hashemi! I ndjeri Modaresi ndaj të cilit mbreti Rezakhan kreu atentat, në kohën kur ishte në spital i dërgoi një mesazh Rezakhanit dhe i tha “ unë jam gjallë”. Tani Modaresi është gjallë. Burrat e historisë janë gjithmonë gjallë. Dashakeqët ta dinë se Hashemi është gjallë, pasi kryengritja është gjallë”. Ajetollah Modares ishte një nga kryengritësit e mëdhenj kundër sistemit despotik të mbretit i cili u vra pas atentatit dhe internimit të tij, që u krye me urdhër të mbretit Reza babai i mbretit Muhamed Reza Shah. Zgjedhja e Ajetollah Hashemi Rafsanxhanit nga ana imamit për të lexuar dekretin e emërimit të të ndjerit Bozargan në postin e kryeministrit të Iranit, dëshmoi për pozitën e veçantë që Hashemi kishte tek imam Khomeini(ra). Duke pasur parasysh armiqësitë e shumta brenda dhe jashtë Iranit, liderët e revolucioni si objektiv të tyre kryesor kishin forcimin dhe stabilizimin e sistemit të sapoformuar të Republikës Islamike të Iranit. Ajetollah Hashemi Rafsanxhani pas fitores së revolucionit islamik për një farë kohe ka mbajtur postin e ministrit të brendshëm. Gjatë kësaj periudhe ai realizoi një mision tepër të rëndësishëm që ishte organizimi i zgjedhjeve të para presidenciale, zgjedhje që i dhanë fund sistemit mbretëror 2500 vjeçar në Iran. Pas kësaj Hashemi Rafsanxhani u bë kandidat për postin e parlamentit islamik të Iranit. Edhe pse në bazë të kushtetues së Republikës Islamike të Iranit, pozita e kryetarit të parlamentit nuk ishte dhe aq shumë e rëndësishme, mirëpo duke qenë se Hashemi Rafsanxhani ishte një nga njerëzit e afërt të imami, drejtimi i këtij institucioni zuri vend të rëndësishëm. Ai kishte ndikim tek deputetët në kundërshtimin apo aprovimin e ligjeve. Në shumë raste mediat e kanë cilësuar personalitetin numër 2 pas imam Khomeinit (ra) në Iran.

I ndjeri Bozargan, Imam Khomeini(ra) dhe Ajetollah Hashemi Rafsanxhani

Roli i Ajetollah Hashemi Rafsanxhani në forcimin dhe stabilizimin e shtetit të sapoformuar të Republikës Islamike të Iranit dhe në përballje me krizat ishte tepër i madh. Një prej këtyre krizave ishte zbulimi i tradhtisë së Bani Sadrit, presidentit të parë të Republikës Islamike të Iranit gjatë periudhës së luftës mes Iranit dhe Irakut. Në fillim të vitit 1981 Irani ndodhej në gjendje tepër të ndjeshme. Në ato kushte të krizës, Rafsanxhani duke përdorur kapacitetet dhe potencialet e tij, rrjedhën e ngjarjeve e kaloi në një anë tjetër. Bani Sadr pasi mori kryesinë e presidentit të Iranit, pa marrë parasysh interesat e shtetit të sapoformuar islamik, krijoi mosmarrëveshje mes rrjedhave të ndryshme politike në vend. Ai për të stabilizuar pozitën e vet dhe për të lënë mënjanë miqtë dhe shokët e imam Khomeinit (ra), iu afrua organizatës MEK. Formacioni militar dhe ushtarak i MEK ishte krejtësisht në shërbim të Bani Sadrit. Pas kësaj, nuk kishte më asnjë dyshim se Bani Sadr kishte për qëllim largimin nga qëllimet e revolucionit islamik. Në reagimin e parë ndaj veprimtarive anti-revolucionare të Bani Sadr, imam Khomeini atë e shkarkoi nga pozita e komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura. Më pas parlamenti islamik i Iranit i kryesuar nga Hashemi Rafsanxhani nuk i dha votëbesimin presidentit të parë të Iranit. Me shkarkimin e Bani Sadr, organizata MEK nisi zbatimin e projektit për përdorimin e forcës ushtarake kundër revolucionit islamik. Në atë kohë u shtuan shumë rastet e atentateve, shpërthimeve dhe e vrasjes së njerëzve. Atentati kundër Ajetollah Khamenei në atë kohë imami i xhumasë së Teheranit, shpërthimi në zyrën qendrore të partisë Republika Islame, martirizimi i dr. Beheshti kreu i sistemit juridik të Iranit dhe i 72 autoriteteve të tjera iraniane, shpërthimi në zyrën e kryeministrisë dhe martirizimi i presidentit Muhamed Ali Raxhai dhe i kryeministri Muhamed Xhavad Bahanar, janë disa nga ngjarjet e asaj periudhe. Në atë kohë Hashemi Rafsanxhani së bashku me disa kolegë të tij mori në dorë administrimin e vendit për daljen nga kriza.

Përballja me agresionin e regjimit Bath të Sadamit kundër Iranit, ishte në krye të përgjegjësive të vendit. Imam Khomeini në fillim të luftës, zgjodhi Hashemi Rafsanxhanin si anëtar të këshillit të lartë mbrojtës dhe më pas Rafsanxhani u zgjodh si zëdhënës i këtij këshilli. Në kohën e Bani Sadrit ekzistonin mosmarrëveshje të thella për mënyrën e përballjes me agresionin e Sadam Huseinit. Këto mosmarrëveshje u ulën me shkarkimin e Bani Sadrit nga posti i presidentit, mirëpo ato vazhduan për mënyrën dhe metodën e administrimit të operacioneve ushtarake dhe të luftës. Në atë kohë Ajetollah Khamenei në postin e presidentit të Iranit, në një letër drejtuar imam Khomeinit (ra) prej tij kërkoi që për drejtimin e forcave të armatosura të zgjedhë një person të caktuar dhe si figurën më të denjë për këtë post propozoi zgjedhjen e Hashemi Rafsanxhanit. Pas kësaj imam Khomeini(ra) si zëvendës të komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosur zgjodhi Hashemi Rafsanxhanin. Ky i fundit drejtoi të gjitha çështjet ustharake deri në fund të luftës. Ajetollah Hashemi Rafsanxhani duke pranuar përgjegjësinë e komandës së luftës, mori funksion të ri në procesin e administrimit të vendit. Ai nga njëra anë duhej të drejtonte parlamentin dhe të merrej me çështjet ekonomike dhe politike të qeverisë dhe nga ana tjetër duhej të merrej me fondet e pakta të qeverisë të cilat shërbenin për shpenzimet e luftës. Pas krijimi të shtabit mbështetës të luftës, angazhimi i Ajetollah Hashemi Rafsanxhani në njohjen e kapaciteteve dhe mundësive të vendit, u zgjerua akoma më shumë. Siç ka thënë vetë Hashemi Rafsanxhani për të neutralizuar komplotet ekonomike të armiqve ekzistonin vetëm dy rrugë:

Së pari, për të uluar ndikimin e uljes së të ardhurave nga shitja e naftës, të shitej më shumë naftë.

Së dyti, të punohej sa më shumë për të plotësuar vetë nevojat për pajisje ushtarake. Mangësitë ekonomike gjatë periudhës së luftës kishin krijuar kushte tepër të ndjeshme në vend për shkak të problemeve dhe shpenzimeve të larta të luftës. Në emisionin e ardhshëm do të flasim mbi përfundimin e luftës, boshllëkun e krijuar nga vdekja e imam Khomeinit (ra), rolin e ri të Hashemi Rafsanxhanit në periudhën pas luftës dhe ndikimin e tij në ndërtimin e vendit.