Imam Husejni (a.s.), bosht i unitetit
(last modified Thu, 09 Nov 2017 08:27:39 GMT )
Nëntor 09, 2017 09:27 Europe/Tirane

Marshi i Arbainit, manifestim i unitetit i të gjitha shtresave dhe grupeve

Jemi në ditët e Arbainit të martirizimit të Imam Husejnit (a.s.) dhe rrugët që çojnë drejt qytetit Qerbela të Irakut, janë të mbushur me turma njerëzish të cilat duken sikur lumenj të trazuar që shkojnë drejt këtij qyteti të shenjtë. Ata mundohen që në ditën e 20-të të muajit safar në ditën e përvjetorit të të dyzetave të martirizimit të Imam Husejnit (a.s.) dhe të shokëve të tij besnikë, ditë kjo që quhet Arbain, të arrijnë në mauzoleun e Imam Husejnit (a.s.). Ndoshta turma e njerëzve që supozohet të jetë mbi 20 milionë njerëz, nuk e lejon që të gjithë të afrohen pranë varrit të Imam Husejnit (a.s.) dhe ta vizitojnë atë nga afër, mirëpo ata mundohen që nga distanca të dërgojnë përshëndetje duke lexuar lutjen e Arbainit. Këto njerëz të dashuruar në Imam Husejnin (a.s.), djalin e Imam Aliut (a.s.), kishin mundësi që me automjete transportuese ose në ndonjë kohë tjetër dhe me qetësi e kushte më të mira, të shkojnë dhe ta vizitojnë varrin e Imam Husejnit (a.s.). Mirëpo ata e dinë se ajo çfarë i jep rëndësi dhe madhëri kësaj ceremonie, është vizita e miliona njerëzve në të njëjtën kohë dhe këndimi i lutjes së Arbainit, edhe atë duke ecur në këmbë dhe duke përballuar vështirësi të ndryshme të rrugës që padyshim se kjo ka sevap dhe vlerë më të madhe.

Marshi i Arbainit

Përgjatë rrugës së marshit të Arbainit vërehet edhe kjo moto e shkurt, por e bukur dhe me plotë përmbajtje e cila thotë: "Dashuria ndaj Husejnit (a.s.), na mbledh së bashku neve". Ky është një realitet i cili vërehet gjatë gjithë ceremonisë së Arbainit. Imam Husejni (a.s.) është qendra e mbledhjes dhe bashkimit të miliona njerëzve të cilët kanë ardhur nga vende të ndryshme islame dhe joislame për ta vizituar varrin e tij. Imam Khomejni (ra), themeluesi i Republikës Islamike të Iranit, ka shqyrtuar këtë çështje nga një këndvështrim tjetër dhe ka thënë: "Islami, për bashkimin dhe për unifikimin njëzëri të myslimanëve, ka predikuar dhe ka vepruar në masë shumë të madhe. Do të thotë që ka krijuar ditë që me vetë këto ditë dhe me motivin e këtyre ditëve, forcohet uniteti. Ditë të tilla janë edhe Ashura dhe Arbaini. Kur'ani i shenjtë insiston duke u thënë myslimanëve që të mos përçahen mes vete, të jenë vetëm një dorë dhe të gjithë të jenë të lidhur për litarin e Zotit". Prandaj, Arbaini është një prej ditëve të tjera të Zotit në të cilën myslimanët në mënyrën dhe formën më të mirë manifestojnë unitetin dhe bashkimin e vetë rreth një boshti, do të thotë rreth Imam Husejnit (a.s.).

 

Tani shtrohet kjo pyetje: "Turma e njerëzve të cilët kanë ardhur për të marrë pjesë në marshin e Arbainit dhe me qindra miliona njerëz të tjerë të cilët nuk kanë mundur të vijnë, për çfarë arsye kanë dashuri në këtë mënyrë ndaj Husejn bin Ali (a.s.) dhe pse e dashurojnë atë kështu me zemër? Padyshim se Imam Husejni (a.s.), nuk është një individ i zakonshëm, por ai është nipi i Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe i biri i Imam Aliut (a.s.) dhe i Fatime Zahra (s.a.). Ai ishte personaliteti më i mirë, më i ditur dhe më i devotshëm i kohës së vetë. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. shumë herë në mesin e njerëzve ka lavdëruar Imam Hasanin dhe Imam Husejnin (a.s.) dhe në lidhje me Imam Husejnin (a.s.) ka thënë: "Husejni është drita e udhëzimit dhe anija e shpëtimit". Për këtë arsye, martirizimi i një personaliteti të tillë, edhe atë në këtë mënyrë të padrejtë dhe tragjike, është e dhimbshme për të gjithë, sidomos për dashamirësit e Ehli Bejtit (a.s.) dhe ushtron ndikim shumë të madh mbi ata. Për këtë arsye, edhe pas shumë shekujve, myslimanët shiitë organizojnë ceremoni të zimbajtjes për Imam Husejnin (a.s.) në mënyrë sa më të madhërishme dhe me pjesëmarrje sa më të gjerë, si dhe për çdo vit marrin pjesë me miliona njerëz në marshin e madhërishëm të Arbainit për ta vlerësuar dhe falënderuar sakrificën dhe flijimin e tij dhe për të deklaruar besnikërinë e vetë ndaj idealeve të kryengritjes së Imam Husejnit (a.s.).

Pjesëmarrja e myslimanëve sunitë në marshin e Arbainit

Nderimi dhe respekti ndaj Imam Husejnit (a.s.) nuk përkufizohet vetëm me myslimanët shiitë, por edhe myslimanët sunitë tregojnë respekt ndaj këtij personaliteti të veçantë ndërsa në marshin e Arbainit marrin pjesë duke siguruar kushte dhe duke ofruar shërbime të ndryshme për vizitorët, sepse ata e dinë që Imam Husejni (a.s.) në kryengritjen e tij nuk kishte për qëllim interesat materiale të kësaj bote. Epopeja të cilën e ka krijuar Imam Husejni (a.s.) në shkretëtirën e Qerbelasë, ishte vetëm për ta ringjallur urdhrin e Zotit dhe për ta mbajtur gjallë Islamin dhe për t'i zgjuar njerëzit. Imam Husejni (a.s.) në testamentin e tij ka thënë: "Unë nuk jam ngritur në kryengritje për veprime të këqija, për korrupsion ose për të bërë dhunë dhe padrejtësi. Unë janë ngritur në këmbë vetëm për ta përmirësuar situatën në umetin e gjyshit tim. Qëllimi im është të urdhëroj kryerjen e veprave të mira dhe të ndalojë veprat e këqija dhe ta zbatojë metodën e gjyshit tim Hazretit Muhamed dhe të babait tim Ali bin Ebi Talib". Qëllimi i shenjtë i Imam Husejnit (a.s.) ishte për ringjalljen e fesë Islame, në kohën kur Jezid bin Muavije synonte zhdukjen e saj, prandaj mjafton që të gjithë myslimanët të ndjejnë këtë se i kanë borxh Imam Husejnit (a.s.). Sidomos kur të merret parasysh fakti se ai në këtë rrugë sakrifikoi jo vetëm jetën e tij, por edhe jetën e fëmijëve, vëllezërve, jetën e të afërmeve të tjerë dhe jetën e shokëve më të mirë dhe më besnikë, por që kurrë nuk pranoi të nënshtrohet nëpërmjet bej'atit (besëlidhjes) me një person të degjeneruar dhe të pabesë siç ishte Jezidi. Pjesëmarrje e myslimanëve sunitë në marshin e Arbainit, forcon edhe më tepër lidhjet e dashurisë mes myslimanëve shiitë dhe sunitë dhe si rezultat i mbledh ata rreth boshtit të Imam Husejnit (a.s.). Mevlavi Abdulaziz Muxhahed, një klerik sunit i Afganistanit dhe profesor në institutin e studimeve të larta private "Mash'al", thotë: "Vlerësimi dhe mirënjohja e lëvizjes liridashëse të Imam Husejnit (a.s.), është faktor që forcën unitetin mes të gjithë myslimanëve dhe Imam Husejni (a.s.) është burim i unitetit të njerëzve dhe kryengritja e tij është e pranueshme nga të gjithë".

 

Imam Husejni (a.s.) me kryengritjen e tij në Qerbela, i dha njerëzimit mësimin e lirisë, sakrificës dhe të luftës kundër tiranisë dhe despotizmit. Këto vlera nuk janë të veçanta vetëm për myslimanët, por të gjithë njerëzit mund t'i marrin këto vlera për model dhe shëmbëlltyrë në jetën e tyre. Për këtë arsye, vërejmë që edhe besimtarët e feve të tjera, por edhe njerëz ateistë, tregojnë respekt dhe nderime për Imam Husejnin (a.s.) dhe atë e konsiderojnë shëmbëlltyrë për vete. Prifti i njohur irakian Xhozef Iljas i cili ka marrë pjesë në marshin e Arbainit, ka thënë: "Edhe grupet e besimtarëve të krishterë kanë marrë pjesë në marshin e Arbainit në mënyrë që së bashku me myslimanët, të bëjnë bej'at me Ehli Bejtin (a.s.). Një grup i madh i besimtarëve të krishterë kanë arritur në Qerbela në kuadër të këtij marshi. Imam Husejni (a.s.) dhe Hazreti Isau a.s. janë shumë të afërt mes vete". Dr. Sa'd Petros, i krishterë irakian, tregon një dhuratë të cilën e ka marrë për shkak të pjesëmarrjes në ceremonitë e zimbajtjes së Imam Husejnit (a.s.) dhe për kontributin që ka dhënë për krijimin e unitetit dhe bashkëjetesës paqësore mes myslimanëve dhe të krishterëve. Ai thotë: "Ne, tre vjet nuk kemi festuar përvjetorin e lindjes së Hazretit Isa a.s., për arsye se kjo ngjarje ka përkuar me muajin Muharrem".

Jomyslimanët kanë ngritur edhe tenda dhe vende pushimi për të pritur vizitorët e Imam Husejnit (a.s.). Një prej vendeve ose qendrave të tilla është edhe qendra Isa bin Marjam që shumica anëtarëve të kësaj qendre janë besimtarë të krishterë dhe përkrah me vëllezërit e tyre myslimanë, ofrojnë shërbime për vizitorët. Besimtarët e komunitetit të krishterë Saibi të cilët konsiderohen besimtarë të rrugës së profetit Jahja, jetojnë në jug të Iranit dhe të Irakut. Edhe ata gjithashtu kanë një dashuri dhe respekt të madh për Imam Husejnin (a.s.). Abu Nasar është një qytetar irakian i komunitetit të krishterë Saibi, i cili për çdo ditë shkon në qendrën "Hazreti Rukije", ku bashkëshortja dhe vajza e tij kalojnë të gjithë kohën për të ndihmuar gratë shiite që të përgatisin ushqime për vizitorët e Imam Husejnit (a.s.). Shembuj të tillë ekzistojnë shumë.

Një prej veprimeve interesante në këtë fushë, është edhe regjistrimi i të interesuarve në Evropë dhe Amerikë për të marrë pjesë në marshin e Arbainit që bëhet nga një qendër me emrin "Karvani i Evropës për Arbain". Këtë vit kjo qendër ka dërguar mbi 1200 persona në ceremoninë e Arbainit. Ky numër është veç nga njerëzit të cilët në mënyrë individuale ose në kuadër të grupeve të tjera shkojnë në Irak për të marrë pjesë në këtë ceremoni.

E gjithë kjo dashuri dhe pasion për të arritur në marshin madhështor dhe të pashoq të Arbainit të Imam Husejnit (a.s.), është rezultat i karakteristikave tërheqëse të cilat i ka vendosur Zoti i madhëruar në personalitetin e Imam Husejnit (a.s.). Ky është pikërisht ai person i cili në vitin 61 hixhri kameri, ka pësuar disfatë në mënyrë sipërfaqësore në një luftë të pabarabartë, mirëpo idealet e larta dhe njerëzore të tij aktualisht kanë tërhequr drejt varrit të tij mbi 20 milionë njerëz. Ky pasion dhe kjo dashuri hyjnore i kujton njeriut ajetin 8 të sures Saf i cili thotë: "Ata me gojën e tyre dëshirojnë të shuajnë dritën e Zotit, mirëpo Zoti e përkryen dritën e vetë, edhe pse këtë nuk e pëlqejnë jobesimtarët". Gjatë marshit të Arbainit, vendoset një miqësi dhe dashuri e pashoq mes vizitorëve. Ky tubim i madh organizohet dhe administrohet në mënyrë vullnetare-popullore dhe mikpritësit bëjnë konkurrencë të madhe me njëri-tjetrin për ofrimin e shërbimeve për marshuesit e Qerbelasë në mënyrë që të fitojnë më shumë sevape.

Ofrimi i shërbimeve për vizitorët e Arbainit

Ajetullah Khamenei, lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit, këtë ceremoni të madhërishme e konsideron një dhunti hyjnore dhe thotë: "Shikoni në botë se për t'i mbledhur në një vend 10 mijë persona ose 50 mijë persona, çfarë reklamime e propagandë e madhe bëhet, por në fund shumë vështirë është që të realizohet një gjë e tillë. Me këtë rast pavarësisht pengesave dhe vështirësive të mëdha, vetëm nga Irani mbi 2 milionë njerëz shkojnë në Irak për të marrë pjesë në marshin me ecje në këmbë 80 km, do të thotë jo për tu kënaqur në hotel, por për të ecur në këmbë 80 km. Një numër disa herë më i madh i njerëzve nga vetë Iraku dhe vende të tjera shkojnë për të marrë pjesë në këtë ceremoni. Kjo është një ngjarje hyjnore, ky është një fenomen hyjnor i cili tregon se kjo rrugë, është rruga e dashurisë, por jo e dashurisë së çmendur, por e dashurisë së shoqëruare me vetëdije dhe vigjilencë. Ashtu si dashuria e evliave ndaj Zotit...". Gjithshtu, Khuxhetul-islam Muhamed Taghi Rahbar, imami i namazit të së premtes në Esfahan, në lidhje me marshin e Arbainit thotë: "Ne, vërejmë se pjesëmarrësit në këtë ceremoni të madhe nuk kufizohen vetëm me myslimanët, por në këtë ceremoni marrin pjesë edhe ndjekësit e feve të tjera. Kjo çështje tregon se mesazhi i Imam Husejnit (a.s.) është universal. Mesazhi i kryengritjes së Imam Husejnit (a.s.) përfshinë natyrën qenësore të njerëzve dhe ka karakteristika tërheqëse për çdo individë në çdo vend të botës". Prandaj, sot Imam Husejn bin Ali (a.s.) për shkak të karakteristikave të pashoqë të personalitetit dhe të kryengritjes së tij, është bërë bosht për unitetin e myslimanëve shiitë dhe sunitë, por edhe të jo myslimanëve, gjë që manifestohet më së miri në marshin e Arbainit.

Tags