Tridhjetë ditë, tridhjetë tregime (I mbeturi prapa karvanit)
Ishte fundi i verës. Vapa dhe thatësira i mundonte në masë të madhe banorët e Medinës, mirëpo vështirësitë ishin duke përfunduar pasi që kishte ardhur periudha e vjeljes së hurmave dhe njerëzit mund të merrnin frymë me lehtësi. Në këto rrethana Hazreti Muhamed s.a.v.s. u informua se Romakët synojnë të sulmojnë myslimanët.
Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. dha urdhër për mobilizim të përgjithshëm dhe të gjithë të përgatiten për luftë dhe mbrojtje.
*********
Situata ishte shumë e vështirë. Nga njëra anë thatësira dhe vapa e madhe dhe nga ana tjetër ishte distanca e largët nga Medina deri në Sham që shtonte vështirësitë nga të gjitha aspektet.
Hipokritët, ata persona që paraqiteshin si myslimanë, mirëpo nuk kishin besim në zemrën e tyre dhe për t’i larguar njerëzit nga Profeti Muhamed s.a.v.s. nuk kursenin asnjë përpjekje dhe vazhdimisht inkurajonin njerëzit që të mos nënshtroheshin ndaj urdhrave të Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Pavarësisht të gjitha këtyre rrethanave të vështira, njerëzit kishin besim aq të madh te Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. sa që në çfarëdo rrethanash, nënshtroheshin pranë urdhrave të tij dhe nuk i jepnin rëndësi fare fjalëve të hipokritëve. Më në fund u mblodh një ushtri me 30 mijë ushtarë dhe njerëzit pa marrë parasysh vapën dhe thatësirën, u mobilizuan për luftë dhe dolën në shkretëtirë.
******
Mbretëronte një vapë shumë e madhe, shumë prej njerëzve kalonin rrugën në këmbë. Ushqim gjithashtu nuk kishte në masë të duhur. Këto probleme ushtronin presion të madh mbi njerëzit, mirëpo besimtarët me hapa të sigurt dhe të palëkundur, ecnin para. Një grup i njerëzve që kishin besim të dobët, u zhytën në dyshime e dilema aq shumë sa që nuk dinin se çfarë të bënin. Të qëndronin në Medine dhe të vilnin produktet e tyre dhe të hanin apo të pranonin vështirësitë e rrugës dhe të shkonin në luftë me romakët. Pikërisht këto mendime u bënë shkak që disa të ndalen nga rruga dhe të kthehen në Medine. Ka’b bin Malek ishte një prej këtyre personave i cili u kthye nga rruga dhe u nis drejt Medinës. As’habët i thanë Hazretit Muhamed: “O i Dërguari i Zotit, Ka’b bin Malek u kthye!”. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. tha: “Mos u merreni me atë, nëse është ndonjë e mirë te ai, Zoti së shpejti do ta kthejë atë pranë juve dhe nëse nuk ka të mirë në atë, Zoti i madhëruar juve do t’iu lirojë nga e keqja e tij!” Nuk vonoi shumë dhe as’habët thanë: “O i Dërguari i Zotit, edhe Mararetu bin Rabi’e u kthye nga rruga. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. përsëriti të njëjtën fjali.
****
Abu Dharri ishte një prej as’habëve të Hazretit Muhamed s.a.v.s. i cili së bashku me myslimanët e tjerë ishte nisur nga Medina për të luftuar nën komandën e Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Gjatë rrugës deveja e tij ishte ndalur. Abu Dharri sa do që bëri përpjekje, nuk arriti ta detyrojë devenë që të vazhdojë rrugën dhe për këtë arsye mbeti prapa karvanit të myslimanëve. As’habët e panë që edhe Abu Dharri mbeti prapa dhe thanë: “O i Dërguari i Zotit, edhe Abu Dharri u kthye. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. tha: “Mos u merrni me atë, nëse është ndonjë e mirë në atë, Zoti së shpejti do ta bashkojë atë me ju dhe nëse nuk është kështu, Zoti u ka liruar juve nge e keqja e tij”.
******
Abu Dharr bëri shumë përpjekje për ta detyruar devenë që të vazhdojë rrugën dhe të arrijë karvanin, por nuk arriti. Për këtë arsye ai u detyrua që të ecë në këmbë, prandaj vendosi barrën mbi supe dhe u nis për të vazhduar rrugën duke e lënë devenë aty. Dielli rrezonte pa mëshirë mbi kokën e Abu Dharrit. Atë e kishte kapluar edhe etja e madhe, mirëpo për të vetmen gjë që mendonte, ishte se si të arrinte sa më shpejtë te karvani dhe të bashkohej me Hazretin Muhamed s.a.v.s.. Gjatë rrugës në qiell e pa një re dhe iu duk se në atë anë ka rënë shi, prandaj ndërroi rrugën dhe shkoi në atë drejtim. Arriti pranë një guri mbi të cilin ishte mbledhur pak ujë. E shijoi ujin dhe pastaj e mbushi mashkën me ujë. Tha me vete më mirë është që ta marrë ujin me vete dhe t’ia çojë Profetit s.a.v.s., ndoshta ai është i etur. Mashkën e vendosi mbi supe së bashku me barrën tjetër dhe në vapën e madhe dhe i etur, u nis në rrugë drejt karvanit të ushtrisë myslimane.
****
Abu Dharri nga larg e pa karvanin e ushtrisë së myslimanëve dhe u gëzua dhe pjesën tjetër të rrugës e vazhdoi me shpejtësi më të madhe. Nga ana tjetër, një ushtar nga ushtria e myslimanëve e pa një figurë të zezë nga larg që vinte në drejtim të myslimanëve. Ai tha: O i Dërguari i Zotit, një njeri nga larg po vjen në drejtim tonin. Hazreti Muhamed s.a.v.s. tha: “Sa mirë do të ishte ai njeri të jetë Abu Dharri!”. Figura e zezë u afrua më afër karvanit të ushtrisë së myslimanëve. Një ushtar tha: “Betohem në Zotin, ai është Abu Dharri”.
Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. tha: “Zoti e mëshiroftë Abu Dharrin! Vetëm po jeton, vetëm do të vdesë dhe vetëm do të ringjallet”. Hazreti Muhamed s.a.v.s. shkoi për ta pritur Abu Dharrin. Hoqi barrën nga supet e tij dhe e vendosi në tokë. Abu Dharri nga etja e lodhja e madhe, u shtri në tokë. Hazreti Muhamed s.a.v.s. tha: “Jepni ujë Abu Dharrit se është shumë i etur!” Abu Dharri tha: “Kam ujë me vete”. Hazreti Muhamed s.a.vs. tha: “Ujë ke patur me vete dhe nuk ke shuar etjen tënde?”
Abu Dharri tha: “Po, o i Dërguari i Zotit. Në rrugë arrita pranë një guri, e pash që mbi atë ishte mbledhur ujë i freskët dhe i pastër. E shijova pak, por thash me vete: nuk pi nga ky ujë derisa i dashuri im i Dërguari i Zoti të pijë nga ky ujë dhe të shuajë etjen!”