Dimensionet Botërore të Revolucionit Islamik
Fitorja e revolucionit islamik iranian i nxori shoqëritë muslimane nga gjendja e mosveprimit dhe vetëpërmbajtjes, dhe tani ato janë të etura të përpiqen të kthehen në identitetin e tyre islamik.
Revolucioni islamik, nëpërmjet riprodhimit të mësimeve sublime islamike, ka bërë që muslimanët të rifitojnë identitetin dhe karakterin e tyre islamik dhe përsëri të hedhin themelet e shpëtimit të Islamit.
Populli i Iranit feston përvjetorin e 40-të të revolucionit të tij , ndërsa dëgjon jehonat pozitive të revolucionit të tij nga Lindja dhe Perëndimi i botës islamike. Kur Imam Khomeini (ra) foli në fillim të fitores së Revolucionit Islamik mbi eksportimin e Revolucionit Islamik, disa nuk mund ta kuptonin rëndësinë dhe thellësinë e këtij fjalimi, por tani kur që prej asaj kohe kanë kaluar dyzet vjet, kundërshtarët dhe përkrahësit po e shohin se pa luftë dhe dhunë, parimet e Revolucionit Islamik kanë zënë vendin e tyre në mendimet e muslimanëve në botë. Kjo është për shkak se mesazhi i revolucionit iranian është një mesazh i qëndrueshëm dhe i përputhshëm me natyrën njerëzore. Lideri suprem i Revolucionit Islamik, Ajetollah Khamenei, për këtë thotë: "Konceptet e revolucionit dhe konceptet e Islamit, janë si aroma e luleve të pranverës, askush nuk mund ta ndalë, përhapet dhe shkon kudo. Është flladi freskues i shpirtit që vetvetiu përfshin çdo vend. "
Triumfi i revolucionit iranian e nxori bashkësinë islame nga një gjendje mosveprimi dhe pasiviteti dhe me padurim kërkonte të rifreskonte identitetin e saj islam. Revolucioni islamik me riprodhimin e mësimeve supreme islame ka bërë që muslimanët të rifitojnë identitetin dhe karakterin e tyre islamik dhe përsëri të vënë në zbatim mësimet shpëtimtare islame. Ndërsa Umeti Islamik për një kohë të gjatë i kishte lënë pas dore dhe i kishte harruar këto mësime. Lëvizja islame e popullit iranian, me duart bosh, fitoi kundër regjimit Pahlavi të armatosur deri në dhëmbë e të mbështetur nga superfuqitë e asaj epoke, dhe mesazhi i kësaj fitoreje në botën islame ishte se Umeti Islamik mund të jetë i lirë, i avancuar, i gjallë, i dashur, i fuqishëm dhe progresist. E gjithë kjo për shkak të zbatimit të mësimeve islame.
Midis kombeve të ndryshme, Revolucioni Islamik i Iranit ka ndikuar ndjeshëm te shi'itët e Libanit. Përpjekjet dhe udhëzimet e Imam Musa Sadrit gjatë viteve përpara fitores së Revolucionit Islamik të Iranit, krahas situatës speciale të Libanit jugor, pra okupimi i kësaj zone nga Izraeli dhe tirania e paparë e imponuar ndaj shi'itëve në rajon, u bë shkak që në atë kohë Libani të ishte më i përgatitur për të marrë mesazhin e revolucionit sesa territoret e tjera islame. Humbjet e njëpasnjëshme të arabëve përballë Izraelit, poshtërimi dhe frika nga Izraeli në mesin e popullit libanez, dështimi i grupeve aktive në luftën politike të Libanit për t'u përballur me agresorin dhe mposhtja e ushtrisë kombëtare, përforcoi ndjenjën e urrejtjes ndaj armikut dhe zgjoi në zemrat e muslimanëve në Liban dëshirën për ditët krenare të Islamit.
Në rrethana të tilla, përvoja e suksesshme e popullit të Iranit në luftën kundër shtypjes dhe arrogancës në fillim të viteve 80 pas fitores së Revolucionit Islamik çoi në krijimin e lëvizjes libaneze Hezbollah, me udhëzimin e Imam Khomeinit. Hezbollahu në letrën e tij të famshme të quajtur "Manifesti i Hezbollahut" në vitin 1985, pohoi: ... Shprehim angazhimin ndaj udhëheqjes së unifikuar, të mençur dhe të drejtë të Lidershipit Suprem, e cila tani është e mishëruar në personin e Imam Khomeinit. Ne shpallim se ky angazhim është rezultat i ndikimit të Revolucionit Islamik dhe lëvizjes së tij të madhe ". Hezbollahu arriti fitore të rëndësishme në luftën kundër Izraelit dhe mundi të çlironte Libanin jugor nga pushtimi i Izraelit. Ai pasi luajti një rol të rëndësishëm në luftën kundër Izraelit, luan një rol të rëndësishëm edhe në çështjet politike dhe sociale, në zgjedhjet parlamentare dhe në këshillat e qyteteve dhe fshatrave. Ndërsa më parë, shi'itët nuk ishin të pranishëm në strukturën e pushtetit të Libanit.
Një nga shembujt e qartë të pranimit të mesazhit të Revolucionit Islamik dhe përhapjes së tij pavarësisht distancës së madhe, janë myslimanët në Nigeri. Nigeria, e njohur edhe si gjigandi afrikan, është vendi më i populluar i Afrikës dhe vendi i tretë më i populluar islamik, sipas shifrave të fundit (2017), dhe ka më shumë se 190 milionë banorë. 50 për qind e njerëzve në këtë vend janë myslimanë dhe shumica sunitë dhe ndjekin tarikatin Maleki. 40% janë të krishterë dhe 10% janë ndjekës të besimeve vendase. Në pjesën e hershme të shekullit të dytë, Islami arriti në Nigeri nëpërmjet misionarëve dhe tregtarëve, por në fillim të shekullit të njëzetë, me ardhjen e kolonializmit dhe fesë së krishterë, sundimi i muslimanëve gradualisht u dobësua.
Fitorja e Revolucionit Islamik u dha muslimanëve të Nigerisë një vitalitet dhe shpresë. Shejk Zekzaki, i cili në fillim të Revolucionit iranian ishte një i ri i pasionuar me motivim fetar në universitete, udhëtoi në Iran dhe, pas takimit me Imam Khomeinin, u konvertua në shi'izëm. Pasi u kthye në Nigeri, ai filloi një përpjekje të palodhur për të zgjuar muslimanët dhe për të krijuar një lëvizje të madhe islame. Gjatë tre dekadave të fundit, aktivitetet e tij kanë çuar në një rritje prej 10 milionë të muslimanëve shi'itë në Nigeri.
Sheikh Zekzaki, i ndikuar nga Revolucioni Islamik i Iranit, themeloi një
lëvizje të madhe islamike në Nigeri
Besimi në fe dhe te aftësia e saj për të qeverisur mirë shoqëritë si dhe besimi në fuqinë e unitetit, ishte dhurata e Revolucionit Islamik për muslimanët e Nigerisë. Ata që më parë ishin pasivë ndaj veprimeve anti-fetare, u bënë aktivë dhe kërkues, të gatshëm ta sakrifikojnë jetën e tyre për aspiratat e tyre fetare. Një nga këto vlera ishte hixhabi në një kohë që gratë dhe vajzat muslimane ishin të ndaluara për shumë vite ta mbanin në shkollat e mesme dhe në universitete. Përmes viteve të rezistencës, muslimanët veriorë kanë arritur të bindin krerët e shteteve muslimane të Nigerisë se vajzat studente muslimane duhet të kenë lejen për një mbulesë të tillë. Demonstratat e myslimanëve në Nigeri për vendosjen e ligjit Islamik mund të konsiderohen të ndikuara nga Revolucioni Islamik i Iranit. Përfundimisht qeveria e Nigerisë u detyrua të përulet përballë vullnetit të shumicës së muslimanëve në vend dhe të pranojë vendosjen e ligjeve islamike në shtetet muslimane.
Shi'itët e Nigerisë tani janë një nga grupet më aktive shi'ite në botë, të cilat jo vetëm ndaj zhvillimeve nigeriane, por edhe kundrejt ngjarjeve të botës islamike, kanë dalë nga gjendja e pasivitetit dhe heshtjes. Kjo lëvizje që filloi në Nigeri pas Revolucionit Islamik në Iran, ka rritur tendencën e studiuesve, hulumtuesve dhe islamologëve për të njohur më shumë Shi'izmin. Duke krijuar një frymë revolucionare, Revolucioni Islamik i Iranit krijoi një valë të islamit politik midis shi'itëve, të cilët si pjesë e rëndësishme e kombit kërkuan pjesën e tyre në vendimet e qeverisë.
Kur Revolucioni Islamik i Iranit fitoi nënitin 1979, ishin bërë njëzet vjet që kur Imam Khomeini (ra) foli për mungesën e legjitimitetit të regjimit sionist. Lufta kundër Izraelit si një gjëndër kanceroze që kërcënon jetën e Ummetit të Islamit, që nga fillimi ishte një nga parimet e Revolucionit Islamik. Imam Khomeini të premten e fundit të Ramazanit e emëroi ditën e Kudsit dhe tërhoqi vëmendjen e myslimanëve dhe të botës në rëndësinë e kësaj çështjeje. Me këtë lëvizje nga Imami, Palestina nuk ishte më çështje e palestinezëve, arabëve apo sunitëve, por u bë çështja e parë e botës islamike dhe u rizgjuan shpresat për shpëtimin e Palestinës. Më pas, lëvizjet e palestinezëve ndryshuan natyrën e tyre, dhe motivet fetare dhe islame zëvendësuan motivet thjesht kombëtare dhe racore. Në fakt, dhe siç tha një udhëheqës palestinez, ishte revolucioni iranian që hapi epokën e re të lëvizjes palestineze, gjë që e bëri çështjen palestineze të shihej vetëm nga këndvështrimi i Islamit.
Revolucioni islamik, vlerat e hixhabit, lufta kundër shtypjes dhe arrogancës, lidhja midis fesë dhe politikës, e ringjalli dëshirën për pushtetin islamik në botën islame dhe pati një ndikim të rëndësishëm në lëvizjen e zgjimit islamik. Para Revolucionit islamik dhe në atmosferën globale të infektuar me liberalizmin dhe komunizmin, pak besonin në aftësinë e fesë për të krijuar revolucion. Në bazë të besimit në fe, në kuptimin e mësipërm, konceptet e pushtetit ndryshuan dhe muslimanët zbuluan se fuqia e vërtetë mbështetej në fuqinë hyjnore dhe, me ndihmën e një fuqie të tillë, mund të arrinin të drejtat e tyre. Kur myslimanët vëzhguan shembullin objektiv dhe të plotë të kësaj fitoreje dhe rikthimin në dinjitet e panë në Revolucionin Islamik të Iranit, zgjimi islamik u zhvillua në një ritëm shumë më të shpejtë se ç'pritej. Ata gjetën guximin për të protestuar ndaj regjimeve diktatoriale e tradhtare ne vendet islame. Popujt e Tunizisë, Libisë, Jemenit, Bahrejnit dhe Egjiptit, u motivuan nga motivet islamike kundër qeverive të shitura. Megjithëse këto kryengritje ende nuk kanë arritur rezultatin përfundimtar, zgjimi që ka përfshirë popujt muslimanë është një kapital i çmuar që premton krijimin e një kombi islamik të bashkuar.