Shtator 17, 2016 03:11 CET

Në emër të Zotit dhe me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm kushtuar ngjarjeve më të rëndësishme të javës së kaluar në Iran.

Javën e kaluar, Lideri suprem i revolucionit islamik Ajetollah Khamenei, në një mesazh me rastin e kongresit të madh të Haxhit, theksoi se ceremonia e Haxhit për myslimanët, është riti i krenarisë dhe i manifestimit në syrin e krijimit, riti i dritës, zemrës, bindjes dhe lutjes tek Krijuesi. Ajetollah Khamenei theksoi se Haxhi është vendi i kundërshtimit të jo besimtarëve dhe i unitetit me besimtarët. Ata të cilët Haxhin e kanë kthyer në një udhëtim pelegrinazhi dhe vizitues dhe kanë fshehur armiqësinë dhe urrejtjen e tyre me popullin besimtar dhe revolucionar të Iranit me politizimin e Haxhit, në të vërtetë janë djaj të poshtër që dridhen nga frika se mund të rrezikohen interesat e Shejtanit të Madh (Amerikës). Pushtetarët e Arabisë Saudite e kanë bërë zakon që ashtu si në çështjen e Sirisë dhe Jemenit dhe në çështje të tjera, të ndjekin politikën e mohimit dhe të fshehjes, por kjo politikë e ulët nuk e mbulon dot përgjegjësinë e sundimtarëve sauditë në tragjedinë e Minas. ''Urdhëri që ka mbyllur rrugën e Haxhit për besimtarët e devotshëm iranianë, është dhënë nga ata ditëzinj të cilët vazhdimësinë e tyre e shikojnë të varur tek fuqitë shtypëse dhe tek aleanca me regjimin sionist dhe Amerikën dhe në përpjekjet për të zbatuar kërkesat e tyre''-theksoi Lideri suprem i RI duke shtuar: ''Për këta arsye ata nuk kursejnë asnjë lloj tradhtie.'' Në tragjedinë e Minas humbën jetën mijëra haxhinj nga vende të ndryshme të botës dhe mbi 500 prej viktimave ishin pelegrinë iranianë, por deri tani sundimtarët sauditë që e kanë për detyrë të kujdesen për mbarëvajtjen e Haxhit, nuk kanë marrë asnjë përgjegjësi për këtë tragjedi, madje kanë fajësuar viktimat. Për këtë arsye, Ajetollah Khamenei reagon ashpër ndaj qëndrimit indiferent dhe të papërgjegjshëm të sundimtarëve sauditë dhe thekson:'' drejtuesit sauditë në vend që të kërkonin falje dhe të shprehnin pendimin e tyre dhe në vend që të ndiqnin personat përgjegjës për këtë tragjedi të tmerrshme dhe të dhimbshme, me pafytyrësinë më të madhe nuk lejuan as krijimin e një komiteti hetimor ndërkombëtar. Sauditët në vend që të uleshin në karrigen e të akuzuarit, u ulën në poltronin e pretenduesit dhe treguan qartazi armiqësinë e tyre të vjetër me Republikën Islamike të Iranit. Më tej, Lideri suprem i RII thekson:'' Ata janë drejtues të cilët me veprimet e tyre përçarëse kanë krijuar dhe pajisur grupet takfiriste dhe vandale dhe në këtë mënyrë kanë vënë në rrezik botën islame duke krijuar në këtë botë luftëra të brendshme, vrasje dhe gjakderdhjen e njerëzve të pafajshëm në vende si Jemeni, Iraku, Siria, Libia dhe vende të tjera. Ata janë politikanë që nuk janë në dijeni të Zotit dhe i kanë shtrirë dorën e miqësisë regjimit pushtues sionist dhe kanë tërhequr dorën e tyre nga palestinezët.''

Lideri suprem i revolucionit islamik deklaroi: ''Nëse sundimtarët sauditë pretendojnë se janë të pafajshëm në tragjedinë e Minas, të lejojnë krijimin e komitetit hetimor ndërkombëtar dhe islamik për të sqaruar këtë çështje.''Ajetollah Khamenei, javën e kaluar u takua me familjet e dëshmorëve të tragjedisë së Minas ku theksoi se paaftësia dhe neglizhenca e regjimit Al Saud në këtë ngjarje vërtetoi faktin se kjo dinasti bastarde dhe obskurantiste nuk e meriton të menaxhojë vendet e shenjta të muslimanëve. Duke folur mbi martirizimin e rreth 7 mijë vizitorëve të Shtëpisë së Zotit në tragjedinë e Minas, Ajetollah Khamenei shtroi pyetjen se përse vendet dhe qeveritë islamike heshtën përballë kësaj tragjedie? Ai heshtjen e qeverive, dijetarëve, aktivistëve politikë dhe intelektualëve të botës islame ndaj martirizimit të 7 mijë pelegrinëve të pafajshëm e cilësoi ''fatkeqësi të madhe të Ummetit islam'' dhe shtoi: ''Indiferenca dhe mungesa e ndjeshmërisë ndaj një tragjedie kaq të madhe si ajo në Mina është fatkeqësia reale e botës islame.'' Lideri suprem i revolucionit islamik mungesën edhe të një ndjese verbale nga sundimtarët sauditë e cilësoi si kulmin e paturpësisë dhe shtoi:'' Edhe nëse në këtë çështje nuk ka pasur ndonjë qëllim, një neglizhencë dhe paaftësi kaq e madhe konsiderohet krim për një pushtet politik.'' Ai një aspekt tjetër të tragjedisë në Mina e cilësoi heshtjen e plotë të atyre që pretendojnë se mbrojnë të drejtat e njeriut dhe duke folur për zhurmën e madhe që bëhet ndaj zbatimit të vendimeve gjyqësore në disa vende, theksoi:'' Heshtja absurde ndaj vdekjes së 7 mijë njerëzve të pafajshëm tregoi qartë fytyrën e vërtetë të atyre që pretendojnë se mbrojnë të drejtat e njeriut dhe ata që i kanë lidhur shpresat me organizatat ndërkombëtare duhet të nxjerrin mësim nga kjo ngjarje e hidhur.'' Ajetollah Khamenei, krijimin e një komiteti hetimor të pavarur e cilësoi si një detyrë të vendeve islamike dhe të pretenduesve të të drejtave të njeriut dhe shtoi:'' Megjithëse ka kaluar një vit nga tragjedia në Mina, hetimi dhe shqyrtimi i fakteve dhe dokumentave do të ndriçojë në një masë të madhe këtë ngjarje.'' Ai aleatët e regjimit Al Saud i konsideroi si partnerë në krimin e këtij regjimi në tragjedinë e Minas dhe theksoi:'' Regjimi i paturpshëm saudit me përkrahjen e gjithanshme të Amerikës po qëndron me prepotencë përballë muslimanëve dhe po bën gjakderdhje në Jemen, Siri, Irak dhe Bahrejn, prandaj Amerika dhe aleatët e tjerë janë partnerë në krimet e sauditëve.''

Presidenti i Republikës Islamike të Iranit deklaroi: "Qeveria e Republikës Islamike të Iranit kurrë nuk do ta falë gjakun e dëshmorëve të tragjedisë së Minas që ranë në Haxhin e vitit të kaluar". Hasan Ruhani, presidenti i Iranit, duke përkujtuar përvjetorin e martirizimit të haxhinjve të Shtëpisë së Zotit, saktësoi se shteti saudit duke penguar dërgimin e haxhinjve iranianë në ceremoninë e Haxhit të këtij viti, kësaj radhe ka shtuar krimet e tij duke mbyllur rrugën për myslimanët që ta vizitojnë Shtëpinë e Zotit. Presidenti iranian shprehu keqardhje për faktin se trupat e pajetë të haxhinjve të shumë vendeve nuk u janë kthyer familjarëve të tyre dhe vetëm Irani me masat e tij politike, ka arritur që t'i kthejë trupat e pajetë të haxhinjve tek familjarët e tyre vitin e kaluar. Z. Ruhani theksoi se problemi aktual me Arabinë Saudite është më i gjerë se sa çështjet si Haxhi, prandaj vendet e rajonit dhe të botës islame për të zgjidhur problemet ekzistuese dhe për ta ndëshkuar Arabinë Saudite, duhet të marrin masa të koordinuara në mënyrë që nga njëra anë edhe të bëhet Haxhi me dinjitet dhe respekt ashtu siç e meriton në fenë islame, ndërsa nga ana tjetër, vendet e rajonit të shpëtojnë nga mbështetja e Arabisë Saudite ndaj terrorizmit dhe populli i Jemenit gjithashtu të ketë mundësi të jetojë në paqe dhe siguri.

Javën e kaluar, ministri i jashtëm i Republikës Islamike të Iranit ka reaguar ndaj deklaratës ofenduese të myftiut të Arabisë Saudite. Muhamed Xhavad Zarif, ministër i jashtëm i Republikës Islamike të Iranit në faqen e tij zyrtare në Twitter ka reaguar ndaj deklaratave të myftiut saudit Abdul’aziz Al Sheik. Me këtë rast shefi i diplomacisë iraniane tha: ''Në realitet islami i iranianëve dhe i shumicës së myslimanëve në botë, nuk ka ngjashmëri me radikalizmat racistë të cilat propagandohen nga myftinjtë vahabistë dhe themeluesit sauditë të terrorizmit.'' Abdul’aziz Al Sheik, myftiu i madh i Arabisë Saudite, pretendoi se iranianët nuk janë myslimanë. Kjo është në kohën kur bindjet dhe mendimet takfiriste të grupit terrorist ISIS, bazohen në fetvatë dhe dekretet e vahabistëve dhe myftinjve të Arabisë Saudite të cilat bien ndesh me islamin e pastër Muhamedan. Të tilla dekrete fetare kanë dëmtuar imazhin e Islamit në botë dhe kanë gjakosur me mijëra myslimanë në Siri, Irak, Jemen dhe vende të tjera islame. Gjithashtu,  Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit, në një mesazh me rastin e përvjetorit të parë të tragjedisë në Mina ku humbën jetën qindra pelegrinë iranianë, deklaroi se Ministria e Jashtme po bën përpjekje serioze për realizimin e të drejtave të familjeve të viktimave të kësaj tragjedie. Muhamed Xhevad Zarif, deklaroi se kjo çështje nuk do të hiqet nga agjenda e Ministrisë së Jashtme derisa të realizohet e drejta legjitime e viktimave dhe e të afërmve të viktimave të tragjedisë në Mina dhe padyshim kjo çështje do të jetë një nga standardet kryesore në marrëdhëniet mes Iranit dhe Arabisë Saudite. Në vazhdim të mesazhit të tij, shefi i diplomacisë së Iranit theksoi:'' Tragjedia e hidhur në Mina ku mijëra haxhinj humbën jetën në mënyrën më të tmerrshme, tregoi se si regjimi Al Saud duke marrë peng vendet e shenjta islame i shfrytëzon ato  për realizimin e qëllimeve të errëta e sektare në shërbim të imperializmit dhe sionizmit.'' ''Arroganca, egoizmi dhe pasuria e pafundme e pushtetarëve sauditë ka bërë që ata të humbasin logjikën dhe duke përkrahur grupet terroriste e takfiriste e kanë zhytur rajonin në një krizë të thellë duke krijuar kriza e shkatërrime për qeveritë dhe popujt e rajonit''- thekson z. Zarif duke shtuar se vazhdimi i këtyre politikave do të ketë përfundim të keq për regjimin saudit.

Javën e kaluar, Presidenti i Republikës Islamike të Iranit priti në Teheran sekretarin e përgjithshëm të OPEC-ut dhe deklaroi se Irani do të përkrahë çdo përpjekje për stabilizimin e tregut dhe rritjes së çmimit të naftës bazuar në drejtësi dhe në respektimin e kuotave të prodhimit nga vendet anëtare të OPEC-ut. Dr. Hasan Ruhani, president i RII, në takimin me z. Muhamed Barkindo, theksoi se në kushtet e padrejta të tregut dhe të çmimit të naftës do të vuajnë të gjitha vendet prodhuese, por edhe vendet konsumatorë të naftës. Presidenti iranian shprehu besimin se me bashkëpunimin dhe koordinimin mes vendeve të OPEC-ut do të stabilizohet çmimi i naftës në tregun botëror. Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i OPEC-ut shprehu kënaqësinë për përkrahjen e Iranit për përpjekjet e vendeve anëtare të OPEC-ut për stabilizimin e çmimit të naftës dhe shtoi se Irani ka arritur suksese të mëdha në rritjen e prodhimit të naftës pas heqjes së sanksioneve.

Javën e kaluar, miliona qytetarë iranianë pas faljes së namazit të xhumasë, zhvilluan protesta në mbarë vendin duke dënuar krimet e regjimeve Al Saud dhe Al Khalifa. Protestuesit dënuan masakrimin e mijëra pelegrinëve iranianë dhe jo iranianë nga regjimi Al Saud në Haxhin e vitit të kaluar si dhe shtypjen e egër të popullit bahrejnas nga regjimi Al Khalifa. Në këto protesta, populli iranian nderoi kujtimin e dëshmorëve të tragjedisë në Mina dhe kërkoi dënimin e autorëve të këtij krimi të tmerrshëm. Protestuesit i bënë thirrje regjimit Al Khalifa në Bahrejn t'u japë fund politikave shtypëse e kriminale ndaj muslimanëve shiitë dhe të mos persekutojë klerikun e madh shiit të Bahrejnit Sheikh Isa Kasem.