Nëntor 16, 2016 09:28 CET

Në emër të Zotit dhe me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm me titull “Irani në pasqyrën javore”.

Java e kaluar përkoi me 13 Abanin (3 Nëntor), që është shënuar në kalendarin historik të Iranit si Dita kombëtare e luftës kundër arrogancës botërore. Me rastin e kësaj dite në mbarë Iranin islamik u organizuan manifestime masive popullore, ndërsa manifestimi më masiv u organizua përballë ish ambasadës së SHBA në Teheran. Me rastin e 37 vjetorit të marrjes së “strofkës së spiunazhit” nga nxënësit dhe studentët revolucionarë iranianë, në mbarë Iranin u zhvilluan manifestime ku u hodhën parulla kundër arrogancës botërore dhe ku u dënuan politikat kriminale, luftënxitëse dhe destruktive të SHBA, regjimit sionist dhe të Arabisë Saudite kundër popujve të rajonit dhe botës. Në rezolutën përfundimtare të manifestimit me rastin e Ditës kombëtare të luftës kundër arrogancës botërore që u zhvillua në Teheran, Amerika konsiderohet armiku numër një i popujve të botës. Në rezolutën përfundimtare të ceremonisë së 13 Abanit, Ditës së nxënësit dhe kapjes së spiunëve amerikanë në Teheran, thuhet: Populli iranian, me qëllim për të kuptuar natyrën e arrogancës dhe të krimeve të vazhdueshme të Amerikës, këtë superfuqi e konsideron armikun numër një të njerëzimit. Në këtë rezolutë po ashtu thuhet: 13 Abani si një ditë frymëzimi, që ngërthen në vete një nga mesazhet më të rëndësishme të Revolucionit Islamik, u bë simbol i pasqyrimit para botës të shtypjes dhe arrogancës dhe sot kur ndërgjegja e njerëzimit është çliruar, lufta kundër politikave hegjemoniste të Amerikës konsiderohet një logjikë e fortë, virtyt dhe obligim njerëzor.

 

Lideri suprem i revolucionit islamik, në takimin e zhvilluar javën e kaluar me mijëra nxënës dhe studentë me rastin e Ditës kombëtare të rezistencës ndaj arrogancës botërore, deklaroi: “Shpirti dhe mendimi islamik, guximi në veprim, vigjilenca, inisiativa, shpresa tek e ardhmja, mosfrikësimi dhe mosdorëzimi përballë armikut, do të zgjidhin problemet e vendit.” Ajetollah Khamenei, lider suprem i revolucionit islamik, paralajmëroi mbi disa lëvizje të rrezikshme për të devijuar të vërtetën dhe logjikën e qëndresës së Imam Khomeinit (ra) dhe të popullit iranian përballë Amerikës dhe mbi krijimin e bindjes tek të rinjtë se nëpërmjet dialogut me Amerikën mund të zgjidhen problemet e vendit. Ai theksoi se 3 Nëntori është përvjetori i disa ngjarjeve të rëndësishme historike, por më e rëndësishmja prej tyre ishte marrja e “strofkës së spiunazhit” (ambasadës amerikane) nga studentët revolucionarë dhe shtoi:” Në fakt, kjo është dita e studentëve besimtarë, revolucionarë dhe me inisiativë, të cilët duke marrë “strofkën e spiunazhit” paralizuan çdo veprim të armikut.” Duke theksuar se Imam Khomeini (ra) marrjen e “strofkës së spiunazhit” e cilësoi si një revolucion të dytë, Ajetollah Khamenei shtoi:” Ky cilësim ishte për shkak të komploteve dhe intrigave të Amerikës ndaj popullit iranian si para revolucionit islamik, ashtu edhe pas tij dhe të rinjtë revolucionarë duke marrë nën kontroll “strofkën e spiunazhit” neutralizuan komplotet e Amerikës ndaj popullit iranian.” Lideri suprem i revolucionit islamik foli edhe mbi debatet e zhvilluara mes dy kandidatëve në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe theksoi:” Gjatë këtyre debateve, të dy kandidatët po publikojnë shumë kriza dhe skandale, të cilat disa nuk i besonin apo nuk donin t’i besonin, por deklaratat e këtyre dy kandidatëve dëshmojnë qartë për zhdukjen e vlerave morale e njerëzore në Amerikë.” Ajetollah Khamenei duke u bazuar në debatet e garës presidenciale në Amerikë, theksoi se tashmë është bërë i qartë niveli i lartë i racizmit dhe i varfërisë në SHBA dhe në këtë vend 90% e pasurisë është në dorën e vetëm 1% të popullsisë dhe shtoi:” Tashmë zhdukja e vlerave njerëzore, shkelja e të drejtave të njeriut, diskriminimi dhe racizmi janë realitete të pamohueshme të shoqërisë amerikane.” Lideri suprem i revolucionit islamik theksoi:” Nëse populli iranian rezistoi përballë Amerikës në kohën e Imam Khomeinit dhe vazhdon të rezistojë edhe sot, kjo rezistencë bazohet në një logjikë të fuqishme dhe reale.”

 

Javën e kaluar, presidenti i Republikës Islamike të Iranit në një bisedë telefonike me Michel Aun, e ka uruar atë për zgjedhjen president të Libanit dhe u shpreh optimist se në periudhën e re do të zgjerohen edhe më tepër marrëdhëniet Teheran-Bejrut. Hasan Ruhani, presidenti i Republikës Islamike të Iranit, deklaroi se zgjedhja e z. Aun si president i ri i Libanit është manifestim i qetësisë dhe fitore e demokracisë për të gjitha partitë politike në Liban. Ruhani tha se Republika Islamike e Iranit është e gatshme për zgjerimin e marrëdhënieve me vendin mik Libanin në të gjitha fushat. Republika Islamike e Iranit beson se kjo zgjedhje e cila është zhvilluar me anë të zgjedhjeve të shëndosha dhe të lira, nuk është fitore e një partie të veçantë, por manifestim i bashkëjetesës paqësore të të gjitha grupeve dhe palëve në Liban, prandaj konsiderohet një sukses shumë i mirë për popullin e Libanit. Ruhani u shpreh i kënaqur për përfundimin e ngërçit politik në Liban në lidhje me zgjedhjen e presidentit të këtij vendi. Nga ana e tij, Michael Aun, presidenti i ri i Libanit, falënderoi z. Hasan Ruhani dhe theksoi se Libani gjithnjë është i gatshëm për zgjerimin e marrëdhënieve me Republikën Islamike të Iranit.

 

Zv/komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit, deklaroi se potenciali mbrojtës i RII është përgjigje e fortë ndaj çdo kërcënimi dhe agresioni të huaj. Gjeneral major Husein Selami, zv/komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit, në një intervistë me agjencinë e lajmeve IRNA, theksoi: Sot potenciali mbrojtës i forcave të armatosura të Iranit është aq i fuqishëm, saqë mund të japë një përgjigje shkatërrimtare e të sigurt çdo kërcënimi dhe agresioni të armiqve. Duke theksuar se mbrojtja dhe siguria është një nga arritjet më të rëndësishme të Iranit islamik, gjeneral major Husein Selami shtoi se askush nuk do të guxojë të përdorë opsionin ushtarak kundër RII. Ndër të tjera, zv/komandanti i përgjithshëm i Gardës revolucionare të Iranit deklaroi se amerikanët duhet t’a dinë se nëse nuk zbatojnë angazhimet që rrjedhin nga marrëveshja bërthamore, Irani do e dërgojë në muze këtë marrëveshje.

 

Gjeneral Husein Selami duke reaguar ndaj deklaratës së Donald Trump se do të grisë marrëveshjen bërthamore me Iranin,  deklaroi: “Amerikanëve u themi të zbatojnë pa asnjë mangësi dhe vonesë angazhimet e tyre në kuadër të marrëveshjes bërthamore, sepse këtu është Iran, toka e popullit të guximshëm që nën rrezet e Islamit dhe të revolucionit nuk gjunjëzohet para askujt.” Ai theksoi se amerikanët duhet t’a dinë se nëse nuk zbatojnë angazhimet e tyre, do të rikthehemi atje ku ishim, centrifugat joaktive do të aktivizohen si dhe do të riaktivizohet plotësisht i gjithë programi bërthamor i Iranit. Në përfundim, zv/komandanti i përgjithshëm i Gardës revolucionare të Iranit tha:” Ne nuk do të braktisim kurrë fushën e mbrojtjes së nderit, dinjitetit dhe madhështisë së popullit të madh iranian dhe të popujve të tjerë muslimanë të botës.”

 

Ministri i punëve të jashtme të Iranit dhe kryetari i Parlamentit të Qipros kanë theksuar zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale mes të dy vendeve në fusha të ndryshme, sidomos në fushat ekonomike dhe politike. Muhamed Xhavad Zarif, ministri i punëve të jashtme të Iranit, javën e kaluar, në takim me Dimitris Silveris, kryetarin e Parlamentit të Qipros i cili qëndroi për një vizitë zyrtare në Teheran, vuri në dukje marrëdhëniet dhe bashkëpunimet bilaterale në sferat tregtare, politike, kulturore dhe shkencore dhe u shpreh optimist se këto bashkëpunime do të zgjerohen edhe më shumë mes të dy vendeve. Nga ana e tij, Dimitris Silveris, kryetari i Parlamentit të Qipros në takim me Muhamed Xhavad Zarif, mirëpriti zgjerimin e bashkëpunimeve mes të dy vendeve në fusha të ndryshme dhe deklaroi: "Qipro gjithashtu e konsideron Iranin si një vend mik dhe është i gatshëm për zhvillimin e kontakteve dhe bashkëpunimeve më të gjera për zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale dhe të bashkëpunimit në nivel ndërkombëtar".

 

Kreu i sistemit juridik të Iranit gjatë vizitës së tij në Irak është takuar dhe ka biseduar me autoritetin e lartë fetar shiit të Irakut Ajetollah Sistani. Ajetollah Sadegh Amoli Larixhani, kreu i sistemit juridik të Iranit në takim me Ajetollah Sistanin, autoritetin e lartë fetar shiit të Irakut, ka diskutuar në lidhje me çështjet me interes dypalësh. Kreu i sistemit juridik të Iranit dhe delegacioni që e shoqëroi atë, zhvilloi takime dhe bisedime me disa autoritete fetare në Naxhaf të Irakut. Kreu i sistemit juridik të Iranit ka zhvilluar takime edhe me kryeministrin irakian Hejdar Ebadi, me presidentin irakian Fuad Masum dhe me kryeparlamentarin irakian Salim Xhaburi.

 

Drejtori i sektorit të kontrollit në kompaninë kombëtare të industrisë petrokimike të Iranit, deklaroi se eksporti i produkteve petrokimike të Iranit drejt Evropës nga muaji prill deri në muajin tetor, është dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Z. Ali Mohamed Besak Zade, tha se gjatë shtatë muajve të fundit, eksporti i produkteve petrokimike të Iranit drejt vendeve të Evropës perëndimore e kryesisht në Gjermani, Angli dhe Hungari, është dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2015. Ai shtoi se një rol të rëndësishëm në shtimin e eksportit të këtyre produkteve kanë luajtur kontratat e nënshkruara në panairin ndërkombëtar të petrokimisë në Duseldorf të Gjermanisë. Drejtori i sektorit të kontrollit në kompaninë kombëtare të industrisë petrokimike të Iranit tha se që nga muaji prill e deri në muajin tetor të këtij viti, Irani ka eksportuar drejt Evropës mbi 10 milionë ton produkte petrokimike me vlerë 4.3 miliardë dollarë. Ai shtoi se kapaciteti i prodhimit të industrisë petrokimike të Iranit ka arritur në 63 milionë ton në vit dhe parashikohet që deri në vitin 2020 të arrijë në 130 milionë ton në vit.