Shkurt 20, 2016 06:50 CET

Arabia saudite që nga 26 marsi 2015 në pamje të parë me pjesëmarrjen e 9 shteteve të tjera por në praktikë e përkrahur vetëm nga EBA dhe Katari, filloi agresionin kundër Jemenit që është vendi më i varfër arab.

Më 26 janar 2016 ky agresion i shëmtuar i mbush 10 muaj. Rezultati i kësaj lufte deri në fund të vitit 2015 flet qartë për një katastrofë humanitare në Jemen. Sipas një deklarate të ministrit të shëndetësisë të Jemenit, si pasojë e agresionit të regjimit Al saud, mbi 8 mijë jemenas janë vrarë dhe mbi 28 mijë të tjerë janë plagosur. UNICEF deklaroi se mbi 1.3 milion fëmijë jemenas kërcënohen nga uria. Fondi i OKB për fëmijët deklaroi se mbi 1.3 milion fëmijë jemenas kërcënohen nga uria, ndërsa mbi 10 milionë të tjerë përballen me vuajtje dhe dhimbje të shumta për shkak të agresionit të Arabisë Saudite kundër Jemenit. Sipas UNICEF në këtë agresion deri më tani kanë humbur jetën 747 fëmijë jemenas. Në Jemen 15.2 milionë civilë janë privuar nga shërbimet më elementare mjekësore, 19. 3 milion njerëz janë privuar nga uji i shëndetshëm, ndërsa 2.5 milionë 31 % e të cilëve janë fëmijë, janë shpërngulur brenda vendit. Parashikohet që edhe në vitin 2016 situata në Jemen të karakterizohet nga lufta dhe vazhdimi i bisedimeve për paqe. 

Spikeri

Organizata e Kombeve të Bashkuara në këtë fazë të krizës së Jemenit po bënë përpjekje që nëpërmjet negociatave mes grupeve jemenase dhe nëpërmjet formimit të qeverisë së pajtimit kombëtar, tu japë fund mosmarrëveshjeve politike mes grupeve jemenase dhe në fund të ndalë luftën kundër këtij vendi të varfër arab. Vlen të theksohet se një raund i bisedimeve mes grupeve jemenase është zhvilluar në muajin dhjetor të vitit të kaluar në Zvicër, mirëpo grupet jemenase gjatë këtyre negociatave nuk arritën ndonjë rezultat të caktuar. Aktualisht, po bëhet përpjekje për organizimin e raundit të ardhshëm të negociatave mes grupeve jemenase në kohën kur ende ekzistojnë mosmarrëveshje mes grupeve jemenase në lidhje me vendin e zhvillimit të këtij raundi të negociatave. Abdulmalek Al-Mokhalafi, ministër i jashtëm në dorëheqje i Jemenit, në takim me funksionarët e Kuvajtit ka propozuar që Kuvajti të jetë organizator i raundit të ardhshëm të negociatave mes grupeve jemenase. Kuvajti ka mirëpritur këtë propozim, mirëpo lëvizja revolucionare Ansarullah e Jemenit dhe partia “Kongresi Kombëtar” e Jemenit e kryesuar nga Abdullah Saleh kanë kundërshtuar organizimin e raundit të ardhshëm të këtyre negociatave në Kuvajt. Shqyrtimi i zhvillimeve në Jemen tregon se kundërshtimi i organizimit të këtyre negociatave në Kuvajt, është një kundërshtim i bërë me të drejtë dhe duket racional. Argumenti kryesor i lëvizjes Ansarullah dhe i partisë “Kongresi Kombëtar” të Jemenit është ky që negociatat mes grupeve jemenase nuk duhet të zhvillohet në një vend i cili po merr pjesë në koalicionin e luftës kundër Jemenit dhe në mënyrë të hapur po mbështet qeverinë në dorëheqje të Jemenit. Padyshim se parakushti kryesor për suksesin e negociatave politike mes grupeve jemenase është që negociatat të zhvillohen në një vend të paanshëm i cili nuk ka kurrfarë ndërhyrje në krizën e Jemenit dhe nuk mbështet asnjërin prej grupeve jemenase. Në lidhje me rëndësinë e vendit ku zhvillohen negociatat për arritjen e një rezultati konstruktiv, ekzistojnë shumë shembuj në rajone të ndryshme të botës. Për shembull mund të kujtohet organizimi i negociatave mes grupeve libaneze në Katar në vitin 2008 ose organizimi i negociatave bërthamore mes Iranit dhe Grupit 5+1 në Zvicër dhe Austri. Një prej arsyeve të suksesit të këtyre negociatave ka qenë konfirmimi i paanshmërisë së vendit organizator në lidhje me çështjen. Siç duket OKB në këtë rast synon të përdor shembullin e negociatave rreth krizës në Libi të cilat pasi nuk arritën sukses në Zvicër, u organizuan në Marok, në një vend arab dhe grupet libiane arritën marrëveshjeje. Edhe pse organizimi i negociatave në një vend arab, konsiderohet një ide e mirë, mirëpo nuk duhet harruar se Maroku në negociatat e grupeve libiane ishte plotësisht i paanshëm ndaj të gjitha grupeve të përfshira në krizën e Libisë dhe nuk ka mbështetur asnjërin prej tyre në këto negociata.

Spikeri

Kohët e fundit përfaqësuesi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për çështjet e Jemenit foli për përpjekjet e kësaj organizate që takimi i ardhshëm mes palëve jemenase të jetë më i mirë. Ndërkohë, Ismail Valid Sheik, tha se takimi i kaluar në Gjenevë është organizuar shumë shpejt dhe rezultati ishte me disa gabime. Valid Sheik tha se raundi i ri i negociatave mes palëve jemenase nuk duhet të organizohet me nxitim dhe të gjitha palët e futura në konflikt duhet të angazhohen seriozisht për të ardhmen politike të Jemenit. Përfaqësuesi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Jemenin, ndër të tjera shtoi se po bën përpjekje për ndërprerjen e përleshjeve dhe të krizës në kufijtë e Jemenit me Arabinë Saudite dhe parandalimin e vazhdimit të këtyre përleshjeve. Valid Sheik theksoi se para organizimit të raundit të ardhshëm të bisedimeve për vendosjen e armëpushimit në Jemen, palët duhet të krijojnë besim tek njëri-tjetri. Përfaqësuesi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për çështjen e Jemenit, gjatë vizitës së fundit në Jemen, pa përcaktuar datën e organizimit të takimit të ardhshëm të Gjenevës është larguar nga Jemeni.

Spikeri

Forcat e ushtrisë së Jemenit dhe forcat e lëvizjes Ansarullah nuk po luftojnë vetëm me forcat agresore të koalicionit saudit por edhe me përkrahësit e Mansur Hadit, të cilat janë forca proksi e Arabisë Saudite në Jemen, ndërsa gjendja bëhet më e rrezikshme pasi regjimi Al Saud bashkëpunon ngushtë me terroristët e Al Kaedas dhe të ISIS në luftën kundër forcave revolucionare jemenase. Forcat ajrore saudite amerikane kurrë nuk kanë goditur terroristët e Al Kaidas dhe të ISIS, por gjithnjë kanë qenë mbështetës të sulmeve të terroristëve të këtyre grupeve në Jemen. Një prej krimeve të këtyre terroristëve ka qenë pushimi i të gjitha institucioneve shtetërore nga funksionimi, ndërprerja e funksionit të universiteteve, shkollave dhe ekzekutimi i personaliteteve intelektuale, dijetarëve dhe personaliteteve të tjera në provincat jugore të Jemenit, ndërsa kjo është në kohën kur terroristët e këtyre grupeve përveç këtyre krimeve, kanë shkatërruar edhe shumë objekte të kulturës islame dhe varrezat e myslimanëve në shumë provinca të këtij vendi me mbështetjen e koalicionit amerikan-saudit-sionist.

Spikeri

Një tjetër rrezik për Jemenin është skenari i ndarjes së këtij vendi. Edhe tani Jemeni nuk ka një qeveri kombëtare, por një qeveri të dorëhequr të kryesuar nga Mansur Hadi dhe ai së bashku me anëtarët e ish qeverisë së tij që prej 6 muajsh u strehua në Arabinë Saudite dhe tashmë është kthyer në Aden në jug të Jemenit. Ndërkohë, rajonet veriore të Jemenit kontrollohen nga forcat e Ansarullah dhe të Ali Abdullah Saleh dhe gëzojnë përkrahjen e ushtrisë jemenase. Me fjalë të tjera, në kushtet aktuale Jemeni praktikisht është i ndarë në pjesën veriore dhe jugore, megjithëse në pjesën veriore nuk është formuar një qeveri, ndërsa qeveria e dorëhequr e Mansur Hadit vazhdon të marrë pjesë në forumet ndërkombëtare si përfaqësuese e Jemenit. Nga ana tjetër forcimi i pranisë së Al Kaedas dhe ISIS në rajone të ndryshme të Jemenit e veçanërisht në zonat jugore, e shton rrezikun e shpërbërjes së këtij vendi. Që nga vitet 1990 Al Kaeda ka bazë në Jemen dhe gjatë revolucionit të vitit 2011 u forcua për shkak të dobësisë menaxhuese të Ali Abdullah Saleh. Al Kaeda duke shfrytëzuar vakumin e pushtetit në Jemen dhe konfliktin e armatosur në këtë vend, e ka forcuar edhe më shumë pozitën e saj dhe këtu ka ndikuar edhe bashkëpunimi i regjimit Al Saud dhe i presidentit të dorëhequr Mansur Hadi me Al Kaedan dhe ISIS.

Spikeri

Në përgjithësi mund të thuhet se perspektiva e krizës në Jemen do të jetë një kombinim mes vazhdimit të luftës dhe negociatave dhe në këtë mes do të shtohet edhe më shumë rreziku i ndarjes së këtij vendi. Duke pasur parasysh se politikat e fuqive të mëdha e në veçanti të SHBA në lidhje me vendet e rajonit të Azisë Perëndimore, është krijimi i shteteve të vogla nëpërmjet ndarjes së vendeve të mëdha, duket se destabiliteti aktual, konflikti i brendshëm dhe agresioni saudit do të çojnë në mënyrë të pashmangshme në ndarjen e Jemenit. 

Tags