Korrik 13, 2017 09:13 CET

Me përfundimin e operacioneve për çlirimin e qytetit Mosul, qendër e provincës Ninva dhe me çlirimin e këtij qyteti nga pushtimi i grupit terrorist ISIS, pothuajse ka përfunduar jeta e këtij grupi terrorist në Irak dhe vetëm një numër i vogël i terroristëve të këtij grupi takfirist ndodhen në mënyrë paorganizuar në disa rajone të Irakut. Me këtë rast në këtë program do të shqyrtojmë faktorët që u benë shkak për shfaqjen e ISIS në Irak.

ISIS në fillim ishte degë e Al Kaidas në Irak, mirëpo në vitin 2006, e ndërroi emrin në "Shteti Islamik" kurse në vitin 2013, ky grup përsëri e ndërroi emrin në "Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë". Terroristët e ISIS në qershor të vitit 2014, hyrën në Irak dhe pushtuan një pjesë të territoreve të tre provincave Ninva, Salahudin dhe Anbar. Shumë shkaqe mund të përmenden në lidhje me pushtimin e lehtë të rajoneve të ndryshme të Irakut nga grupi terrorist ISIS, mirëpo disa prej shkaqeve më të rëndësishme janë si në vijim:

  1. ISIS, rezultat i politikës së Amerikës në Irak

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2003, sulmuan dhe pushtuan ushtarakisht Irakun dhe ky proces rezultoi me rrëzimin e regjimit diktatorial Ba'th në Irak. Mesazhi i sulmit ushtarak të Amerikës në Irak nuk ishte vetëm rrëzimi i regjimit diktatorial Ba'th, por Iraku me këtë proces hyri në një periudhë të vakumit politik dhe të mosmarrëveshjeve ndëretnike dhe ndërfetare. Nga ana tjetër, Amerika për praninë afatgjate dhe të vazhdueshme në Irak kishte nevojë për këtë që Iraku të përballej me mungesë të sigurisë. Në realitet, interesat e Amerikës ndodheshin në mungesën e sigurisë në nivel të Lindjes së Mesme në përgjithësi dhe në nivel të Irakut në veçanti, sepse mungesa e sigurisë plotësonte nevojën e pranisë ushtarake të Amerikës në rajonin e Lindjes së Mesme dhe në mënyrë të veçantë në Irak. Prandaj, Iraku për këtë arsye u bë një arenë e pasigurisë në të cilën u shtuan sulmet terroriste dhe shpërthimet kamikaze, si dhe shfaqja e grupit terrorist ISIS pas largimit të forcave ushtarake të Amerikës nga ky vend në fund të vitit 2011.

Shumë analistë besojnë në këtë se faktori kryesor për shfaqjen e grupit terrorist ISIS në Irak, ishte politika e Amerikës ndaj këtij vendi. Në lidhje me këtë çështje Noam Chamsky, mendimtar dhe teoricien i njohur amerikan, beson se "pushtimi dhjetëvjeçar i Irakut nga Amerika dhe Anglia, është burim kryesor i shfaqjes së grupit terrorist ISIS në këtë vend, për arsye se ky pushtim e futi Irakun në një periudhë të mungesës dhe vakumit politik. Një periudhë e tillë për një vend si Iraku në të cilin ekziston një vështrim sipas grupeve etnike dhe fetare ndaj pushtetit, është shumë e rrezikshme". Gjithashtu, David Ignaciuz në një artikull të publikuar me titull: "Si u zgjerua ISIS në Lindjen e Mesme" më datë 29 tetor 2015 në faqen e internetit "The Atlantic", ka shkruar: "ISIS edhe pse në qershor të vitit 2014, hyri në Mosul, mirëpo ky grup dhjetë vite më parë kishte deklaruar ekzistencën e vetë në Irak. Rrënjët e ISIS ndodhen në disfatën e Amerikës në Lindjen e Mesme gjatë një dekade të kaluar. Veprimet e Amerikës në Irak u bënë shkak për krijimin e një mungesës të sigurisë në këtë vend dhe këtë mungesë e mbushën ekstremistët. Nga ana tjetër, kur Amerika sulmoi ushtarakisht Irakun, Abu Mus'ab Zarkavi, lideri i parë i ISIS në Irak, bëri aleancë me elementët e mbetur nga ish-regjimi Ba'th dhe formoi një organizatë terroriste në Irak e cila ishte e varur nga Al Kaidan".

2. Moskrijimi i qeverisë kombëtare në Irakun e pas Sadam Husejnit

Një prej faktorëve më të rëndësishme që krijon rrethanat për formimin dhe organizimin e grupeve terroriste si ISIS në një vend, është ky që ai vend të mos ketë një qeveri të fuqishme kombëtare në nivel të brendshëm dhe Iraku e kishte këtë karakteristikë. Në përgjithësi gjatë 15 viteve të fundit shtetet më të fuqishme arabe si Iraku, Egjipti dhe Siria u dobësuan në masë të madhe. Në Irakun e pas Sadam Husejnit, për shkak të mosmarrëveshjeve etnike dhe fetare, nuk ishte formuar një qeveri kombëtare e fuqishme. Në kohën kur deri para sulmit të Amerikës në Irak në vitin 2003, në këtë vend pakica sunite e kishte pushtetin në dorë, në ambientin e brendshëm pas Sadam Husejnit, shumica e myslimanëve shiitë kishin ardhur në pushtet dhe kjo kishte krijuar pakënaqësinë e grupeve politike sunite të këtij vendi dhe kjo çështje u bë shkak gjithashtu që shtetet e huaja ta shfrytëzojnë këtë pakënaqësi kundër sistemit politik shtetëror të ri në Irak. Njëkohësisht me këtë, kurdët e Irakut gjithashtu para se të përkufizojnë veten në kuadër të identitetit irakian, ata e përkufizojnë veten në formën e identitetit kurd duke kërkuar pavarësi nga Iraku dhe formimin e një shteti kurd. Prandaj, një atmosferë e tillë konsiderohej rasti më i mirë për paraqitjen e grupeve terroriste dhe për tërheqjen e grupeve të pakënaqura.

3. Mungesa e forcës ushtarake të fortë dhe besnike ndaj sistemit politik shtetëror

Një prej pasojave më të rëndësishme të sulmit ushtarak të Amerikës në Irak, oshte shkatërrimi i forcave ushtarake të këtij vendi. Në realitet, Iraku i pas Sadamit nuk kishte një forcë ushtarake të fortë. Gjithashtu, forcat ushtarake të Irakut parasegjithash kishin njohuri v etëm me luftën tradicionale dhe nuk kishin eksperiencë fare kundër lëvizjeve guerile dhe luftërave të pasistemuara. Njëkohësisht me këtë, elementët e mbetur nga ish-regjimi Ba'th, akoma janë të pranishëm në ushtrinë dhe në strukturat e sigurisë së Irakut dhe nuk janë besnikë ndaj sistemit të ri politik shtetëror të Irakut. Kështu që ISIS në qershor të vitit 2014, pa ndonjë rezistencë serioze të forcave ushtarake të Irakut, hyri në Mosul, por edhe tradhtia e disa elementëve të lartë ushtarakë të Irakut gjithashtu ka luajtur rol të rëndësishëm në pushtimin e Mosulit nga grupi terrorist ISIS. Në bazë të kësaj, Ajetullah Sistani, autoriteti i lartë shiit në Irak, duke njohur këtë gjendje, kërkoi formimin e forcave vullnetare popullore për të luftuar kundër terroristëve të ISIS dhe deklaroi se lufta kundër terrorizmit është obligim fetar për çdo qytetar irakian i cili ka mundësi të luftojë. Duke marrë parasysh këtë dekret fetar, qeveria e Irakut formoi forcat vullnetare popullore "Hashd Sha'bi të përbëra nga 100 mijë pjesëtarë dhe kjo forcë luajti rolin kyç në luftën kundër grupit terrorist ISIS. Në lidhje me këtë, Masud Asadullahi, ekspert i çështjeve të Lindjes së Mesme, beson se "sulmi i grupit terrorist ISIS u bë shkak që të krijohet një ekzistencë e "shenjtë" për Irakun me emrin "Hashd Sha'bi". Forcat vullnetare popullore Hashd Sha'bi kanë luajtur rol kyç në çlirimin e të gjitha rajoneve duke përfshirë edhe Mosulin, prandaj këto struktura të formuara me forcat vullnetare popullore, u bënë ligjore me anë të një miratimi të Parlamentit të Irakut". Prandaj mund të thuhet se formimi i Hashd Sha'bi do të thotë përpjekja e qeverisë së Irakut për krijimin e ushtrisë besnike ndaj sistemit të ri politik shtetëror të këtij vendi.

4. Kriza e depërtimit të qeverisë në rajonit e populluara me myslimanë sunitë

ISIS për të qenë i pranishëm në Irak, në radhë të parë vendosi qëllim rajonet e banuara me myslimanë sunitë në Irak. Në bazë të kësaj, ISIS në fillim hyri në Mosul, qendër e provincës Ninva dhe më pas hyri në Tikrit, qendër e provincës Salahudin dhe në Ramadi, qendër e provincës Anbar. Dy arsye kryesore ekzistojnë në lidhje me këtë çështje. Së pari është kjo që potenciali i pakënaqësisë ekzistonte në rajonet e dominuar me myslimanë sunitë për shkak të humbjes së pushtetit politik nga sunitët dhe ata më nuk ishin në krye të pushtetit siç ishin në kohën e Sadam Husejnit. Së dyti, qeveria qendrore e Bagdadit, gjithashtu, nuk e kishte atë ndikim në këto rajone ashtu siç e kishte në rajonet e banuara me myslimanë shiitë. Prandaj mund të thuhet se në këto rajone ekzistonin rrethanat e duhura për të pranuar ISIS. Ideja e "Khalifatit Islamik" e paraqitur nga khalifi i vetëshpallur Abu Bekr Baghdadi, gjithashtu, krijoi kushtet për depërtimin e ISIS në rajonet e dominuar me myslimanë sunitë në Irak.

5. Mosmarrëveshja e grupeve politike rreth zgjedhjes së kryeministrit të ri

Pas organizimit të zgjedhjeve parlamentare në Irak në muajin prill të vitit 2014, ku koalicioni "Shteti i Ligjit" i drejtuar nga Nuri Maleki fitoi shumicën dërmuese të kursive në Parlamentin e Irakut, çështja e zgjedhjes së kryeministrit u shndërrua në një tension politik brenda këtij vendi. Në kohën kur Nuri Maleki pas dy mandateve si kryeministër i Irakut, besonte se pasi që partia e drejtuar nga ai ka fituar shumicën dërmuese të kursive në Parlament, ai ka të drejtë që edhe për të tretin mandat të bëhet kryeministër i Irakut dhe ta formojë qeverinë e re, kundërshtarët e Nur Maleki besonin se mandati i tretë i Nuri Malekit si kryeministër është një veprim jodemokratik dhe koalicioni "Shteti i Ligjit" duhet të prezantojë një person tjetër si kandidat për formimin e qeverisë së re. Këto rrethana të cilat në një farë mënyre tregonin se në Irak nuk ka qeveri dhe krijuan disa probleme në procesin e transferimit të pushtetit, si dhe me ndërhyrjen e disa fuqive rajonale dhe ndërkombëtare, krijuan kushtet për sulmin e grupit terrorist ISIS në Irak.

6. Tradhtia e disa faktorëve të brendshëm

Një arsye tjetër më rëndësishme e shfaqjes së grupit terrorist ISIS në Irak, është tradhtia e disa faktorëve të brendshëm të këtij vendi. Forcat ushtarake të Irakut në Mosul jo vetëm që nuk treguan kurrfarë rezistence përball sulmit të terroristëve të ISIS, por disa funksionarë të pushtetit lokalë të kësaj province si Athil Al-Naxhifi, kryetar i provincës Ninva, duke i dhënë pushim personelit administrativ dhe duke mbyllur stacionet e policisë megjithë faktin se ishte i informuar për sulmin e grupit terrorist ISIS, janë akuzuar për tradhti në lidhje me këtë çështje. Hanan Al-Fatlavi, anëtar i koalicionit "Shteti i Ligjit", në lidhje me këtë thotë: "Athil Al-Naxhifi ka luajtur rol të madh në hyrjen e terroristëve të ISIS në Mosul, për arsye se ai në fillim u paraqit se po rezistonte kundër terroristëve të ISIS dhe po mbronte qytetin, mirëpo disa orë më vonë pas hyrjes së terroristëve të ISIS në Mosul, në mënyrë poshtëruese u arratis në Arbil në mënyrë që nga atje të ndiqte komplotin kundër Nuri Maleki dhe kundër proceseve politike në Irak".

Në fund duhet thënë se edhe pse një numër i terroristëve të grupit takfirist ISIS akoma janë të pranishëm në Irak, mirëpo çlirimi i qytetit Mosul, do të thotë fundi i jetës së ISIS në Irak. Kjo është për arsye se qëllimi kryesor i ISIS ishte formimi i "Khalifatit Islamik" në Irak dhe Siri! Prandaj çlirimi i Mosulit që ishte qendra kryesore e ISIS në Irak, gjithashtu do të thotë shkatërrimi i ëndrrës për formimin e "Khalifatit Islamik" nga ky grup terrorist.

Tags