Përshëndetje Ramazan! (Emision special për mirëpritjen e muajit të shenjtë Ramazan)
Ramazani, muaji i gostisë së Zotit po vjen dhe besimtarët janë të ftuar për një muaj në këtë gosti hyjnore.
Falënderojmë Zotin që e caktoi Ramazanin në mënyrë që të njihen rrugët e mirësisë. Lavdia i takon Zotit që i zbriti suret e qarta qiellore në një muaj të tillë dhe i ndriçoi si yje të shndritshëm në gjoksin plot dritë të Profetit (s.a.v.s.). Po vjen një muaj më i ndritshëm se njëmbëdhjetë muajt e tjerë.
E lavdërojmë Atë të Vetmin që ndezi llambën e të ngrënit dhe të pirit në errësirën e natës, në mënyrë që të ndriçohet dinjiteti dhe shenjtëria e Ramazanit.
O Zot! Bëji më të ndezura për ne flakët e njohjes së virtytit, të madhështisë dhe të kremtimit të këtij muaji të dashur dhe hidh perde bindjeje dhe kënaqësie në sytë tanë për t'i penguar shikimet tona nga mosmirënjohjet që ndodhin në të!
O Zoti im! Për nder të të gjithë atyre që kanë shtrirë sixhadet e adhurimit për Ty në një muaj të tillë, na fto në kopshtet e Parajsës që ke premtuar!
O Zoti im! Ti je Ai që e vendose Ramazanin në majat më të larta dhe Ti je Ai që shtroi sofrën e urisë dhe të etjes dhe na ftove të jemi mysafirë në gostinë Tënde. Prandaj, ne të lavdërojmë Ty dhe Ramazanin Tënd.
Përshëndetje Ramazan!
Paqja qoftë mbi ty, o muaj i Ramazanit, që i jep dritë nga drita e përjetësisë fenerit të veprave tona!
Paqja qoftë mbi ty, se vlera e Kadrit tënd është më e lartë se një mijë net; nëse ne e njohim vlerën e atij Kadri.
O pranverë, o mik, o mikpritës, që vjen në çdo shtëpi dhe na jep shporta me lule lutjeje dhe Kur'ani!
Paqja qoftë mbi ty që na merr përdore nëpër rrugicat gjarpëruese të mëkatit dhe na çon drejt rrugës së shpëtimit!
Paqja qoftë mbi ty, o i afërt i shtrenjtë! Paqja qoftë mbi ty, që me kthjelltësinë e lutjes së agimit pastron pasqyrën e zemrave tona dhe je një mbështetje e sigurt në tatëpjetën e rrëshqitjeve.
Muaji Shaban ka përfunduar dhe ne jemi në pritje të Ramazanit. Për iranianët, Ramazani do të thotë atmosferë për t'u ulur pranë tryezës së syfyrit, ngazëllim dhe pritje për t'u ulur pranë tryezës së iftarit, për të dëgjuar jehonën e lutjes: "O Zoti ynë, na fal neve..."
Ramazani nuk është vetëm një ritual fetar i veçantë për myslimanët, ai është një kulturë e institucionalizuar tek çdo mysliman, pavarësisht nga ngjyra dhe raca; dhe myslimanët iranianë nuk janë të përjashtuar nga kjo prirje.
Banorët e Iranit të lashtë, që në kohët më të hershme, si çdo qytetërim i lashtë, mbanin rituale të veçanta për shumë nga eventet e tyre kombëtare dhe fetare. Pas ardhjes së Islamit në Iran, shumë ngjarje islame morën një aromë iraniane dhe, madje, iranianët krijuan rituale dhe ceremoni të reja për Islamin, të cilat nuk ekzistonin më parë.
Muaji i shenjtë i Ramazanit është një nga eventet islame që mori një aromë iraniane pas hyrjes në Iran. Banorët e kësaj toke të lashtë e shohin muajin e Ramazanit si një perlë të çmuar, përdorimi i drejtë i së cilës varet nga njohja e mjaftueshme e saj. Pa përgatitje, nuk mund të mirëpritet muaji i shenjtë i Ramazanit.
Agjërimi para muajit të Ramazanit është zakoni më i njohur i ditëve të fundit të muajit Shaban dhe i pritjes së Ramazanit. Besimtarët nuk e humbin agjërimin e tri ditëve të fundit të Shabanit dhe, nëse e kanë humbur rastin për të agjëruar në muajin Rexheb apo Shaban, të agjërojnë së paku këto pak ditë, veçanërisht një ditë para Ramazanit, dhe të shkojnë në pritje të agjërimit të muajit të shenjtë Ramazan.
Muaji Rexheb dhe Shaban janë dy muajt që e paraprijnë muajin e Ramazanit. Vetë muaji i Ramazanit ka një pozitë të pavarur dhe që nga ora e parë e këtij muaji të bekuar e deri në fund të tij është mëshirë dhe falje. Nëse dikush dëshiron ta fitojë identitetin e robërisë (para Zotit) vetëm në Ramazan, është tepër vonë. Si një sportist që dëshiron të stërvitet në momentin e garës. Pa dyshim, ky person nuk do të ketë sukses, sepse arena nuk është vend për stërvitje dhe Ramazani është arenë. Muaji Rexheb dhe Shaban është koha e stërvitjes për të mbërritur në muajin e Ramazanit.
Nëse ta ka ënda lartësimin në rrotën e jetës
Dije se doriu yt duhet të vrapojë në mejdanin e agjërimit
Domethënia e 'pritjes së muajit të Ramazanit' është të përgatitemi për këtë muaj të shenjtë duke adhuruar, falur dhe agjëruar në ditët para fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit. Pra, njerëzit fillojnë të agjërojnë një ditë ose disa ditë para fillimit të Ramazanit, sipas aftësive dhe motivimit të tyre.
Por çështja është se 'pritja e muajit të Ramazanit' nuk është një gjë e detyrueshme apo e domosdoshme; është thjesht një adhurim i këndshëm dhe i mirë. Në Sheriatin e Shenjtë nuk ekziston agjërimi i quajtur 'agjërimi i pritjes', prandaj, njerëzit që agjërojnë në pritje të muajit të shenjtë të Ramazanit, agjërimi që e mbajnë është me qëllim të agjërimit mustehab, ose nëse kanë ndonjë agjërim kaza (shlyerje) apo ndonjë agjërim të detyrueshëm mbi supet e tyre, ata agjërojnë me nijet të agjërimit kaza (shlyerje).
Profeti i madh i Islamit (s.a.v.s.) mbajti një hutbe (ligjëratë fetare) të premten e fundit të muajit Shaban dhe, në këtë hutbe ai theksoi se duhet të bëhet një mikpritje e madhe për muajin e Ramazanit. Ai tha: "...Kad akbele alejkum shehrullah..." që do të thotë: "Po ju vjen muaji i Zotit".
Ai e quajti muajin e Ramazanit “zijafetullah” që do të thotë "gosti e Zotit" dhe kështu, përkujtoi se duhet t'i kushtohet vëmendje etikës së shkuarjes në gosti. Natyrisht, për një person të çfarëdo feje, kulture dhe rituali, ka disa rregulla të etikës për të shkuar në një gosti. Para së gjithash, pastrimi i vetes nga çdo gjë që është e pakëndshme për nikoqirin si dhe për të tërhequr vëmendjen e nikoqirit, rregullimi i vetes. Madje, edhe përgatitja e mendjes dhe e ndërgjegjes është një nga çështjet thelbësore të kësaj përgatitjeje.
Tani, sa më i rëndësishëm të jetë mikpritësi, aq më e madhe dhe më e plotë bëhet kjo përgatitje dhe ndjeshmëri. Prandaj, para se të hyjmë në gostinë e Krijuesit të Vetëm, duhet të shohim se çfarë cilësish dhe karakteristikash ka mikpritësi. Ai është një Zot i mëshirshëm, prandaj njeriu duhet të bëjë mirësi dhe, para se të hyjë në praninë e Zotit të Mëshirshëm, ai duhet të tregojë mëshirë me të tjerët. Ai është i Mëshirshëm dhe Falës, ndaj para se të hyhet në praninë e Zotit, njeriu duhet të falë dhe për një pritje të gëzuar e plot hare të kësaj feste madhështore, ai duhet të sigurojë kënaqësinë e Zotit dhe pranimin nga ana e Tij me mirësjellje, bamirësi, përkushtim dhe dashuri ndaj të afërmve dhe njerëzve që e rrethojnë. Me kënaqësinë e Zotit, njeriu e arrin afërsinë dhe njohjen e Zotit deri në atë masë sa Zoti nuk vendos asnjë pengesë ndërmjet atij dhe Vetes; e, ky është statusi i miqve të Zotit.
Pendimi (teube) dhe kërkimi i faljes (istigfar) janë faktorët më të rëndësishëm të gjallërisë shpirtërore dhe pranisë së vetëdijshme në muajin e agjërimit. Pejgamberi (s.a.v.s.) në hutben e fundit të muajit Shaban ka thënë: “O njerëz, shpirtrat tuaj janë pengje të veprave tuaja, prandaj lirojini me kërkimfaljen tuaj"...
Natyrisht, kërkimfalje (istigfar) nuk do të thotë vetëm të kërkosh falje për mëkatet dhe të lash zemrën nga papastërtitë.
Sipas Ajetullah Khameneit: “Kjo ndjesë, e cila natyrshëm shoqërohet me një qëllim (nijet) të sinqertë, krijon një pastërti tek ju, një pastërti që tërheq mëshirën hyjnore... Në lutje lexojmë: "Allahumme inni es'eluke muxhibati rahmetik" ["O Zoti im, kërkoj prej Teje (të më favorizosh me) shkaqet e mëshirës Tënde!"]. Ka disa shkaqe që e sjellin mëshirën hyjnore dhe ia ofrojnë atë njeriut. Kërkimfalja (istigfari) është efektive në të gjitha fushat e jetës; le të themi: në çështjet aktuale të jetës. Siç urdhëron në ajetin 52 të sures Hud: “O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai të penduar, se Ai do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj...” Kjo është shumë e rëndësishme. Kjo as nuk është një çështje personale, është një çështje e përgjithshme; është të kërkosh ndihmë nga kërkimfalja (istigfari) për të triumfuar në fusha të ndryshme. Kjo do të thotë se ne nuk duhet ta shohim kërkimfaljen sikur, për shembull, kërkimfalja të jetë e mjaftueshme vetëm për mëkatet personale dhe për të larë zemrat tona. Jo! Kërkimfalja (istigfari) funksionon në aspektet kombëtare, ka efekt në aspekte të mëdha sociale; dhe neve na çon drejt sukseseve të mëdha.
Për këtë arsye, që në natën e parë të Ramazanit xhamitë dhe qendrat e adhurimit kanë një tjetër pasion. Të rinjtë zbukurojnë dyert dhe veshin me stoli muret e xhamive. Larja dhe pastrimi i tapetëve, shpluhurosja e xhamive dhe pastrimi me themel i zemrave është fillimi i mirëseardhjes së festës së madhe të Ramazanit. Si të thuash, shpluhurosja e xhamive është edhe një hap për të shembur pluhurin e përditshmërisë dhe për të përgatitur zemrën për gostinë e Zotit. Është një paralajmërim në këtë botë virtuale që t'i kthehemi pak vetes dhe të kujtojmë se një ditë do të kthehemi tek i Vërteti Absolut, atje ku nuk ishim asgjë më shumë se baltë dhe me frymëzim hyjnor erdhëm në jetë dhe u rritëm.