Lufta kundër regjimit sionist nga pikëpamja e Islamit
(last modified Sat, 09 Dec 2023 19:26:00 GMT )
Dhjetor 09, 2023 20:26 Europe/Tirane

Në këtë program do të shikojmë se çfarë pikëpamje ka feja e pastër Islame në lidhje me vetëmbrojtjen dhe luftën kundër dhunës, padrejtësisë, agresionit dhe pushtimit?

Bombardimet dhe sulmet barbare të regjimit pushtues sionist ndaj popullatës civile palestineze në Rripin e Gazës kanë ngjallur zemërimin dhe neverinë e të gjithë qytetarëve të botës kundër këtij regjimi gjakpirës. Tani, kjo pyetje themelore është ngritur edhe një herë: deri kur duhet të jetë Palestina nën pushtimin e regjimit racist izraelit dhe deri kur populli palestinez duhet të vritet, të plagoset, të dëbohet me dhunë nga vendbanimet e veta dhe të burgoset nëpër burgjet e regjimit pushtues sionist? Pse Bashkësia Ndërkombëtare e injoron pushtimin dhe masakrimin e popullit palestinez nga regjimi pushtues sionist, por në raste të tjera të ngjashme, ndërmerr veprime shumë të shpejta dhe shumë të ashpra? Sipas të drejtës dhe ligjeve ndërkombëtare, pushtimi i një vendi është i dënuar dhe i papranueshëm, dhe populli i atij vendi ka të drejtën ligjore të vazhdojë luftën kundër pushtuesve derisa ata të dëbohen nga territori i atij vendi. Operacioni “Stuhia Al-Aksa”, i cili u krye nga Lëvizja e Rezistencës Islamike të Palestinës (Hamas) më 7 tetor, ishte në përputhje me zbatimin e kësaj të drejte ligjore dhe racionale të popullit palestinez. Tani duam të shohim se cili është qëndrimi i fesë islame në lidhje me vetëmbrojtjen dhe përballjen me shtypjen, agresionin dhe pushtimin? Një shikim kalimthi mbi mësimet dhe vlerat e fesë së pastës Islame tregon se kjo shkollë hyjnore është një lajmëtar i paqes, miqësisë dhe drejtësisë. Por ka pasur gjithmonë individë, grupe dhe shtete që kanë ndjekur rrugën e shtypjes dhe të cenimit të jetës, pronës dhe tokave të të tjerëve dhe praktikisht kanë shkatërruar terrenin e paqes dhe qetësisë për njerëzit. Në rrethana të tilla të padëshiruara dhe të hidhura, feja Islame trajton në mënyrë të prerë dhe me vendosmëri agresionin dhe shtypjen e dhunshme të njerëzve, në mënyrë që duke zmbrapsur luftën dhe të keqen e saj, njerëzit të mund të jetojnë sërish së bashku në paqe dhe qetësi.

Në Islam nuk dënohet vetëm shtypja e të tjerëve, por dënohet edhe shtypja dhe nënshtrimi ndaj fuqive pushtues dhe agresore. Në fund të ajetit 279 të sures El-Bekare, Zoti i madhëruar thotë se nuk duhet të shtypni të tjerët dhe as nuk duhet t'i nënshtroheni shtypjes. Prandaj, lufta dhe rezistenca e popullit palestinez është pikërisht zbatimi i këtij parimi Islamit dhe Kur'anit të shenjtë. Në suren Haxh, ajetet 39 dhe 40, kjo çështje shprehet qartë dhe Zoti i madhëruar thotë: “Atyre që janë sulmuar dhe vrarë padrejtësisht, u është dhënë leje të mbrohen dhe të luftojnë. Dhe sigurisht që Zoti ka mundësi dhe forcë t'i ndihmojë ata. Ata të cilët u dëbuan me pa të drejtë nga shtëpitë dhe vendbanimet e tyre [dhe nuk kishin asnjë faj tjetër,] vetëm se thanë: "Zoti ynë është i vetmi Zot"...".

Në ajetin 39 të kësaj sure kur'anore, myslimanët jo vetëm që inkurajohen për t'u mbrojtur, por Zoti i madhëruar u ka premtuar atyre se do t'i ndihmojë ata. Është interesante fakti se Kur'ani i shenjtë në ajetin tjetër i prezanton të shtypurit si njerëz që janë dëbuar nga toka dhe vendbanimet e tyre, gjë që është shumë e ngjashme me gjendjen aktuale të popullit palestinez. Shembulli më i mirë i mospajtueshmërisë me shtypësin dhe tiranin, ishte kryengritja e Husejn bin Aliut (a.s), nipit të dashur të Profetit të nderuar të Islamit, Hazretit Muhamed s.a.v.s., kundër shtypjes dhe tiranisë së Jezid bin Muavijes, halifit të dinastisë Emevite. Imam Husejni (a.s.), i cili nuk e konsideroi Jezidin të denjë për kalifat dhe udhëheqjen e myslimanëve, nuk pranoi të bëjë besëlidhje me atë dhe kështu ai dhe shokët e tij ranë dëshmor në mbrojtjen e të drejtave dhe idealeve islame. Në fushën e betejës, Imam Husejni (a.s.) vuri në dukje se atë e kishin vendosur në mes të dy rrugëve: të vritet ose të dorëzohet dhe të bëjë kompromis me Jezidin, prandaj ai tha me zë të lartë: "Është e pamundur që ne t'i nënshtrohemi poshtërimit". Në këtë mënyrë, ai njeri i nderuar u bë shëmbëlltyrë për njerëzit e lirë dhe kërkuesit e të drejtave në botë gjatë gjithë historisë.

Bejtul-Mokades

Ajo që Hamasi dhe grupet e tjera të rezistencës islame po bëjnë tani, në fakt është ndjekja e të njëjtit slogan dhe metodë dinjitoze të Imam Husejnit (a.s.), e cila u përdor këtë herë kundër pushtuesve të gjakatarë sionistë. Regjimi i rremë izraelit ka pushtuar Palestinën për 75 vjet me ndihmën e shteteve perëndimore, veçanërisht të Amerikës dhe Anglisë, dhe nuk ka reshtur së kryeri krime ndër më të egrat kundër popullit të Palestinës. Grupet palestineze, të cilët kërkonin mbështetje ndërkombëtare dhe arabe gjatë kësaj periudhe, e kuptuan se nuk ka kurrfarë shprese nga institucionet ndërkombëtare dhe rajonale, prandaj ata vetë duhet të rrisin fuqinë e tyre ushtarake duke u mbështetur te Zoti dhe duke u mbështetur në përkrahjen dhe ndihmën e popullit palestinez dhe të luftojnë vetë kundër ushtrisë pushtuese sioniste. Sepse në suren Saf, ajeti 4, Zoti i madhëruar u kërkon besimtarëve myslimanë që të përgatiten dhe pajisen sa më shumë që të jetë e mundur kundër armiqve të tyre.

Edhe Imam Aliu (a.s.) e shpreh këtë çështje si vijon: “Dijeni se njerëzit e dobët dhe të paaftë nuk mund ta largojnë kurrë zullumin dhe shtypjen dhe e drejta nuk mund të merret veçse me përpjekje dhe punë të pandalshme...”. Në këtë mënyrë, këto grupe të rezistencës së armatosur të Palestinës, veçanërisht Hamasi, duke qenë plotësisht të rrethuar dhe nën vëzhgimin spiunazh të regjimit pushtues sionist, arriti të fitojë dhe zhvillojë kapacitete të jashtëzakonshme ushtarake dhe në disa përballje dhe beteja me këtë regjim, ata i dhanë përgjigjen e duhur sulmeve brutale të këtij regjimi.

Për shkak të rëndësisë së luftës në rrugën e Zotit për të luftuar kundër forcave agresore dhe për të rivendosur stabilitetin dhe paqen në shoqëri, në Kur'anin e shenjtë dhe në hadithe profetike janë dhënë urdhra dhe shumë rekomandime në këtë drejtim. Për shembull, në suren Saf, ajeti 4, thotë: “Zoti i do ata që veprojnë dhe luftojnë në rrugën e Tij, sikur të ishin një ndërtesë e fortë dhe e qëndrueshme”. Kurse Imam Xhafer Sadik (a.s.) frytin e punës dhe luftës në rrugën e Zotit e përshkruan kështu: “... jini gjithmonë të gatshëm në frontet e betejës kundër armikut dhe luftoni në rrugën e Zotit, në këtë mënyrë nderin dhe lavdinë do t’ua lini fëmijëve tuaj pas juve".

Sipas kësaj pikëpamje islame, Ajetullah Khamenei, lideri i Revolucionit Islamik të Iranit, në lidhje me Palestinën, thotë: "E vetmja zgjidhje për çështjen e Palestinës është rezistenca dhe lufta kundër pushtimit". Tani luftëtarët e rezistencës palestineze po luftojnë për çlirimin e tokës që u përkiste baballarëve të tyre dhe që u pushtua me forcë dhe me krime të shumta të sionistëve, dhe për këtë arsye ata kanë të drejtë të luftojnë për çlirimin e saj të plotë. Një çështje tjetër e rëndësishme është kjo se edhe myslimanët e tjerë e kanë për detyrë, bazuar në ajetin 75 të sures Nisa të Kur'anit të shenjtë, t'i ndihmojnë palestinezët kudo që të jetë e mundur, në rrugën për të hequr qafe të keqen e regjimit pushtues sionist. Në këtë ajet kur'anor, Zoti i madhëruar u rekomandon myslimanëve në këtë mënyrë: “Pse nuk luftoni në rrugën e Zotit dhe (për) burrat, gratë dhe fëmijët që janë dobësuar (nga zullumqarët)?! Po ata (të shtypurit) që thonë: "O Zot! Na nxirr nga ky qytet, populli i të cilit është zullumqar! Na cakto një përgjegjës nga ana Jote! Na cakto një mik dhe një ndihmës nga ana Jote!". Pikërisht për këtë arsye tani luftëtarët e rezistencës islamike në Liban, Irak, Siri dhe Jemen, në një front të bashkuar dhe të koordinuar, po ndihmojnë vëllezërit e tyre në Rripin e Gazës për të mposhtur ushtrinë izraelite agresore dhe fëmijëvrasëse, ndërsa Republika Islamike e Iranit po mbështet plotësisht këto lëvizje të rezistencës. Imam Khomejni (ra), themeluesi i Republikës Islamike të Iranit, i cili e quan regjimin sionist një tumor kanceroz në rajonin e Azisë Perëndimore, e shpreh politikën parimore të Iranit ndaj Palestinës si më poshtë: "Ne jemi në mbështetje të të shtypurve. Kushdo që është i shtypur kudo që është, ne e mbështesim atë dhe në këtë rast palestinezët janë të shtypur. Izraeli i ka shtypur ata me anë të pushtimit, prandaj ne e mbështesim popullin e Palestinës".