Populli i Jemenit, viktimë e dhunës dhe agresionit
(last modified Sun, 02 Jul 2017 09:07:40 GMT )
Korrik 02, 2017 11:07 Europe/Tirane

Në kohën kur vëmendja ndërkombëtare ishte përqendruar më shumë në krizat e Sirisë dhe Irakut dhe në krimet e grupit terrorist ISIS, sidomos në rajonet e ndryshme të Lindjes së Mesme, më 25 mars të vitit 2015, Arabia Saudite filloi sulmet ushtarake tokësore dhe ajrore kundër Jemenit. Në këtë program special në disa edicione, do të flasim në lidhje me pasojat dhe katastrofat njerëzore të agresionit ushtarak të Arabisë Saudite kundër Jemenit. 

Territori Saba (Jemeni) në jugperëndim të Azisë

Jemeni është një vend arab që ndodhet në jugperëndim të Azisë dhe në fund të pjesës jugore të Gadishullit Arabik. Jemeni ka një popullsi rreth 23 milionë banorë dhe kryeqyteti i tij është Sana. Jemeni në veri kufizohet me Arabinë Saudite, në jug kufizohet me ngushticën Bab Mandab, në perëndim me Detin e Kuq dhe në lindje me Omanin dhe Gjirin Aden. Jemeni ka dy bregdete të rëndësishme: bregdetin perëndimor në skaj Detit të Kuq dhe bregdetin jugor skaj Detit Arab ose Gjirin Aden. Jemeni, gjithashtu, ka disa ishuj që më i rëndësishmi prej tyre është ishulli Sokotra në Detin Arab dhe ishullin Hanish në Detin e Kuq.

Jemeni deri para vitit 1990 për shumë dekada ishte ndarë në dy shtete fqinjë Republika Arabe e Jemenit (Jemeni Verior) dhe Republika Demokratike e Jemenit (Jemeni Jugor). Në vitin 1990, me anë të një marrëveshje, u bashkuan këto dy shtete dhe formuan Republikën e Jemenit. Vendi i Jemenit me të ardhura bruto kombëtare 1070 dollarë në vit për kokë banori (raporti i Bankës Botërore 2012), konsiderohej vendi më i varfër arab dhe një prej vendeve më të varfra të botës.

Pozita e Jemenit në jug të Gadishullit Arabik

Karakteristikat kulture, gjeografike, të sigurisë dhe ekonomisë së Jemenit janë të komplikuara dhe shumë dimensionale, prandaj vendosja e këtyre dimensioneve përkrah njëri-tjetrit, e lehtëson perceptimin e rëndësisë së Jemenit në ekuacionet rajonale dhe ndërkombëtare. Jemeni ka një pozitë gjeografike të veçantë dhe të rëndësishme e cila nga aspekti strategjik, e ka  bërë këtë vend me një rëndësi të madhe. Me një vështrim në hartë, shumë lehtë mund të kuptohet lidhja e korridorit ujor Bab Mandab, Gjirit Persik, Detit të Kuq dhe Oqeanit Indian, si dhe lidhja e Gadishullit Arabik, Azisë Perëndimore, Afrikës Veriore dhe Bririt të Afrikës. Jemeni edhe pas marrëveshjes së vitit 1990, gjithashtu ka një shoqëri multifisnore. Jemeni është edhe toka më pjellore në Gadishullin Arabik dhe me një vijë bregdetare 2400 km, përbënë portën natyrore të pjesës jugore dhe jugperëndimore të Gadishullit Arabik dhe të vendeve anëtare të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit Persik. Zotërimi i Jemenit mbi Gjirin Aden dhe korridorin ujor Bab Mandab që konsiderohet pikëlidhëse mes Oqeanit Indian dhe Detit të Kuq, tregon rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij vendi në gjeografinë politike dhe ekonomike të rajonit të Lindjes së Mesme.

Rëndësia strategjike e Jemenit në rajonin e Lindjes së Mesme

Në trekëndëshin e artë mes tre ngushticave strategjike Hormoz, Malaga dhe Bab Mandab, qarkullon mbi dy e treta e transportit detar të botës dhe me një fjalë tjetër e ekonomisë së botës. Sidomos kur merret parasysh fakti se këto ngushtica përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme të rrugës tranzite botërore të energjisë. Bab Mandab është një korridor ujor (ngushticë) të cilin Jemeni me anë të ishullit Parjam (Mejun), mund ta mbyllë shumë lehtë. Bab Mansab konsiderohet një prej brinjëve të këtij trekëndëshi të artë. Kufiri 1800 km me Arabinë Saudite nën sundimin e regjimit Al Saud në veri, duke shtuar edhe karakteristikat etnike dhe fetare të Jemenit, është bërë shkak që marrëdhëniet e Arabisë Saudite dhe Jemenit gjithmonë të përbëjnë një sfidë të vazhdueshme.

Zbulimi i naftës në zonat kufitare të përbashkëta mes Jemenit dhe Arabisë Saudite, është bërë shkak për shtimin e përleshjeve mes të dy vendeve dhe regjimi Al Saud gjithmonë ka qenë në kërkim të rasteve për aneksimin e zonave naftore të Jemenit në territorin saudit. Secila palë që të fitojë në konfliktin e brendshëm të Jemenit, praktikisht do të ketë nën kontroll korridorin nëpër të cilin transportohet nafta e Detit të Kuq në Oqeanin Indian dhe pastaj në tregjet e Azisë. Regjimi Al Saud duke qenë i vetëdijshëm për këtë pozitë strategjike e Jemenit, gjatë disa dekadave të fundit ka bërë përpjekje të vendosë hegjemoninë e vet mbi politikën dhe qeverisjen shtetërore të Jemenit. Regjimi Al Saud mundohet që duke ndërhyrë në politikën dhe gjithashtu me sulme ushtarake, të mbajë nën kontroll të tij qeverinë sunduese në Jemen. Lëvizja Ansarullah e Jemenit me fillimin e veprimtarisë së saj, ka prishur këtë lojë të regjimit Al Saud dhe gradualisht gjatë viteve të fundit e nxori Jemenin nga hegjemonia e regjimit Al Saud. Politika e gabuar e Arabisë Saudite në Jemen dhe urrejtja historike e jemenasve ndaj regjimit Al Saud, përshpejtoi këtë proces dhe forcoi më tepër lëvizjen Ansarullah.

Historia dëshmon qartë agresionin e Arabisë Saudite në Jemen

Me ndodhjen e zhvillimeve të tilla në Jemen, u formua një koalicion mes dhjetë vendeve arabe me në krye Arabinë Saudite dhe me mbështetjen e Amerikës dhe të disa vendeve evropiane, i cili që nga marsi i vitit 2015, në mënyrë plotësisht të papritur, filloi agresionin ushtarak nga ajri, toka dhe deti kundër Jemenit.

Agresioni ushtarak i Arabisë Saudite kundër Jemenit

Agresioni ushtarak i Arabisë Saudite kundër Jemenit filloi në kohën kur Mansur Hadi duke mos pranuar marrëveshjen për "Paqe dhe Partneritet" e arritur mes të gjitha grupeve dhe partive politike jemenase në shtator të vitit 2014, dha dorëheqje nga posti i presidentit të Jemenit dhe nga selia presidenciale në Sana, iku në qytetin Aden dhe aty formoi një qeveri të re. Ky veprim i Mansur Hadit praktikisht ndau Jemenin në dy pjesë, njëra me kryeqytetin Sana dhe tjetra me kryeqytetin Aden, gjë që u përball me kundërshtimin e gjerë të popullit dhe partive politike dhe fiseve të Jemenit. Qytetarët jemenas edhe në Aden organizuan protesta kundër Mansur Hadit dhe dënuan varësinë e tij nga Arabia Saudite. Është me rëndësi fakti se disa vende perëndimore dhe disa regjime mbretërore arabe transferuan ambasadat e tyre nga Sana në Aden ku Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara ishin prej këtyre vendeve. Këto vende synonin praktikisht të bënin ndarjen territoriale të Jemenit. Mirëpo ky skenar u neutralizua me vigjilencën dhe vetëdijesimin si dhe me rezistencën e komiteteve popullore të drejtuar nga lëvizja Ansarullah dhe nga ushtria e Jemenit, sepse këto forca morën nën kontroll pjesën më të madhe të territorit të këtij vendi duke përfshirë edhe Adenin.

Sulmet e avionëve luftarakë sauditë kundër Jemenit

Pas marrjes nën kontroll të Adenit nga forcat e rezistencës popullore të Jemenit, Mansur Hadi iku në Arabinë Saudite. Ky veprim zbuloi natyrën e vërtetë të tij dhe zbardhi faktorët që krijojnë krizë në Jemen. Njëkohësisht me këtë filluan edhe lëvizjet destruktive në nivel rajonal dhe botëror kundër popullit të Jemenit. Në këtë drejtim, Këshilli për Bashkëpunim i Gjirit Persik u ngrit në mbështetje të Mansur Hadit si president i Jemenit dhe paraqiti një plan disa pikash për të ashtuquajturën dalje të Jemenit nga kriza. Çështje kryesore në këtë plan, ishte çarmatosja e të gjitha komiteteve popullore dhe e kundërshtarëve të Mansur Hadit dhe të Arabisë Saudite dhe kthimi i tij në krye të pushtetit në Jemen. Ky plan kishte për qëllim kthimin e Jemenit në status kohën para marrëveshjes për paqe dhe partneritet të shtatorit të vitit 2014, ndërsa praktikisht anashkalonte tërësisht revolucionin e popullit të Jemenit dhe kërkesën e tij për dalje nga diktatura e Mansur Hadit dhe nga hegjemonia e Arabisë Saudite. Njëkohësisht me këtë, vendet perëndimore sidomos Anglia dhe Amerika miratuan një rezolutë në KS të OKB e cila në një farë mënyre ishte përsëritje e planit të miratuar nga Këshilli për Bashkëpunim i Gjirit Persik, që sipas saj populli jemenas privohej nga e drejta për të caktuar fatin e vet.

Lufta dhe shkatërrimi, e vetmja përgjigje ndaj të drejtës për fatin e popullit të Jemenit

Përfundimisht, Arabia Saudite më 25 mars të vitit 2015, me pretekst të kërkesës së Mansur Hadit, presidentit të arratisur dhe të dorëhequr të Jemenit, për ta nxjerrë këtë vend nga destabiliteti, filloi agresionin ushtarak të gjerë me një koalicion të përbërë nga disa vende arabe dhe me mbështetjen e disa vendeve perëndimore.

Selman bin Abdulaziz, mbreti i posa vendosur në Fronin Mbretëror të Arabisë Saudite, brenda më pak se tre muajve pas fillimit të sundimit të tij, dha urdhër për fillimin e agresionit ushtarak të quajtur "Stuhia e Prerë" kundër popullit dhe vendit të Jemenit, në mënyrë të veçantë kundër lëvizjes Ansarullah. Natyrisht se Arabia Saudite gjatë historisë disa herë ka sulmuar ushtarakisht Jemenin dhe ka pushtuar disa pjesë të këtij vendi duke aneksuar ato në territorin e Arabisë Saudite.

Luftë dhe agresion ushtarak njëkohësisht me fillimin e sundimit mbretëror

Agresioni ushtarak aktual i Arabisë Saudite kundër Jemenit filloi në kohën kur kriza e Jemenit ishte vetëm një çështje e brendshme politike dhe ndërhyrja ushtarake e Arabisë Saudite ndaj të cilës mbyllen sytë Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe fuqitë e tjera të botës, konsiderohet shkelje e sovranitetit të një vendi të pavarur dhe shkelje e integritetit dhe tërësisë territoriale të këtij vendi.

Arabia Saudite gjatë sulmeve ajrore të rënda dhe të pandërprera kundër Jemenit, po godit infrastrukturën e këtij vendi të varfër arab. Ky agresion ushtarak dhe barbarë deri më tani, ka shkaktuar vrasjen e mijëra civilëve sidomos të grave dhe të fëmijëve të Jemenit. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë së Jemenit, numri i personave të vrarë dhe të plagosur nga agresioni ushtarak i Arabisë Saudite që është regjistruar në spitale dhe qendra shëndetësore është mbi 28 mijë persona të vrarë dhe të plagosur. Johans Vand Der Klav, shef i zyrës për koordinimin e çështjeve humanitare të OKB, në një deklaratë të publikuar dy vite më parë, vë në dukje vrasjen në masë të madhe të civilëve në Jemen dhe thotë se ndikimi i agresionit ushtarak të Arabisë Saudite mbi infrastrukturën civile të Jemenit, është shkatërrues. Në kohën kur shumica e qytetarëve jemenas janë privuar nga qasja në shërbimet themelore dhe jetike si shëndetësia, ushqimi, uji i pijshëm dhe nga faktorë të tjerë elementarë, agresioni ushtarak kundër Jemenit po vazhdon akoma dhe burrat, grat dhe fëmijët po përballen me rrezikun e vdekjes.

Shkatërrimi i jetës së popullit të Jemenit, qëllim i agresionit ushtarak të Arabisë Saudite

Çështje me rëndësi është kjo që përfaqësuesi i OKB për çështjen e Jemenit në mënyrë zyrtare ka deklaruar se agresioni ushtarak i Arabisë Saudite kundër Jemenit ka filluar saktësisht në kohën kur grupet dhe partitë politike të Jemenit ishin në prag të arritjes së marrëveshjes përfundimtare për zbatimin e rrugëzgjidhjes politike dhe mes palëve kishin mbetur vetëm mosmarrëveshje të vogla. Mirëpo agresioni ushtarak i Arabisë Saudite shkatërroi të gjitha këto të arritura.

Tags