Avamie, qendra e rezistencës kundër regjimit Al Saud në Arabinë Saudite
Forcat e Arabisë Saudite, prej 10 Majit të këtij viti e deri tani kanë rrethuar qytetin Avamie të banuar kryesisht nga myslimanët shiitë.
Ky qytet është pjesë e provincës Katif në lindje të Arabisë Saudite. Deri tani forcat e Arabisë Saudite kanë vrarë dhe plagosur me dhjetëra banorë të këtij qyteti. Rrethimi i qytetit Avamie ka krijuar shumë pyetje ku më themelorja qëndron pyetja mbi gjendjen e myslimanëve shiitë në Arabinë Saudite. Edhe pse myslimanët shiitë jetojnë edhe në rajone të tjera të këtij vendi si Meka dhe Medina, mirëpo shumica e tyre gjenden në provincat lindore. Provinca Sharkia është një prej provincave më të mëdha në Arabinë Saudite, pasi për nga sipërfaqja që ajo ka zë ¼ e territorit të këtij vendi. Në këtë provincë jetojnë 2.9 milion njerëz ku shumica prej tyre dhe pothuajse të gjithë banorët janë myslimanë shiitë. Nga 30 milion banorë që ka Arabia Saudite, 10-15 % prej tyre janë shiitë.
Shiitët e Arabisë Saudite edhe pse janë shtetas të këtij vendi, ata konsiderohen njerëz të shtresës së dytë të shoqërisë. Shitët vazhdimisht përballen me diskriminime, shkeljen e të drejtave fetare, dhunë dhe terror që ushtrohet nga pushteti saudit. Veprimtaria e shtetit në Arabinë Saudite kundrejt shiitëve dominohet nga mendimet vahabiste. Kjo rrymë e devijuar, ka kontradiktë dhe urrejtje të madhe nga medhhebi origjinal dhe i pastër shiit. Muhamed Sadik Kushaki, profesor universiteti dhe ekspert i çështjeve të Lindjes së Mesme, lidhur me këtë thotë: Duke qenë se Vahabizmi sundon mbi regjimin Al Saud dhe ky regjim përpiqet që të përhapë kudo këtë ideologji, Al Saud që në fillim shiizmin e ka konsideruar kërcënim dhe pengesë. Sauditët vazhdojnë të mbajnë këtë qëndrim mbi shiitët në vend dhe myslimanët shiitë nuk i njohin si shtetas të ligjshëm. Vitet e fundit me shtimin e urrejtjes fetare në shkallë rajonale, shkak i së cilës është regjimi Al Saud, shiitët e zonave lindore të Arabisë Saudite janë kërcënuar akoma më shumë nga shteti i Arabisë Saudite.
Duke pasur parasysh qëndrimin e shtetit ndaj shiitëve, Arabia Saudite myslimanët shiitë i konsideron të pafe dhe spiunë. Për këtë shiitët në Arabinë Saudite nuk kanë të drejtë dhe nuk janë të denjë për të marrë poste shtetërore apo të drejtimit të shtetit. Ata vazhdimisht diskriminohen nga ana e shtetit. Mirëpo shiitët në Arabinë Saudite nuk vuajnë vetëm diskriminimin nga ana e shtetit, por edhe nga dhuna që shteti ushtron sistematikisht ndaj tyre. Dënimi me vdekje i sheik Namer Bagher Al Nemer, një prej klerikëve të njohur shiitë në Arabinë Saudite, sulmi i fundit ndaj qytetit Avamie që shkaktoi vrasjen dhe plagosjen e dhjetëra shiitëve, janë vetëm disa nga shembujt e qartë të dhunës së regjimit Al Saud ndaj myslimanëve shiitë në Arabinë Saudite. Forcat saudite të sigurimit me pretekstin e rikonstruksionit të pjesës antike të qytetit Avamie kanë sulmuar me helikopterë dhe automjete të blinduara lagjen Masura të qytetit në fjalë dhe kanë mbyllur të gjitha rrugë daljet dhe hyrjet e qytetit të banuar kryesisht me shiitë. Lind pyetja se përse regjimi Al Saud ka zgjedhur rrugën e dhunës në vend të rrugëve të tjera që mund të jenë me më pak pasoja? Përgjigja e kësaj pyetjeje duhet zbuluar në rëndësi që ka provinca Sharkia dhe qyteti Avamie për regjimin Al Saud. Rëndësia e parë që ka kjo provincë për shtetin në Arabinë Saudite është se provinca Sharkia është e pasur me burime hidrokarbonike. Pra me fjalë të tjerë një pjesë e mirë e të ardhurave nga shitja e naftës për shtetin Al Saud, plotësohet nga provinca Al Sharkia. Rëndësia e dytë e këtij rajoni është pozita gjeografike që ka provinca Sharkia. Kjo provincë ka shumicë shiitë dhe ndodhet në afërsi të Bahrejnit. Duke qenë se shumica e banorëve të Bahrejnit janë po shiitë të cilët janë të lidhur farefisnish me shiitët e Arabisë Saudite, kjo e fundit për shkak të protestave kundër regjimit Al Khalifa në Bahrejn, protesta që kanë vazhduar për 6 vite dhe janë shtuar shumë në vitin 2017, e ka shtuar akoma më shumë vëmendjen tek zonat lindore të vendit. Rëndësia e tretë që ka provinca Sharkia për regjimin Al Saud, është se kjo zonë është vendlindja e klerikut të madh shiit sheik Nemer Bagher Al Nemer. Steven Sahiounie, më 19 Maj të vitit 2017, në një artikull të shkruar për American Herald Tribune, thotë: Qyteti Avamie është vendi i lindjes së sheik Nemer Bagher Al Nemer, i cili u arrestua gjatë protestave të shiitëve në vitin 2012. Ai më 15 tetor të vitit 2015 u dënua me vdekje nga gjykata e luftës së regjimit Al Saud. Nën akuzën e veprimeve kundër sigurisë kombëtare, ai mori verdiktin e dënimit me vdekje të prerjes së kokës me shpatë dhe e kryqëzimit në ambient publik. Ky verdik u zbatua në janar të vitit 2016, ku sheik Nemer Bagher Al Nemer u ekzekutua me vdekje së bashku me 46 persona të tjerë. Qyteti Avamie njihet ndryshe si qendra e rezistencës kundrejt qeverisë Saudite. Duke pasur parasysh rëndësinë demografike, gjeografike dhe kulturore të provincës Sharkia dhe sidomos të qytetit Avamie, shteti i Arabisë Saudite ndaj këtij rajoni ka shtuar masat e sigurisë duke i shtypur banorët e këtij rajoni. Merva Selman, në një analizë të titulluar “ Përse Arabia Saudite i vret shtetasit e saj, vetëm pse janë shiitë” dhe të publikuar më 19 Maj 2017 në sajtin Signs of the Time, shkruan: Dhuna e Arabisë Saudite në provincën lindore Katif nuk është diçka e re, sepse kjo dhunë ka nisur prej vitit 1970. Më 11 nëntor të vitit 1979 u organizuan protesta masive kundër regjimit mbretëror të Arabisë Saudite dhe kundër Amerikës e cila kryente manovra me avionët e saj në bazën Zahran. Shteti i Arabisë Saudite, këto protesta i shtypi me tanke dhe me autoblinda duke lënë të vrarë 24 persona, plagosur me dhjetëra dhe arrestuar me mijëra të tjerë. Sot po ndodh e njëjta gjë në qytetin Avamie dhe lagjen Masura. Në këtë qytet po ndiqet e njëjta metodë e ndjekur në vitin 1970. Një tjetër pyetje e rëndësishme është se çfarë qëllimi dhe objektivi ndjek regjimi Al Saud në qytetin Avamie?
Mund të thuhet se veprimtaria e ndjekur nga Al Saud në qytetin Avamie është e njëjtë me veprimtarinë dhe strategjinë e ndjekur nga Izraeli në territoret e pushtuara, apo e njëjtë me arabizimin e zonave kurde që ishte strategjia e ndjekur nga Sadam Huseini në Irak. Regjimi Bath i Irakut në vitin 1980 ndoqi politikën e arabizimit kundër kurdëve të Irakut dhe në bazë të kësaj politike kreu dëbimin e detyruar të kurdëve dhe zëvendësimin e tyre me arabë në qytetin Kirkuk. Sot regjimi Al Saud i Arabisë Saudite mundohet të ndryshojë strukturën e qytetit Avamie me pretekstin e rikonstruksionit të këtij qyteti. Regjimi Al Saud pretendon se synon rindërtimin e këtij rajoni mirëpo strategjia konsiston në ndryshimin e demografisë së rajonit dhe dëbimin e banorëve në një zonë tjetër me qëllim që ky qytet të mos jetë më qendër e rezistencës kundër regjimit Al Saud. Dëbimi i detyruar i banorëve nga qyteti Avamie, në bazë të pikës 7 të kartës së GJND është krim i hapur kundër njerëzimit. Në këtë mes mediat botërore, kundrejt këtij krimi të organizuar të regjimit Al Saud në qytetin Avamie, po ndjekin strategjinë e indiferencës dhe të heshtjes mediatike.