Arsyet dhe pasojat e legalizimit të Hashd Al Shaabi në Irak
Megjithëse deputetët e Parlamentit të Irakut më 27 Nëntor 2016, miratuan me shumicë votash ligjin për forcat popullore Hashd Al Shaabi duke i shpallur ato si një institucion legjitim, disa kundërshtarë të jashtëm e të brendshëm të qeverisë së Irakut, po e akuzojnë Hash Al Shaabin për sektarizëm.
Sipas ligjit në fjalë, Hashd Al Shaabi njihet si një institucion legjitim në Irak që ka detyra të përcaktuara. Në bazë të këtij ligji, Hashd Al Shaabi do të jetë plotësisht nën urdhërat e komandës së përgjithshme të forcave të armatosura të Irakut. Në këtë emision do të analizojmë shkaqet që çuan në legalizimin e forcave popullore Hashd Al Shaabi dhe pasojat e këtij vendimi.
Në Qershor 2014, Iraku u bë dëshmitar i një agresioni të gjerë të terroristëve të ISIS dhe i pushtimit të një pjese të madhe të territorit të vendit nga terroristët. Pas këtij agresioni dhe në kushtet e një krize tepër të rëndë, lideri i madh fetar irakian Ajetollah Sistani, lëshoi një dekret fetar për themelimin e forcave vullnetare popullore që u quajtën Hashd Al Shaabi Dy vjet pas themelimit të këtyre forcave, ekzistojnë të dhëna të ndryshme në lidhje me numrin e saktë të anëtarëve të Hashd Al Shaabit, por Ahmed Al Asadi, zëdhënësi i këtyre forcave, në muajin Nëntor 2015 deklaroi se Hashd Al Shaabi ka mobilizuar 141 mijë trupa në luftë kundër terrorizmit. Kundërshtarët e Hashd Al Shaabit, në fakt janë kundërshtarët e qeverisë irakiane dhe me një këndvështrim sektar të politikave të Bagdadit, e konsiderojnë të rëndësishëm rolin e Hashd Al Shaabit në fitoret e qeverisë irakiane përballë terroristëve. Kundërshtarët e Hashd Al Shaabit e akuzojnë këtë grup për ekstremizëm. Adel Al Xhubeir, ministër i Jashtëm i Arabisë Saudite në takimin me homologun e tij jordanez Naser Xhodet, pretendoi se Hashd Al Shaabi përbëhet nga forcat ekstremiste të Irakut. Hashd Al Shaabi akuzohet për sektarizëm në një kohë kur shumë nga komandantët e këtij grupi që marrin pjesë në operacionin për çlirimin e Mosulit, janë sunitë. Burimet zyrtare irakiane bëjnë të ditur se nga 141 mijë forca të Hashd Al Shaabit, 25-30 mijë prej tyre janë nga fiset sunite dhe mbi 30 mijë të tjerë janë nga bashkësia turkmene e Irakut. Si rrjedhim, të paktën 40 % të pjesëtarëve të Hashd Al Shaabit e përbëjnë sunitët irakianë dhe ky fakt i hedh poshtë akuzat për sektarizmin e këtij grupi.
Duke u mbështetur mbi akuzën e sektarizmit, kundërshtarët e jashtëm e të brendshëm të qeverisë irakiane kanë bërë përpjekje të shumta për të dëmtuar imazhin e Hashd Al Shaabit. Akuzimi i këtyre forcave për akte të pamoralshme e çnjerëzore dhe për abuzim me pushtetin në zonat e çliruara, janë lloji kryesor i akuzave të ngritura nga kundërshtarët, por në disa raste janë vërejtur edhe fushata të gjera propagandistike mediatike kundër Hashd Al Shaabit. Me të tilla akuza, kundërshtarët përpiqen të vënë në vështirësi këtë grup, të evitojnë caktimin e buxhetit për të dhe të pengojnë aktivitetet e këtij grupi. Megjithë këto përpjekjet, më 27 Nëntor 2016, deputetët e Parlamentit të Irakut miratuan me shumicë votash ligjin për forcat popullore Hashd Al Shaabi duke i shpallur ato si një institucion legjitim. Ky veprim bazohet në nenin 108 të Kushtetutës së Irakut ku parashikohet mundësia e krijimit të forcave të pavarura.
Legalizimi i Hashd Al Shaabit dhe përfshirja e tij në strukturën e sigurisë së Irakut do të ketë ndikim të rëndësishëm në suksesin e këtyre forcave. Ky veprim i Parlamentit të Irakut u dha fund spekulimeve të kundërshtarëve të Hashd Al Shaabit që këtë grup e cilësonin të paligjshëm. Me vendimin e Parlamentit të Irakut është formuluar pozita zyrtare e këtij grupi në strukturën ushtarake dhe mbrojtëse të vendit. Një tjetër arritje është se në bazë të ligjit të miratuar nga deputetët irakianë, Hashd Al Shaabi nuk konsiderohet më si një forcë e përkohshme ushtarake që aktivizohet vetëm në rast të krizave, por si një formacion i përhershëm ushtarak i Irakut. Kundërshtarët e Hashd Al Shaabit bënë përpjekje të shumta për t’a detyruar qeverinë irakiane të shpërbëjë këtë formacion ushtarak, por legalizimi i Hashd Al Shaabit çoi në dështimin e këtyre përpjekjeve. Një tjetër pasojë e legalizimit të Hashd Al Shaabit duhet të analizohet në kuadër të ndikimit të kësaj force në punën e qeverisë irakiane. Legalizimi i këtij formacioni të madh ushtarak do të ketë edhe pasoja pozitive, por edhe negative për qeverinë e Irakut. Një prej ndikimeve pozitive do të jetë shtimi i potencialit mbrojtës të qeverisë irakiane, sepse do të rritet numri i forcave të armatosura të vendit. Integrimi i forcave të Hashd Al Shaabit në strukturën ushtarake të Irakut do të bëjë të mundur që shkelja e integritetit territorial dhe sovranitetit kombëtar të Irakut të mos jetë më aq e lehtë sa në Qershor 2014 kur terroristët pushtuan një pjesë të madhe të territorit irakian duke e çuar Irakun në prag të shpërbërjes. Shpallja legjitim i grupit Hashd Al Shaabi do të bëhet shkak që terroristëve as të mos u shkojë në mendje të rikthehen në Irak, ndërsa ato vende që komplotojnë kundër integritetit territorial të Irakut, tani e tutje duhet të mendohen më shumë në përllogaritjet e tyre. Një tjetër çështje e rëndësishme është se me bashkimin e forcave të Hashd Al Shaabit në strukturën ushtarake të Irakut, do të reduktohet mundësia e dobësisë apo tradhtisë së forcave të ushtrisë irakiane. Deri tani një pjesë e konsiderueshme e forcave dhe kuadrove të ushtrisë irakiane kishin mbetur që nga koha e regjimit të Sadamit dhe në shumë raste këto forca janë treguar të dobëta për të mos thënë tradhtare si në rastin e pushtimit të Mosulit nga terroristët e ISIS. Gjithashtu, integrimi i Hashd Al Shaabit në forcat e armatosura të Irakut mund të forcojë pozitën rajonale të Irakut, sepse në kushtet kur një numër i madh i vendeve arabe të rajonit po përballen me mungesën e forcave ushtarake, Iraku ishte nga të paktat vende që nuk u përball me këtë problem. Ky faktor mund t’a shtojë forcën manovruese të Irakut si një aktor i fuqishëm në rajon.
Hashd Al Shaabin duhet t’a konsiderojmë si një aktor të rëndësishëm dhe aktiv në sferën e sigurisë së Irakut gjatë dy viteve të fundit. Gjatë kësaj periudhe, Hashd Al Shaabi u shndërrua në krahun e fuqishëm të sigurisë së qeverisë irakiane dhe luajti rol qendror në luftën kundër terrorizmit dhe për këtë arsye u përball me akuzat, shpifjet dhe propagandat e shumta të kundërshtarëve të qeverisë irakiane. Legalizimi i Hashd Al Shaabit dhe përfshirja e tij në strukturën e sigurisë së Irakut do të ketë ndikim të rëndësishëm në aktivitetet e ardhshme të këtyre forcave në mbrojtje të sigurisë dhe tërësisë territoriale të Irakut, ndërsa çdo lloj deklarate negative e funksionarëve të huaj kundër Hashd Al Shaabit do të konsiderohet si ndërhyrje në punët e brendshme të Irakut.