Tërheqja e SHBA nga Siria: veprim strategjik apo veprim taktik (2)
(last modified Sat, 26 Jan 2019 10:29:58 GMT )
Janar 26, 2019 11:29 Europe/Tirane
  • Tërheqja e SHBA nga Siria: veprim strategjik apo veprim taktik (2)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dëshiron të garantojë sigurinë e trupave amerikane, të cilat do të tërhiqen nga Siria, pasi këshilltari i saj për siguri kombëtare tha se tërheqja mund të zgjasë me muaj.

Duke cituar pretekstin e kurdëve sirianë, këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, John Bolton, shtoi një kusht të ri për tërheqjen e SHBA-së nga Siria, duke thënë se Turqia duhet të pajtohet për mbrojtjen e aleatëve kurdë të SHBA-së. Trump, përsëriti se SHBA do t’i tërheqë trupat e saj nga Siria, por tha se ky veprim mund të mos bëhet shpejt.

Lajmet për tërheqje të plotë të SHBA nga Siria kanë nxitur kritika të menjëhershme nga disa prej republikanëve të partisë së tij, të cilët kanë thënë se një hap i tillë e fuqizon Rusinë dhe Iranin, të cilat e mbështesin presidentin sirian, Bashar al Assad. Disa nga republikanët që janë aleatë më Trumpin kanë kundërshtuar tërheqjen e trupave. Senatori amerikan, Lindsey Graham, zakonisht përkrahës i Trumpit ka thënë se tërheqja e trupave do të ketë “pasoja shkatërruese” për Shtetet e Bashkuara dhe për rajonin në gjithë botën. “Një tërheqje amerikane në këtë kohë do të jetë fitore e madhe për IS-in, Iranin, Bashar al-Assadin dhe Rusinë”, ka thënë Graham përmes një deklarate. Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të tërhequr trupat amerikane nga Siria ishte një "dhuratë e madhe e Krishtlindjeve" për Iranin dhe Rusinë, deklaroi një senator demokrat në Kongres. Senatori Chris Coons tha se fakti që presidenti rus Vladimir Putin dhe senatori republikan Rand Paul mirëpritën njoftimin e së mërkurës të Trump treguan se sa "i tmerrshëm" ishte  ky veprim. "Të tërhiqemi tani dhe të braktisim aleatët tanë kurdë, do të thotë të hapet një autostradë për Iranin dhe Rusinë ose Turqinë, për kontrollin e Sirisë " shtoi ai. Një vendim i tillë ka qenë befasi edhe për liderë tjerë botërorë. Ministri britanik i Mbrojtjes ka thënë se ai nuk pajtohet me qëndrimin e Trumpit se ISIS është mposhtur derisa zyrtarë izraelitë kanë thënë se Izraeli do të studiojë vendimin dhe do të garantojë sigurinë e tij. Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se i vjen thellësisht keq ndaj vendimit të fundit të homologut të tij amerikan, Donald Trump për tërheqjen e trupave nga Siria. Aleatët e NATO-s, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me ndryshimin drastik të kursit të SHBA-së në luftën kundër IS-it, grup i cili është larguar nga shumica e territorit sirian, por vazhdon të ketë një prezencë të vogël në disa pjesë të Sirisë. Vetëm 6 muaj më parë, Pentagoni vlerësoi se 20-30 mijë luftëtarë aktivë mbeten në Siri dhe Irak. ISIS mund të mos kontrollojë më shumë territore në Siri, por luftëtarët e tij po fshihen në xhepa të padeklaruar në lindje të vendit dhe në rrethinat e Idlibit.

Vendimi i Trump për të tërhequr trupat amerikanë nga Siria duket se ka pasur një impakt të drejtpërdrejtë edhe tek Izraeli, i cili që nga paralajmërimi për tërheqjen e trupave ka theksuar se ky vendim nuk është mirë për Izraelin. “Presidenti Trump është një mik i madh i Izraelit por vendimi i fundit për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, konkretisht nga lindja e Eufratit është i gabuar, kjo do të forcoj edhe më shumë ndikimin e presidentit turk në këtë vend”, deklaroi Tel Avivi. Lajmi për tërheqjen e  trupave amerikane nga Siria ka tronditur edhe regjimin saudit. Princi saudit Turki al-Faisal tha se tërheqja e trupave amerikane nga Republika Arabe e Sirisë do të çonte në përkeqësimin e situatës në këtë vend të Lindjes së Mesme. Al Faisal theksoi: "Veprimet e SHBA-së nga këndvështrimi im do të komplikojë më tej çështjen dhe do të forcojë më tej jo vetëm iranianët, por edhe rusët dhe Bashar Asadin. Pra, nga kjo perspektivë, sigurisht, është një zhvillim shumë negativ ". Princi Faisal më tej shtoi se dorëheqja e sekretarit amerikan të Mbrojtjes Jim Mattis, që supozohet se u shkaktua nga vendimi i Presidentit Donald Trump për të tërhequr trupat nga Siria, nuk ka gjasa të ndihmojë situatën. "Natyrisht, ai nuk ishte dakord me administratën Trump mbi politikën ndaj Sirisë, kështu që në atë kontekst mbetja e tij do të ishte një shenjë më pozitive e angazhimit ndaj kësaj politike", shtoi princi saudit.

Megjithatë, vendimi i Trump për të tërhequr trupat amerikane nga Siria është mirëpritur nga Rusia, Siria, Irani dhe Turqia. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, duke përshëndetur njoftimin për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, tha: "Mungesa e amerikanëve do të ndihmojë në zgjidhjen e krizës siriane. Maria Zakharova tha se prania e forcave amerikane në Siri është një pengesë e madhe për zgjidhjen e krizës në vend, prandaj tërheqja e tyre nga Siria është një lëvizje pozitive dhe Moska e mirëpret atë. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu ka shprehur një propozim për të kontrolluar tërheqjen e trupave amerikane nga Siria së bashku me Rusinë dhe Iranin. "Shtetet e Bashkuara po përballen me disa vështirësi në procesin e tërheqjes së trupave nga Siria. Ne duam ta koordinojmë këtë proces së bashku me Rusinë dhe Iranin, me të cilët kemi rregulluar punën në kuadrin e procesit të Astanasë. Kjo është e nevojshme në mënyrë që organizatat terroriste të mos mbushin boshllëkun pas tërheqjes së SHBA, "tha diplomati turk. Turqia, së bashku me Rusinë dhe Iranin, është garantuesi i armëpushimit në Siri. Edhe Ministri i jashtëm i RII z. Muhamed Xhevad Zarif bëri thirrje për tërheqjen e shpejtë të forcave amerikane nga Siria. Do të jetë më mirë për popullin sirian, nëse amerikanët largohen nga vendi sa më shpejt që të jetë e mundur, tha Zarif.

Pavarësisht nga njoftimi i Presidentit Trump se ai ka vendosur të tërheqë trupat amerikane nga Siria, për realizimin e këtij veprimi nevojitet kohë. Sipas Presidentit rus Vladimir Putin, Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar për shumë vite se kanë ndërmend të largohen nga Afganistani dhe ende nuk janë tërhequr. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar për vite që duhet të largohen nga Iraku, por ende nuk janë larguar. Në Siri, qeveria siriane nuk kërkoi fare praninë e amerikanëve dhe forcat amerikane hynë në këtë vend pa e pyetur askënd. Trump flet për sakrificat e ushtarëve amerikanë në Siri kundër ISIS, grupi i cili vrau vetëm një ushtar amerikan gjatë një periudhe trevjeçare pas shpërthimit të një municioni dhe një ushtar tjetër u plagos në një aksident me makinë. Amerikanët janë të vetëdijshëm se, duke pasur parasysh sukseset e përkrahësve të qeverisë siriane kundër ISIS dhe terroristëve të tjerë, më nuk kanë arsye për të qëndruar në Siri. Tërheqja e trupave amerikane nga Siria nuk ishte rezultat i një marrëveshjeje apo negocimi midis Sirisë,  Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, por për shkak të qëndrueshmërisë së qeverisë siriane dhe popullit sirian, si dhe ndihmës së boshtit të rezistencës. Qeveria siriane ka qenë në gjendje të neutralizonte agresionin kundër Sirisë me këmbënguljen e saj në krijimin e një koalicioni rajonal dhe ndërkombëtar, dhe me përkushtimin e popullit dhe liderëve sirianë. Pas vendimit të presidentit amerikan për largimin e forcave ushtarake amerikane nga Siria, me qindra kamionë me pajisje ushtarake të Amerikës janë larguar nga Siria. Presidenti amerikan më në fund zbatoi një prej premtimeve të tij dhe ka thënë se do të tërheqë trupat nga Siria.

Përcaktimi i fatit të këtij manovrimi taktik të tërheqjes që kuptohet se ka për qëllim të shkaktojë kaos edhe në procesin e Astanas që Turqia zhvillon me Rusinë dhe Iranin, mund të mos arrijë të rezultojë as edhe 4 muaj në mënyrën e njëjtë sikurse erdhi në rend dite. Lajmet se Departamenti amerikan nuk ka asnjë plan për t’u tërhequr perceptohet si një tentativë e re zvarritjeje e Uashingtonit. Më 19 dhjetor, Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, i cili njoftoi se do të tërhiqte 2.000 ushtarë amerikanë nga Siria veriore, gjithashtu hoqi nga detyra edhe Sekretarin e Mbrojtjes, James Mattis, për të cilin u kuptua se kishte sabotuar këtë përpjekje. Që nga ajo kohë e deri tani po kërkohet përgjigje ndaj pyetjeve se nëse do të tërhiqen ushtarët e SHBA-ve nga korridori i terrorit në veri të Sirisë, si do të tërhiqen, çfarë kalendari do të ndiqet për këtë. SHBA çfarë do të bëjë me armatimet dhe mijëra kontejnerët me armë të sofistikuara që ka transportuar më parë në rajon, si dhe cili do të jetë fati i më shumë se 20 bazave ushtarake në rajon pas largimit të ushtarëve amerikanë.

Tags