Robërit e Qerbelasë, përcjellësit e mesazhit të së vërtetës  (1)
(last modified Tue, 17 Aug 2021 19:07:05 GMT )
Gusht 17, 2021 21:07 Europe/Tirane
  • Robërit e Qerbelasë, përcjellësit e mesazhit të së vërtetës  (1)

Nata e 11-të e muajit Muharrem është një natë plot dhimbje dhe psherëtima, plot të qara dhe vajtime, plot ndarje dhe mall, plot vuajtje, fyerje dhe përdhosje. Gratë dhe vajzat janë të vetmuara, të pafuqishme dhe të robëruara dhe vetëm Zoti e di se si e kaluan këta njerëz të shenjtë atë natë të zezë.

Dielli i ditës së dhjetë të Muharremit në vitin 61 hixhri perëndoi, ndërsa dielli i vërtetë kishte rënë në tokë. Imam Huseini (a.s), i cili ishte rritur mbi supet e Profetit të Zotit (s.a.v.s), tani ka rënë në tokën e Qerbelasë me një trup të shqyer nga shtizat, shigjetat dhe shpatat, dhe duket sikur nga çdo plagë një dritë është ngritur drejt qiellit! Një dritë që përgjatë historisë tregon rrugën dhe e thërret njerëzimin nga neglizhenca dhe injoranca drejt së vërtetës dhe pavdekësisë. Ushtria e Omar ibn Sa'dit me zemër të zezë nuk e dinte se duke vrarë Huseinin (a.s), nipin e Profetit (s.a.v.s) në Qerbela, do të përjetësonte Huseinin dhe rrugën e tij.

Pas martirizimit të Imam Huseinit (a.s), armiqtë e tij si hiena filluan të sulmonin çadrat. Si të dehur dhe si egërsira, ata sulmuan çadrat e Huseinit dhe pasi plaçkitën çadrat, u vunë zjarrin atyre. Gratë dhe fëmijët të tmerruar dhe duke qarë vrapuan jashtë çadrave. Në atë kohë, hz. Zejneb (a.s.) ishte e shqetësuar për gjendjen e fëmijëve dhe grave, dhe më e rëndësishmja, e shqetësuar për gjendjen e imamit të kohës së saj, Hazretit Saxhad (a.s.). Ajo parandaloi vrasjen e Imam Saxhadit (a.s), i cili ishte i sëmurë dhe i dobët, dhe më pas vrapoi sa andej këtej dhe në atë mënyrë dhe shoi zjarrin nga rrobat e  vajzave dhe i përqafoi ato. Zejnebi ishte një mal në trupin e një gruaje dhe ajo e di se shpresa e njerëzve të familjes së shenjtë tashmë rëndon mbi vajzën e Aliut.

Zjarri dogji tendat dhe era e shpërndau hirin mbi trupat e dëshmorëve të Qerbelasë. Çadrat janë plaçkitur, gratë janë plaçkitur, vathët janë hequr nga veshët e vajzave dhe disa nga veshët e tyre janë të përgjakur. Të gjithë kanë frikë, çfarë do të ndodhë me ta? Shikimi i trishtuar e grave drejtohet mbi trupat e dëshmorëve; Trupat e përgjakur dhe pa kokë të heronjve që ishin mbështetësit e tyre më të mirë. Ato shikojnë Eufratin dhe kujtojnë Abas Ibn Aliun (a.s), i cili ishte flamurtari i Imam Huseinit (a.s) dhe simbol i trimërisë dhe burrërisë, dhe hienat madje kishin frikë edhe nga shikimi i tij. Papritur, Omer ibn Sa'd, komandanti i ushtrisë së zemërzinjve, urdhëron që gratë dhe fëmijët dhe Hazreti Saxhad (a.s) të vendosen në tenda gjysmë të djegura dhe kështu filloi nata më e vështirë.

Drita e hënës ka rënë mbi trupat e dëshmorëve dhe gratë dhe fëmijët vazhdojnë të qajnë dhe vajtojnë për martirizimin e burrave, baballarëve, vëllezërve dhe veçanërisht të Imam Huseinit (a.s). Nata e 11-të e Muharremit është një natë plot dhimbje dhe psherëtima, plot të qara dhe vajtime, plot ndarje dhe mall, plot vuajtje, fyerje dhe përdhosje. Gratë dhe vajzat janë të vetmuara, të pafuqishme dhe të robëruara dhe vetëm Zoti e di se si e kaluan këta njerëz të shenjtë atë natë të zezë. Sidoqoftë, Zejnebi i kishte sytë nga fusha që ngjante si një thertore dhe po shikonte Huseinin (a.s)! Hz. Zejneb ngrihet dhe përsëri duke kujtuar Zotin dhe duke iu përulur Atij, e çon zemrën e saj në bregun e paqes. Ajo madje sonte fali edhe namazin e natës, por nga pikëllimi dhe trishtimi e fali e ulur.

Tags